Karakter mbi karakteret do të mund ta konsideronim aktorin e njohur Amos Zaharia, pasi duke depërtuar nga një lëkurë në tjetrën në teatër e kinema, ajo që mbetet dominuese është vetë natyra e tij prej një djali special.
Për shpirtin e lirë, mendjen e hapur dhe çdo sekret të djalit të Yllka Mujos e profesorit Gjergj Zaharia, vëllait të Elias e kunatit të Princit Leka II, Amos rrëfehet në këtë intervistë të çlirët për “Panorama Plus”.
Nga hera jote e parë si aktor në një film e deri sot kanë kaluar 20 vjet. Si i ke përjetuar këto dy dekada nga pikëpamja artistike, je bërë ai që kishe ëndërruar?
Dy dekada, në fakt, nuk janë pak. Le të themi që kam patur shansin që të eksploroj shumë dimensione njerëzore nëpërmjet roleve, me të cilat më është dashur të merrem. Që pas filmit të parë “Vals”, m’u krijua dëshira për t’u marrë me aktrim. Sot jam 34 dhe mund të them që ëndrra e atij 14-vjeçari naiv, është bërë realitet.
Ke pasur ndonjë model aktori në mendjen tënde që të ka inspiruar dhe si do ta përshkruaje veten si artist nëse do ishe dikush tjetër përballë vetes?
Kurrë nuk më ka pëlqyer t’i ngjaj njërit apo tjetrit. I kam parë me admirim aktorët e talentuar të ekranit të argjendtë, por kurrë me idenë që ndonjëri prej tyre do të ishte modeli, pas të cilit do të kisha dashur të krijoja modelin tim. Mendoj fort se ajo që e bën një artist unik është pikërisht origjinaliteti i tij. Kështu që unë, me modesti, jam përpjekur, përpiqem dhe do të vazhdoj të përpiqem të krijoj personazhe bazuar në forcën time krijuese. Nëse do ta shija Amosin nga jashtë, do mendoja që është një aktor që bën kapërcime nga një rol te tjetri.
Nga roli te “Legjenda e Bastunit” i Xhoslin Ramës, më pas te “H.O.T” i Ermal Mamaqit e deri “Dashuri & Turbulenca”, si transformohet Amos nga një karakter në tjetrin?
Jo, nuk besoj se kam pasur vështirësi. Me këtë nuk dua të them që nuk është kryer punë. Por janë shumë rrethana që të ndihmojnë që të arrihen kapërcime nga nje personazh te tjetri. Është pikësëpari skenari, rrethanat, kostumet, epoka në të cilën ndodhin ngjarjet etj.
Është e vështirë të dalësh nga një lëkurë personazhi e të hysh te një tjetër, çfarë ndodh në psikikën tënde dhe a ndodhin dëme?
Sa i përket psikikës sime, nuk ka asnjë dëm kolateral. Jam mirë, faleminderit!
A mund të na përshkruash rolin në secilin produksion ku ke përjetuar dramën në palcë?
Te “Legjenda e Bastunit” kam një skenë, të cilën nuk e përmend dot ende, por në atë skenë më është dashur të kem një goditje të fortë emocionale.
Po shfrenimin e mendjes kur e përjetuar?
Për sa i përket shfrenimit të mendjes, mbase te “Dashuri & Turbulenca”, sepse personazhi përballet me një ngarkesë të konsiderueshme.
Duke pasur parasysh shfaqjen “Don Kishot” nga Miguel de Cervantes ku ke luajtur para pak vitesh. Ndodh që ndihesh një Don Kishot në kohën që jeton apo më shumë mulli ere, ku përplasen shumë Don Kishotër te ty?
Ndihem si Don Kishot posi! Dhe është për të ardhur keq. Por në fund të ditës është çështje karakteri. Unë jam shumë pak natyrë pragmatiste, mund të kisha bërë shumë kompromise në jetë dhe të isha në një krejt tjetër pozicion. Por unë zgjodha ëndrrën. Dhe jam i sigurt që ata që ia kanë shitur shpirtin djallit, në dukje mund të të krijojnë përshtypjen që e kanë fituar betejën, por nuk është kështu, ata, jetojnë në burgje të florinjta, por gjithsesi burgje.
Nëse Shqipëria do të ishte monarki kushtetuese ku kreu i shtetit do të ishte kunati yt, Princ Leka II. Si do të ishte jeta jote? Do mund të ishte një aktor me shpirt të lirë si tani apo një person i protokolluar me axhendë, shërbëtorë e princesha në radhë për të flirtuar?
Në absolut ky që jam. Lirinë time nuk e ndërroj me asgjë në jetë.
