16 Maj, 2022

Nga Vatikani tek “Louvre”/ Debatet e ashpra për xhirimet në vendet e ndaluar, “Picasso” e binjakëve dhe Elgit Dodës ‘pret’ vetëm reagimin e Borës


 

“Picasso” është kënga e Donald e Romeo Veshaj që në bashkëpunim me Elgit Dodën sollën pak javë më parë. Publiku menjëherë e mirëpriti hitin që aktualisht ka më shumë se 4.8 milion klikime.

E ndonëse fansat e lidhën këtë këngë me një mesazh për Bora Zemanin, duket se ‘problemet’ kanë nisur tani për artistët. Vëllezërit Romeo dhe Donald Veshaj, bashkë me këngëtarin Elgit Doda janë paditur nga avokati Esmerald Xhafa. Padia vjen pasi realizimit të videoklip të tyre të fundit në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Sipas avokatit, gjatë xhirimeve të videoklipit, janë dëmtuar afresket e ekspozuara në Muze nga blici dhe drita e përdorur. Në një deklaratë për gazetarët, ai u shpreh se prokuroria duhet të marrë kamerat brenda muzeut për të vlerësuar dëmtimet e shkaktuara nga veprimet e këngëtarëve brenda institucionit.  Xhafa tha se “në muze është e ndaluar të fotografosh, jo më të bëhen ato lloj skenash ku dihet çfarë teknologjie është përdorur”. Edhe pse debati ka vijuar për disa ditë, personazhet e “Picasso” kanë zgjedhur të heshtin lidhur me padinë nga ana e avokatit. Por duket se artistët shqiptarë, nuk janë të vetmit që janë polemizuar lidhur me ekspozimin publikisht të veprave të artit, apo afreskëve.

 

Vetëm pak ditë më parë një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me aktorin, Jason Momoa. Aktori postoi foto poshtë pikturave të famshme të Michelangelo në “Kapelën Sistine”, që zbukurojnë muret dhe tavanet më 9 maj. Në mbishkrim, ai shkroi, “Të DUA ITALI, sa një fillim i bukur i ditës sonë të pushimit duke shijuar Romën”. Por fansat e pakënaqur vunë në dukje shpejt në komentet se vizitorëve zakonisht u ndalohet të bëjnë foto ose video. Menjëherë ylli i “Aquaman” Jason Momoa kërkoi falje në Instagram për fotot në “Kapelën Sistine”. Momoa, 42 vjeç, është aktualisht në Romë për xhirimin e filmit “Fast X”, episodi i 10-të në sagën e filmit “Fast & Furious”.

Të shtunën, Momoa postoi një video tjetër në të cilën ai trajtoi polemikën- pas një momenti të shkurtër stërvitjeje. “Është dita ime e fundit në Romë dhe unë thjesht të dua ty dhe Italinë”, tha ai pasi vendosi shtangat. “Nëse keni menduar ndonjëherë se nuk kam respektuar kulturën tuaj, nuk ishte ky qëllimi im.” Ai përmendi se kishte vizituar më parë Vatikanin dhe Kapelën Sistine kur ishte 19 ose 20 vjeç. Për udhëtimin aktual, ai dha një “donacion” në mënyrë që miqtë dhe anëtarët e ekuipazhit të filmit t’i bashkoheshin atij në ditët e pushimit nga xhirimet. “Fast X.”

“Kam zbuluar se njerëzit me të vërtetë donin të bënin foto me mua”, tha ai. “Isha shumë i respektueshëm dhe kërkova leje për atë që mendoja se do të ishte në rregull. Nuk do të doja kurrë të bëja asgjë për të mos respektuar kulturën e dikujt. Kështu që kërkoj falje.” “Pagova patjetër për të pasur atë moment privat dhe dhashë një donacion të bukur për kishën”, shtoi ai. Videoja e faljes kishte arritur pothuajse 3 milionë shikime që nga mëngjesi i së dielës.

Me gjasa Romeo, Donaldi dhe Elgiti janë frymëzuar nga VIP-at ndërkombëtar për të xhiruar në vendin e mbrojtur me ligj. Kujtojmë se vite më parë, një debat, edhe më i gjerë përfshiu publikun, kur Beyonce dhe Jay-Z xhiruan klipin e tyre, “Apeshit” në muzeun “Louvre”.

Kritikët e artit ‘shpërthyen’ me akuza për çiftin e famshëm, duke u shprehur se video e klipit ekspozonte disa nga kryeveprat botërore të artit, që është e ndaluar t’i fotografosh, e jo më të xhirosh klipe. Megjithatë, gjatë asaj periudhe, vetë muzeu, reagoi duke thënë se ka ndodhur në disa raste, kur ambientet e Muzeut janë marrë në disa raste me qira për produksione të ndryshme. Gjatë realizimit të klipit “Apeshit”, muzeu u mbyll për vizitorët dhe besohet se çifti i njohur pagou rreth 17.5 mijë dollarë për 6 minuta xhirime.

Dhe nuk mund të linim pa përmendur, ndoshta edhe rastin më flagrant, që vetë Vatikani e ka ndaluar. Flasim për Madonnën, e cila në vitin 1989 solli këngën “Like a Prayer”.Videoja e yllit të popit, e cila u ndalua nga Vatikani, shfaqi këngëtaren duke kërcyer përpara kryqeve të djegur, duke përjetuar dhe duke puthur një burrë, si “Jezusi” të zi që merr jetë në një kishë. Mendojmë se ky përshkrim mjafton për të imagjinuar ‘furtunën’ e reagimeve që kjo video solli, duke ‘detyruar’ Vatikanin të reagonte i pakënaqur për videon të cilësuar ‘skandaloze’.

Duket se të frymëzuar nga artistët ndërkombëtarë, edhe binjakët së bashku me Elgit Dodën kanë marrë ‘guximin’ të xhironin në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Ndonëse avokati Esmerald Xhafa ka konkretizuar padinë e tij, ata ende nuk kanë zgjedhur të reagojnë, duke mos sqaruar ndjekësit dhe publikun, nëse për realizimin e klipit është kryer procedura e rregullt.

Megjithatë një fakt është i pakundërshtueshëm: Fansat e shumtë të tyre, neglizhuan faktin se xhirimet ishin bërë në një vend të mbrojtur, por u fokusuan tek mesazhi që Donaldi i kishte përçuar Borës mes rreshtave të tij. E ndonëse për ‘kolegët’ e tyre nëpër botë, në të tilla raste ka pasur reagime të bujshme,  për “Picasson” e djemve tanë, nuk reagoi as Bora.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al