9 Tetor, 2017

Nga konflikti mund të gjenerohen rezultate shumë pozitive


Konflikti nuk është gjithmonë i keq. Sipas studimeve të fundit të psikologjisë, prej tij mund të gjenerohen rezultate shumë pozitive, veçanërisht në një mjedis pune ku punohet në skuadër. Nuk mund të themi që konflikti nuk ekziston, sepse ai është mbi të gjitha më i pranishëm, sidomos në ambientet e punës dhe mënyra më e mirë për të shpëtuar nga energjia negative që ai mbart, është përballja me të.

konflikt

Duke qenë se një pjesë e madhe njerëzish i frikësohen përballjes me situatat konfliktuale, tensioni dhe mërzitja, e cila në disa raste shkon deri në urrejtje është gjithmonë e pranishme, duke ndikuar vetëm në përkeqësimin e situatës. Kjo zakonisht ndodh sepse ne mundohemi që t’i shmangim personat të cilët kërcënojnë qetësinë në mjedisin tonë të punës, duke mos e kuptuar që ky është një prej gabimeve më të mëdha, që padyshim çon në krijimin e kushteve ideale për konfliktin e radhës.

Në vend që çdo situatë konfliktuale të personalizohet, anëtarët e një skuadre duhet të mësojnë që të menaxhojnë më së miri atë dhe të përballen duke nxjerrë në pah të gjithë shkaktarët kryesorë që çuan drejt saj.

Më poshtë do të gjeni edhe disa këshilla të tjera të cilat do t’ju vijnë në ndihmë për të përballuar më së miri një situatë konfliktuale:

  1. Përshtatshmëria

Një prej elementeve më të rëndësishme për të pasur gjithmonë një mjedis pune në harmoni të plotë është që secili prej anëtarëve të skuadrës të ketë aftësinë për t’u përshtatur si me situatat ashtu edhe me njëri-tjetrin. Nëse të gjithë do të jenë më fleksibël për t’iu përshtatur mjedisit në të cilin punojnë, secili prej tyre do ta ketë më të lehtë për të qenë i përqendruar në çdo detaj të projektit të radhës, duke mos u marrë me shqetësime të kota të konflikteve të pashëndetshme.

     2. Qëllim i përbashkët

Në një skuadër pune, jo të gjithë mund të bien menjëherë dakord mbi zgjidhjen e një problemi të caktuar. Mosmarrëveshjet janë të pritshme, por kur qëllimi është i përbashkët, këto mosmarrëveshje me pak mund, mund të shndërrohen në ide produktive për të pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Rezultatet më të mira arrihen atëherë kur të gjithë anëtarët e skuadrës tregojnë disponueshmërinë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të arritur rezultatin më të mirë.

  1. Angazhimi i të gjithë anëtarëve

Puna në një mjedis konfliktual mund të japë rezultate shumë të mira nëse ka bashkëpunim nga të gjithë anëtarët e skuadrës, për të dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Në këtë mënyrë, konflikti i jep të gjithë anëtarëve një rol të rëndësishëm, duke i shndërruar në hallka kyçe të dhënies së një zgjidhjeje sa më efikase.

  1. Rritja e produktivitetit

Me të gjithë individët në përpjekje për të dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme ndaj konfliktit dhe për të pasur rezultate sa më pozitive, të gjithë anëtarët e skuadrës kontribuojnë në rritjen e produktivitetit. Në vend që të humbasin kohë duke u marrë me faktin që konfliktet ekzistojnë, ata hedhin një hap më përpara duke u marrë me zgjidhjen e tij, gjë kjo që e bën secilin prej tyre më produktiv dhe rrjedhimisht edhe rezultatet përfundimtare do të jenë më të mira në krahasim me më përpara.

  1. Përqafim i ndryshimeve konstruktive

Kur konfliktet shpërfillen ose shmangen, jo vetëm që situata nuk do të përmirësohet por përkundrazi ajo do të përkeqësohet. Kur secili prej anëtarëve ndihet një pjesë e rëndësishme e skuadrës, kjo krijon ndryshimin e nevojshëm për të fituar dhe për të ecur përpara me rezultate gjithnjë e më pozitive.

  1. Gjenerim idesh të reja

Dhënia e mundësive të barabarta nuk do të thotë që të gjithë anëtarët e skuadrës janë të të njëjtit nivel. Mundësia e barabartë nënkupton se çdo person ka të njëjtën mundësi për të shprehur një mendim të tijin. Dhe vetëm nga një mënyrë e tillë veprimi lindin edhe idetë e reja. Konflikti gjeneron kreativitet në procesin e zgjidhjes së problemeve, por vetëm atëherë kur të dyja palët përpiqen për ta zgjidhur atë në mënyrën më të shëndetshme të mundshme./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al