7 Maj, 2018

Pak para martesës, vajza i shkruan dedikimin më të bukur atit të saj


Nuk ka gjë më të bukur se dedikimet e ndjera dhe sidomos ato të një vajze për prindërit në momentin që do të martohet. Janë çastet më të trishta për çdo vajzë dhe padyshim çdo fjalë e thënë në ato momente, buron nga zemra.

Më poshtë do të lexoni dedikimin prekës për babanë e saj nga një vajzë, e cila do të martohet së shpejti.

“Ba, ti nuk i ngjan askujt tjetri. Je më i miri nga të gjithë. Ti ke besuar gjithë kohës tek unë, më ke mbrojtur, më ke bërtitur, më ke bërë të fortë, por mbi të gjitha, më ke dashur pa kushte. Unë e di se nuk ka mjaftueshëm fjalë për të shprehur ndikimin që ka pasur prania jote në jetën time.

Do ta nis me fëmijërinë time. Unë u rrita me dashurinë tënde dhe me konceptin më të bukur të dashurisë. Të shihja ty dhe mamin sa duheshit dhe dashuria juaj më ka bërë të besoj përherë se ajo ekziston. Dashuria e vërtetë ekziston dhe ky koncept mua më është falur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Jam rritur me idenë se një mashkull duhet të ishte si ty, duhet ta donte dhe ta respektonte femrën që kishte në krahë, sepse në të kundërt, ai mashkull nuk do të kishte asnjë vlerë.

Jam rritur me mësimet e tua dhe me nxitjet e tua për të mësuar sa më shumë. E mbaja mend sa herë më thoshe: “Mëso, pasi vetëm mësimet do të nxjerrin në jetë”. Kishe plotësisht të drejtë. Tani shoh disa nga bashkëmoshatarët e mi të rrinë të papunë rrugëve, ndërkohë që unë përditë marr falënderime nga pacientët që kuroj.

Më ke qortuar ashpër sa herë gaboja, por çdo herë ka qenë e ndryshme. Unë nuk jam qortuar asnjëherë për të njëjtin gabim dhe kjo më ka bërë të mësoj nga gabimet e mia. Tani jam bërë më e matur. Jo se nuk gaboj përsëri pasi askush nuk është perfekt, por e di ta dalloj mirë se çfarë duhet të bëj dhe si duhet ta bëj për të mos gabuar lehtësisht.

Disa ditë më parë, kur mami po fliste për pajën time, të pashë të shkoje në dhomën tjetër dhe të qaje. Nuk doja të të ndërprisja, pasi ti më ke mësuar se të qash do të thotë të lehtësohesh dhe të lashë të pushoje. Ba, unë nuk dua të qash, pasi mua do më kesh përherë pranë. Mësimet e tua i kam të ngulitura thellë në mendjen time dhe kurrë nuk do t’i harroj. Personi që unë kam zgjedhur të kaloj jetën, është dikush që mua më do dhe më respekton, ashtu siç ti më thoshe përherë se duhet të ishte mashkulli perfekt. Ndaj, mos u shqetëso për mua!

Unë do të jem mirë. