17 Mars, 2022

Njihuni me Karolina Bielawska, 23-vjeçaren polake e cila është shpallur ‘Miss World’


Karolina Bielawska është përfaqësuesja e dytë nga Polonia që arriti të rrëmbejë kurorën e ‘Miss World’.Karrierën e modelingut e nisi në moshën 14-vjeçare, kur mori pjesë në konkur sin Elite Model Look dhe fitoi vendin e dytë. Që atëherë ajo ka nënshkruar në agjenci të ndryshme prestigjioze modelimi, madje ka ecur edhe për Javët e Modës.

Karolina, 23-vjeç,është e diplomuar për bachelor në menaxhim, ndërsa ndjek edhe një diplomë master në biznes. Ajo shpreson të bëhet një prezantuese televizive dhe folëse motivuese në të ardhmen. Në bloget e saj të ‘Miss World’ ,Karolina shkroi se udhëtimet janë pasioni i saj më i madh. Ajo kënaqet me notin, zhytjen në skuba dhe të luajë tenis.

“Të shijosh botën dhe bukurinë e saj më sjell shumë gëzim. Zbulimi i vendeve të reja, takimi me njerëz të rinj dhe të mësuarit për kulturën e tyre e bëjnë jetën time më të plotë”, tha ajo.

Për sa i përket tre karakteristikave që e përshkruajnë atë më së miri, ajo përmendi “e hapur”, “pasionante” dhe “pozitive”. Dhe nëse do të bëhej aktore, projekti i saj i ëndrrave do të ishte me yllin e Hollivudit, Margot Robbie.

“Kam dëgjuar shumë herë që i ngjaj asaj, kështu që do ta zgjidhja atë për të parë nëse është e vërtetë, si dhe do të ishte e mrekullueshme të takohesha dhe të mësoja nga kjo aktore e mrekullueshme,” tha Karolina. Missi tregoi se u përqendrua në fushatat bamirëse gjatë postit të saj si Miss Polonia 2019.

 “E dija se më jepte një mundësi për të arritur audiencë më të madhe, për të frymëzuar dhe për të udhëhequr me shembull. Kjo është arsyeja pse vendosa të angazhohem në shumë aksione bamirësie, të mbështes fondacione dhe thjesht të përpiqem të jem një person më i mirë.”- tregoi bukuroshja.

Karolina gjithashtu ka folur dhe për miqësinë që krijoi me konkurrentet e tjera: “Krijimi i miqësive me kaq shumë shpirtra të bukur nga pjesë të ndryshme të botës është përvoja më e vlefshme. Më lejoi të mësoja shumë prej tyre dhe më pasuroi jetën me ndjeshmëri, mirëkuptim më të mirë, dashuri dhe shumë të qeshura. Kam mësuar se të gjithë jemi të barabartë në faktin se të gjithë jemi të ndryshëm”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al