19 Korrik, 2021

Olta Daku si “Nina” 40-vjeçare në kërkim të partnerit, skenaristja e serialit më të ri rrëfen rastësinë e habitshme me hit-in e Florit


Ajo quhet Nina, ka emrin më të thjeshtë në botë, por jetën më të komplikuar të mundshme, pasi është një 40-vjeçare plot humor dhe të gjithë janë vënë në kërkim të partnerit të saj të jetës.

Olta Daku nën lëkurën e personazhit të saj tipik të vitit 2021, do të jetë protagonistja e rrethuar nga një kast aktorësh të njohur, që po përgatiten për sezonin e parë të serialit të ri televiziv me 10 episode “Nina”, e që nis transmetimin në shtator në RTSH.

Skenaristja e serialit “Nina”, Raelva Shabanaj, rrëfen për “Panorama Plus” historinë e zhanrit socialdramë-humor që do rrëfehet në serial, si u ndje kur dëgjoi hit-in me të njëjtin titull “Nina”, të Flori Mumajesit, Brunos e Klajdi Harunit, dhe arsyeja pse grumbulloi këtë kast, që rikthen në kinema edhe Raimonda Bulkun.

Si lindi ideja për të shkruar këtë serial televiziv me titull “Nina” dhe cila është epiqendra që vë në lëvizje ngjarjet?

Raelva Shabanaj: Në qendër të këtij seriali që nis transmetimin në shtator në ekranin e RTSH-së, është personazhi kryesor Nina, që luhet nga aktorja Olta Daku. Nina, një vajzë e zgjuar, aq sa edhe e ngathët, me asnjë filtër në trurin e saj për çdo gjë që mendon dhe thotë, me një sinqeritet gati naiv, do të bëhet lehtësisht e dashur për publikun. Ndodhur në vorbullën ku familja dhe shoqëria e saj tentojnë vazhdimisht të gjejnë një partner për të, Nina kjo 40-vjeçare e këndshme, përpiqet nga ana tjetër të përshtatet, duke futur humor në çdo rrethanë që i ndodh.

Po personazhet që e rrethojnë çfarë historish mbartin me vete?

Raelva Shabanaj: Në fakt, edhe miqtë e saj nuk mbeten pas, pasi secili ka karakteristikat e veta dhe të gjithë bashkë, dikush në kërkim të një pune, dikush në kërkim të dashurisë, dikush tjetër mjaft i realizuar, ndërthurin këtë mozaik social, me humor të hollë në dramat e së përditshmes së secilit. Mirë apo keq, të gjithë personazhet janë të përkushtuar ndaj njëritjetrit dhe janë gati të bëjnë çdo gjë të mundshme për të kaluar dhe situatat më të sikletshme.

Historia është e ditëve të sotme apo jo, duke qenë se jetojmë në epokën virtale të jetës live?

Raelva Shabanaj: Po, ngjarjet zhvillohen në këtë vit që jemi, 2021, në Tiranë dhe mund të themi që do të jetë seriali i parë që do të prekë jo vetëm situatën e pandemisë, në të cilën globalisht po jetojmë, por edhe probleme të tjera lokale, që përballet secili nga ne në një ditë të zakonshme.

Cilët janë aktorët që do të shohim bashkë me Olta Dakun?

Raelva Shabanaj: Aktorët e tjetër të përzgjedhur në këtë kast janë: Rajmonda Bulku në rolin e mamasë së Ninës, Olta Dakut; Besmir Bitraku në rolin e shokut të ngushtë; Erjona Kakeli në rolin e vajzës së tezes së Ninës, e cila gjithashtu është një punonjëse në bashki, e korruptuar. Renada Caci në rolin e shoqes së Ninës. Roza Lati gjithashtu në rolin e shoqes së Ninës, është e bija e një gjykatësi. Ismail Shino në rolin e banakierit/kamarierit të lokalit ku mblidhen gjithmonë. Igli Zarka në rolin e shefit të Ninës, nëndrejtor bankë. Gjithashtu, aktorë të tjerë luajnë në role episodike.

Si skenariste çfarë të frymëzoi për të shkruar këtë histori reale, por edhe komplekse?

Raelva Shabanaj: Ideja lindi në bazë të kërkesave të tregut për një prodhim në formatin e serialit. Në vendin tonë për fat të keq kanë munguar produksione të tilla. Pastaj pas gjithë asaj çfarë kaluam dhe po kalojme ende në fakt për shkak të pandemisë, menduam se një komedi do të lehtësonte sadopak gjendjen mendore që na la për pasojë kjo situatë. Të gjithe jemi të vetëdijshëm sesa të ngarkuara janë televizionet, platformat etj., me lajme politike, tragjike, seriale turke e drama. Kështu menduam që pse të mos ofrojmë një serial social-komik shqip, që kishte vite që i mungonte ekranit në vendin tonë.

Kur shkruaje skenarin, kishe parasysh aktorët përkatës, apo në bazë të kastit ndërtove situatat dhe batutat?

Raelva Shabanaj: Disa nga miqtë e mi janë aktorë tashmë të afirmuar dhe ndërkohë që po e shkruaja skenarin e serialit, e dija mirë se çfarë fjalësh, batutash, situatash komike i rrinte gjithësecilit. Kështu filloi përzgjedhja e disave prej tyre, të cilët në fakt kanë qenë të parët që më kanë përkrahur dhe nxitur për ta bërë fakt këtë projekt.

Ndërkohë, kasti u plotësua me aktorë të tjerë me ndihmën e regjisorit Fatos Berisha dhe bashkëpunëtorëve tanë. Mendojmë se kemi zgjedhur ndër aktorët më të mirë në vend midis brezave të ndryshëm. Kemi bërë një punë të madhe në një periudhë shumë të vështirë, dhe urojmë të pëlqehet ky sezon i parë i serialit.

Ndërkohë, një “Nina” tjetër është bërë virale këtë verë, pasi i këndojnë Flori Mumajesi, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ka ndonjë lidhje mes dy “Nina”-ve tuaja, dhe si u ndjeve kur e dëgjove?

Raelva Shabanaj: Jo, fare. S’ka asnjë lidhje pasi demo e serialit tonë është bërë vjet në korrik, pra, shumë më përpara se të dilte kënga. Si u ndjeva? Më erdhi për të qeshur kur pashë titullin e këngës, që përkonte me personazhin tonë kryesor.

Po pse hyri ky emër në biznesin e artit, ka ndonjë sekret suksesi pas tij?

Raelva Shabanaj: Duke qenë se vetë kam emër të komplikuar, gjithmonë më kanë tërhequr emrat e thjeshtë dhe të shkurtër. Prandaj më erdhi shumë natyrshëm, si emër, pa asnjë ide marketingu bashkangjitur.

Duke qenë se “Nina” e “Threedots” u bë hit në kohë rekord, mund të jetë kjo këngë kolona juaj zanore?

Raelva Shabanaj: Jo. Seriali ka kolonën e vet zanore, sigurisht me prodhime shqip. Madje mund të përmend disa prej tyre si: Asgjë sikur dielli, Dren Abazi etj.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al