19 Mars, 2022

Një shqiptar gjen kuletën me 2 mijë dollarë të Meryl Streep, gazetari i CNN-it u tregon të gjithëve se çfarë bëri ai


Një ngjarje interesante me protagoniste aktoren me famë botërore Meryl Streep dhe një shqiptar nga Kosova ka marrë vëmendje së fundmi.

Teksa po shkonte në studiot e gjigantit CNN, aktores aksidentalisht i ka rënë kuleta e cila kishte dy mijë dollarë (1,800 euro). Dhe kuletën e saj e ka gjetur një shqiptar nga Kosova, i cili e ka dorëzuar menjëherë atë te autoritetet, për t’ia dërguar më pas aktores Streep.

Lajmin e bëri të ditur gazetari i njohur i CNN-it, Bill Weir, përmes një statusi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

“Një djalë i ëmbël nga Kosova që punon në ndërtesën time vuri re një portofol në rrugë një natë me 2000 dollarë (1,800 euro) në të. Ai kontrolloi ID-në dhe ishte e Meryl Streep. “Babai im gjithmonë thoshte se nëse gjen diçka që nuk është e jotja, nuk është e jotja”. Ai refuzoi një shpërblim mirëpo Meryl insistoi. Njerëz të mirë”, shkroi Weir në Twitter.

 

Meryl Streep është një nga aktoret më të mëdhaja të Hollywoodit. Ajo ishte në qendër të vëmendjes edhe këtë vit, duke qenë protagoniste në atë që u shqua si një prej filmave më të shikuar të vitit dhe të platformës Netflix në histori, “Don’t Look Up”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al