13 Shtator, 2020

Nga pozat seksi te mbulesa e islamit, flet Shkëndije Mujaj: Kjo është e vërteta ime


Nga Blerand Rexhepi/ U paraqit si një nga femrat që nuk njeh tabu, për vite të tëra realizoi projekte të cilat ishin atraksion në botën e skenës muzikore. U përfol shumë e shumë, saqë në një moment ajo vendosi të mbulohej.

Shkëndije Mujaj vjen në këtë bisedë ku tregon arsyet pse u mbulua, rrugën e Zotit, të cilën po e ndjek dhe arsyet e tërheqjes nga muzika.

U bë një kohë që nuk ke publikuar ndonjë projekt të ri, do të thotë kjo që je tërhequr nga muzika?

Shkëndije Mujaj: Shumë e vërtetë është se jam larguar nga muzika, të paktën me stilin që e kisha.

Çfarë përfitove e çfarë humbe nga karriera muzikore që kur ke filluar?

Shkëndije Mujaj: Fitova shumë gjëra materiale, të cilat, ashtu siç erdhën shpejt, edhe ikën shpejt, pare pa pikë bereqeti (haram). E humba kohën duke jetuar pa shijen e imanit, kënaqësi që nuk të kërkon asgjë përveç bindjes ndaj Zotit. Thjesht njoha shumëkënd, por jo atë që më krijoi.

E ke përjetuar rëndë humbjen e nënës, sa mundesh ta gjesh veten tani dhe si është jeta jote?

Shkëndije Mujaj: Po, i dashuri im Allahu xh.sh e mori nënën time të bukur, që më solli në këtë botë dhe akoma e ndiej dhimbjen, mungesën, malli vjen e shtohet, por unë nuk mund të kuptoj të tjerët që e lëshojnë në dhe nënën, babain, motrën, vëllaun, duke mos i shtruar vetes pyetje: ku shkoi dhe a ka nevojë ta ndihmojmë diçka? Vazhdojnë jetën sikur mos kishte ndodhur asgjë. Ajo më rri para syve, kur e pashë nënën time të ngrirë dhe të ftohtë u binda se caktimi i Allahut do të ndodhë, pamëshirshëm dhimbjes sime. Por unë e dua Allahun edhe më shumë, i lutem me kënaqësi ta mëshirojë nënën time dhe të na ribashkojë ne Xhennet InshAllah.

Mendon se je e gatshme të bëhesh nënë dhe të krijosh familje, pavarësisht asaj që e mban fshehur hermetikisht, jetën private pra?

Shkëndije Mujaj: Unë jam e gatshme të pranoj çfarë vjen nga Allahu, ai është planifikuesi im.

Mbështetësit dhe fansat nuk do kenë mundësi të shohin videoprojekte atraktive nga Shkëndija?

Shkëndije Mujaj: Ndjekësit e mi do kenë shansin të njohin të vërtetën InshAllah. Do mundohem t’ua paraqes realitetin.

Porosia juaj për femrat, qofshin të famshme apo jo….

Shkëndije Mujaj: Porosia ime për të gjithë femrat është: feja islame nuk erdhi të na e vështirësojë jetën ne, por të na e lehtësojë se çdo gjë çfarë është urdhëruar nga Allahu, është për të mirën tonë, paçka që ne nuk e kuptojmë fillimisht. Kur unë pata dalë para 10 viteve me deklaratën që i arrita format e mia përmes sportit, askush nuk më besoi. Pastaj e provuan dhe u bindën. Tani e kam edhe një mesazh: Provojeni vetë. Nëse nuk do gjesh lumturinë që je duke kërkuar ndër vite, eja më kërko mua. E provuar dhe aprovuar 1 milion për qind, garantoj.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al