I njohur për baladat kushtuar dashurisë, këngëtari Ylli Limani zgjedh të vijë me një rrëfim ndryshe për publikun.
Në një intervistë të dhënë për gazetarin, Berat Buzhala artisti ka treguar historinë e suksesit të tij.
I etiketuar si “Ylli i Prishtinës” këngëtari tregon se muzika ishte ajo çfarë e bënte të veçantë që në moshë të vogël.
“Mënyra ime për tu shkëputur nga fëmijët e tjerë ishe muzika arratisesha dhe këndoja, po të them të drejtën gjithmonë më dukej vetja më i veçantë se të gjithë fëmijë e tjerë.
Mbaj mend disa filmime ku jam unë i vogël dhe dal këndoja pa turp, ka pasur disa raste kur nuk kishim energji elektrike e më drejtoheshin mua: Dil Ylli na këndo për mysafirët..”
“Unë kam një motër edhe një vëlla ata janë shumë më të mirë se unë, janë të urtë un se di nga kam ngjarë por jam disi më ndryshe e kam sjelljen sikur të isha një fëmijë i vetëm (i përkëdhelur).”
Ylli u ndal edhe tek marrëdhënia me familjarët ku tregon se raportet më të ngushta i mban me të atin, i cili i ka shkruar edhe një këngë të titulluar “Ndjenjë”.
“Raportet e mija me babin janë shumë të mira ai më ka bërë një këngë por nuk e kam publikuar sepse atij nuk i pëlqen se si un e këndoj, ai ka qejf që un të këndoj me nota më poshtë.
Kënga quhet “Ndjenjë” edhe disa vargje janë:
A e din atë ndjenjë kur shpirti të dhemb
A e din atë ndjenjë kur fjala të shemb
E kupton atë çast kur mbetesh pa fat
E kupton një ditë kur zgjohesh kot….
Po babi im tani po ti jepet mundësi më largon nga muzika më thotë disa herë ke mendje të kryesh fakultetin masterin, doktoraturën.”- tregon ai
Edhe pse gjithmonë di si të përcjell energji pozitive, Ylli tregon periudhën më të vështirë që ka kaluar duke iu referuar kohës së Pandemisë Covid-19, Ylli shprehet se: Jeta ime u nda para pandemisë dhe pas pandemisë. Unë kam “vdekur” në pandemi dhe u ringjalla pas saj, ishte një periudhë thyerje ulesha në tavolinë dhe mendoja kush jam unë tani që nuk këndoj, nuk kam projekte, fitime, xhirime..”
Duke shfrytëzuar hapësirën e intervistës Ylli zgjedh të jap edhe mesazhe, kur tregon për suksesin e tij i cili i ka sjellë përfitime të mëdha monetare artisti tregon se asnjëherë nuk ndihet i përmbushur nga paratë dhe postimet në rrjete sociale janë vetëm një shkëlqim i përkohshëm.
“Unë kam pasur fat të kem pasuri që në moshë të re po kjo nuk do të thotë që ndihem i përmbushur sepse kurrë sa do para të kesh nuk do të jesh më i lumturi gjithmonë do të mungoj diçka. Njerëzit kanë një mendim shumë të keq për njerëzit e pasur sepse gjykojnë me terma të tillë si :Ti merresh me këtë, ti e sigurte që ke diçka të pistë por jo kjo është gabim shumë gabim, sepse ka njerëz që kanë luftuar për të arritur aty. Sa i përket pasurisë jam i pari në familjen që jam edhe biznesmen por nuk kam investuar akoma në diçka, toka ose aksione sepse nuk kam eksperiencë të tillë në biznese nuk kam as familjarë të cilët të më udhëzojnë.”- shprehet Ylli
I pyetur se çfarë e pengon më shumë në shoqërinë tonë artisti shprehet:
Ankesat, në mentalitetin tonë nuk më pëlqen se vetëm ankohen për çdo gjë. Unë mendoj diçka që lidhet edhe me historinë e shtetit të Kosovës njerëzit atëherë kanë të drejtë të shprehen se nuk ja dola dot sepse kishim armikun që na sundonte, por ja erdhi liria tani ke lirinë të ndjekësh ëndrrat e tua dhe të punosh fort, por jo ka nga ata që vetëm ankohen dhe justifikohen duke mbushur edhe brezat e rinj me atë frymë. E thash as unë nuk i kam pasur mundësitë të isha këtu ku jam, babain nuk e kisha biznesmen asnjë gjë nuk e kam gjetur të gatshëm, e vetmja ndihmë financiare që prindërit e mi më kanë dhënë është 700€ për këngën realizimin e këngës time të parë “Lart mbi yje”.
Ylli u ndal edhe tek një përjetim i cili për të dhe familjen Limani cilësohet i dhimbshëm rasti kur humbën macen e tyre të quajtur ‘loki’.
Si një dashamirës i kafshëve Ylli tregon se ishte mërzitur shumë dhe e kujtonte si traumë edhe pse me doza humori rrëfen se shoqëria dhe mediat e kishin përkthyer si “funny” humbjen e kafshës së tij.
Ylli njihet në estradën shqiptare si artisti i baladave, ku ndër më të bukurat e viteve të fundit mbajnë autorësinë e tij, por a vinë këto tekste pasi ai është i lënduar nga dashuria këngëtari përgjigjet kështu:
“Po jam lënduar, por jo në përmasat e këngëve të mija sepse unë i shtoj edhe atë “dorën artistike”.
Ose janë edhe histori të shoqërisë time që unë i ‘përdorë’ ndjenjat e tyre në tekstet e mia.
Tani nuk po vuaj, jam mirë.
Gjatë intervistës Ylli zbulon se e meta e tij më e madhe është monologu me veten.
“Mënyra se si i flas vetes time është e tmerrshme, qortimet, kritikat gjithashtu edhe kam një inat shumë të fortë kurrë nuk e harroj diçka që dikush më bën. Mundohem të bëhem tolerant por e kam të vështirë.
A je besimtar?
Po jam, besoj në zot, nuk jam shumë fetar por besoj në ekzistencën e një force të madhërishme.
Sivjet ishte edhe vitit i parë që unë kam agjëruar gjatë gjithë muajt të Ramazanit.
Artisti e mbyll intervistën e tij duke folur mbi raportet me publikun shqiptar dhe me Shqipërinë ku shprehet se shpesh mendon të shpërngulet në Tiranë duke përgëzuar shtetin shqiptar për aktivitetet kulturore që zhvillon.
“Do kisha dashur që edhe Kosova të zhvillonte aktivitete të tilla sepse i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme. Ne artistët kosovarë jemi më të angazhuar me koncerte në Shqipëri se sa në vendin tonë”-shprehet artisti
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al