Po nëse do të ishte pjesë e kastit të një filmi për Mbretin Zog, do të kishe pranuar të bëje mbretin Zog apo dikë tjetër nga dinastia, duke qenë se po ta mendosh duket sikur ngjan pak me Zogun?
Patjetër dhe do kishte qenë një nder dhe privilegj shumë i madh për mua. Të kesh shansin të rikthesh në jetë një figurë aq të ndritur si Ahmet Zogun, është gjithashtu edhe një përgjegjësi shumë e madhe.
Në familjen tuaj dominojnë artistët. Por çfarë mësimi të ka dhënë secili prej tyre për jetën, babai profesor, nëna aktore dhe motra showgirl, Elia?
Babai më ka mësuar disiplinën dhe rigorozitetin. Nëna, pasionin, ndërsa motra entuziazmin dhe qejfin për t’iu futur sfidave në jetë.
Një djalë si ty me prindër të divorcuar mendon se ka fituar dimensionin e familjes jashtë kornizave klasike që të imponon tradicionalja?
Patjetër. Për mua familje quhet ajo që është prezente në të mirë dhe në të keq. Pak rëndësi ka nëse prindërit kanë bërë divorc. Në familjen tonë, veshi dhe zemra janë më të rëndësishme se gjuha.
Në këtë aspekt, cila është formula që ti di për dashurinë e pakushtëzuar?
Për mua dashuria e pakushtëzuar është një dimension, për të cilin po punoj prej vitesh. Le të themi që është një projekt shumë afatgjatë.
Në jetën tënde ka ndodhur që ke ndjerë kompleksin e Edipit për nënën apo këndvështrimin frojdist të “vrasjes së babait” dhe në ç’raste?
Kur isha i vogël, i lutesha mamasë sime: të lutem mami, mos u rrit, që kur të rritem unë, martohemi bashkë! Ky ka qene kulmi i kompleksit të Edipit që kam përjetuar. Sa i përket vrasjes së babait, në fakt për mua nuk mjafton, duhet vrarë edhe nëna. E them këtë nuk diskutohet në kuptimin metaforik, në sensin që, nëse do me të vërtetë të rritesh, është e domosdoshme që të vrasësh prindërit në mënyrë që të përballesh vetë me sfidat e jetës. Ata do të jenë gjithnjë aty për të të mbrojtur. Por pikërisht kjo mbrojtje është rreziku më i madh, sepse nuk të lë të zhvillohesh.
Të jesh monogam apo poligam, besnik i shpirtit, mendjes e trupit të dikujt apo besnik i dëshirave të tua. Për botëkuptimin tënd si Amos a është e mundur e para apo e dyta?
Mendoj është me epoka. Në rini mbase njeriu do të eksplorojë sa më shumë dhe t’i ketë opsionet e hapura. Më pas vjen një pikë kur njeriu në mënyrë që të krijojë një familje duhet medoemos që ta përqendrojë energjinë e tij në një pikë. Në gjithë botën, Don Zhuanët e vërtetë nuk janë as modelët dhe futbollistët, por aktorët.
Nëse do të flisnim për “50 hijet e Amos”, ti e ke më të thjeshtë të frenosh zemrën brenda kraharorit apo organin poshtë pantallonave?
Nuk do ta konsideroja veten aspak si një Don Zhuan. Po të kthej kokën pas, do shoh disa lidhje disavjeçare me njërën apo tjetrën vajzë. Për mua, nëse nuk ngacmohet truri pikësëpari, të tjerat as që e marrin mundimin.
Për ty cili është imazhi i përkryer i femrës që të bën të biesh kokë e këmbë brenda me të dhe nëse të ndodh, çfarë hapash hedh ti me të?
Femra ideale për mua nuk ekziston dhe pikërisht për faktin që nuk ekziston është ideale. Njeriu dhe raportet njerëzore janë një konsum i vazhdueshëm. Dhe për aq kohë sa një raport konsumohet gradualisht, konsumohet edhe admirimi që kemi për tjetrin, në kuptimin që nuk na duken më si perëndesha të Olimpit.
Shumë aktorë të Hollywood-it deklarojnë varësi nga alkooli, drogërat apo bixhozi. Pse ndodh kjo në botën tuaj dhe ti a ke një varësi të tillë apo të ngjashme e nëse jo si e kompenson?
Ka shumë arsye. Të jesh aktor Hollywood-i duhet të jetë një presion shumë i madh. Ndryshe nga këtu që nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe. E ndoshta ai presion ka nevojë të shkarkohet diku. Personalisht nuk kam probleme me substanca. Kur kam qenë adoleshent, kam abuzuar pak, por si të gjithë mendoj!
Nisur nga emri yt i Profetit Amos, nëse do të ishe i dërguari i Zotit çfarë paralajmërimi do i bëje njerëzimit për të ardhmen?
Ruhuni nga vetja!
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al