Olta Gixhari ka dhënë lajmin e bukur nga Spanja, ku është karantinuar me të dashurin në shtëpinë e tij, se ajo së shpejti do të bëhet nënë. “Mom and Dad”, shoqëruar me tri zemra të kuqe, ishtë statusi në profilin e saj në “Instagram”, me të cilin aktorja ka shoqëruar foton ku shihet e shtrirë në breg të detit, duke u puthur plot pasion me të dashurin misterioz.
Artistja menjëherë ka marrë urimet për lajmin e bukur se ajo është shtatzënë dhe pret të bëhet nënë për herë parë, duke zgjedhur një mënyrë shumë unike për ta dhënë këtë lajm, tashmë që njerëzit anembanë botës po dalin nga karantina për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vitin që lamë pas, Olta rrëfeu se është në një marrëdhënie të bukur me një djalë shqiptar që jeton në Spanjë dhe se kishte bërë plan të martohej këtë vit gjatë një ceremonie private, që kishte menduar ta organizonte në Spanjë. Gjatë periudhës së izolimit, Olta, e lumtur që karantanimi e gjeti pranë të dashurit, bëri disa lidhje me skype me televizionet shqiptare, duke rrëfyer nga momentet e bukura duke i gatuar partnerit e deri tek ato stresuese kur dilte në rrugë dhe policia i kërkonte detaje të hollësishme edhe kur shkonte në market.
Po si qëndron e vërteta e lidhjes, që po bën nënë Olta Gixharin?
Aktorja e njohur pranoi se është në një lidhje dashurie dhe se këtë vit do t’i japë fund beqarisë. E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në “Tv Klan” së fundi, e gjendur përballë pyetjeve të fëmijëve se nëse ka dëshirë të lindë një fëmijë, ajo u përgjigj pozitivisht.
Më tej, Alketa Vejsiu e pyeti nëse e ka gjetur “fatlumin” dhe Olta me një buzëqeshje në fytyrë u shpreh me bindje se e ka gjetur. Ajo tregoi planet për shtimin e familjes, duke rrëfyer se dëshiron të ketë një vajzë dhe një djalë, pra dy fëmijë.
“E keni gjetur fatlumin?”, u pyet aktorja dhe ajo e pohoi. Më pas, Alketa Vejsiu vuri re unazën në dorën e saj, duke e pyetur nëse ishte nga partneri.
“Pak a shumë, në ato ujëra jemi”, u përgjigj Olta, duke treguar se ajo dhe partneri po mendojnë të martohen.
Kjo ishte hera e dytë që aktorja e njohur flet për djalin që i ka rrëmbyer zemrën, identitetin e të cilit preferon ta mbajë edhe për pak kohë sekret, pasi edhe tashmë që dha lajmin e shtatzënisë ajo e fshehu me trupin e saj, ndërsa ndodhet sipër tij në rërë duke shkëmbyer puthje pasionante.
Hera e parë që foli për të ishte gjatë emisionit “Siluete” të motrës së saj, Gerta Gixhari. Aktorja zbuloi detaje nga lidhja e saj duke përshkruar të dashurin, ndërsa nuk refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve të njohur në studio. Olta tha se ai ka një ekonomi mesatare dhe jo i pasur, duke u shprehur se ka zgjedhur dashurinë në vend të parave. Gjithashtu shtoi se partneri i saj nuk është artist, pasi nuk do lidhej kurrë me një të tillë.
“Po. Mendoj se kam rënë në një gjendje shpirtërore shumë të rehatshme dhe në një lumturi do të thosha unë. Është me flokë, as brun, as biond. Për mua ka shumë rëndësi të bie në dashuri, sepse nuk jetoj dot me të se fillon më bezdis mënyra si ha, mënyra si i jep makinës, më jep stres të madh. Nuk dua ta stresoj veten time. Jam duke jetuar me një djalë që është me ekonomi mesatare dhe që përpiqemi t’ia dalim të dy dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Nuk është artist, nuk do lidhesha asnjëherë me një artist”, tha ajo.
Ndërkohë, burime pranë artistes kanë treguar se Olta kishte nisur përgatitjet për dasmën, një ceremoni krejtësisht private dhe shumë shpejt të vendoset në Spanjë, vendi ku jeton djali shqiptar. Nuk dihet nëse plani i ceremonisë është shtyrë pas situatës së pandemisë, apo ata do të gjejnë një mënyrë për ta organizuar para se të bëhen prindër.
Vitin e kaluar, aktorja e njohur vendosi të hiqte dorë nga jeta hermetike, për t’u hapur disi në çështjet e zemrës. Ajo zbuloi për të gjithë se nuk është më beqare, ndërsa shfaqej në një video duke kërcyer me bikini. Olta publikoi videon ku dukej shumë e lumtur dhe tregonte se ia ka bërë i dashuri.
“E bërë nga dashuria ime”, shkruante Olta përmbi videon, ku shihej e lumtur si në qiellin e shtatë duke shijuar pushimet me njeriun e saj të zemrës. Direkt nisën aludimet se aktorja ishte duke shijuar një histori të bukur dashurie, por marrëdhënien e saj kishte vendosur ta mbante larg mediave.
Gjithsesi, më vonë e konfirmoi se videoja ku shfaqej mjaft tërheqëse ishte shkrepur nga partneri i saj. Aktorja po e shijon historinë e saj të dashurisë larg syrit të mediave dhe thashethemeve, por për identitetin e partnerit të saj duket se do të na duhet të presim edhe pak. Kujtojmë që në një nga intervistat e fundit, Olta dha një deklaratë kontraverse në lidhje me marrëdhëniet në çift.
“E urrej barazinë gjinore! Dua një burrë që të më bëjë të ndihem femër”, ishte deklarata e saj, ku fliste për ëndrrën që ka për njeriun që do të ndajë jetën.
“Unë i respektoj shumë rregullat e femrës. Nuk më pëlqen barazia gjinore. E urrej barazinë gjinore. Ne duam barazi gjinore të shtrembër, e duam, por lekët burrit ia marrim. Lëre se çfarë themi ne, por çfarë ndodh përreth. E duan, por i pyesin për lekët te banka. Unë dua një mashkull që të jem e varur nga ai jo vetëm financiarisht, por për çdo gjë. Unë kam dëshirë të ndihem femër. Sot janë ngatërruar këto gjëra, po ndërrohen pozicionet, s’po merret vesh kush është femër, kush është mashkull”, ka treguar Olta duke u shprehur se ka nevojë të ketë në krah një mashkull që për shembull, ta shoqërojë kur del, ta ndiejë pranë vetes në çdo moment.
Po sa i përket karrierës, ç’po ndodh me Oltën? Ajo e mbylli vitin 2019 me një rol të bukur në kinema, në filmin “Love”, ndërkohë që paralelisht me aktrimin menaxhon biznesin e saj, një kompani “real estate”.
Nuk dihet nëse Olta do t’i rikthehet aktrimit, pasi partneri i saj nuk e preferon Shqipërinë dhe i ka propozuar ta ndërtojnë familjen në Spanjë.
/Panoramaplus.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al