12 Prill, 2022

Nga paragjykimet për tatuazhet dhe tekstet e këngëve te problemet me depresionin, rrëfimi i rrallë i Getinjos


Reperi Getoar Aliu, i njohur si Getinjo, është përfolur shpesh rreth stilit të tij të jetesës dhe teksteve të këngëve që realizon.

 

Reperi nga Ferizaj ka qenë i ftuar së fundmi në një emision, ku ka prekur temën e paragjykimeve me të cilat përballet.

Që në nisje të emisionit “Libero”, ai mbajti një fjalim duke treguar se ka qenë i paragjykuar për shumë gjëra në jetën e tij, për tatuazhet apo tekstet e këngëve. Ai gjithashtu dha një mesazh edhe për ata që kanë qenë në të njëjtën situatë si ai.

“Përshëndetje të gjithëve që po na ndiqni, unë jam Getoar Aliu emri im artistik është Getinjo dhe jam 30-vjeçar dhe bëj rap ose hip hop që 15 vite gati. Desha të ndaj me ju disa minuta për temën paragjykim”, tha Getinjo.

“Edhe unë bëj pjesë prej atyre personave që kam qenë i paragjykuar prej njerëzve, kështu që paragjykimet te ne në Kosovë te ne shumicë shqiptare është shumë nivel i lartë. Desha të bëj një mesazh për të gjithë njerëzit që janë të paragjykuar, që vazhdoni ëndrrat e juaja, qëllimet, vizionet, nuk ka lidhje si dukeni, a keni tatuazhe, a mbani syze apo nuk i keni kushtet, çdo gjë që e doni, e keni pasion, ndiqeni.

Te ne shumë ka njerëz që nuk dinë vetë ta bëjnë, e kundërshtojnë të tjerët, japin kritika, ofendime. Unë më së shumti kam luftuar gjithë këto vite që ta heqim këtë gjë prej atyre që na përcjellin, shikuesit apo dëgjuesit janë ata që paragjykojnë më së shumti. Kam qenë i paragjykuar më shumë për tatuazheve dhe për temën e teksteve”, përfundoi ai.

Ndër të tjera, gjatë intervistës ai zbuloi se në një periudhë të jetës së tij ka vuajtur edhe nga depresioni, duke shtuar se kjo është një gjë që iu ndodh të gjithë njerëzve.

“Ndihem shpesh i vetmuar. Depresionin e ngjyros me ngjyra. S’ka njeri që nuk ka pasur depresion në jetë. Jeta e tillë është. Unë gjithmonë jam munduar ta plotësoj me gjëra “s’ka gjë” dhe nuk më ka penguar kurrë. Kur ndihesh i vetmuar, ajo lidhet me depresionin. Njerëzit nuk kanë nevojë për ty kur ti ia thua të vërtetën. Ndonjëherë jam ndier i vetmuar, “pse askush nuk mendon si unë.”- tha reperi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al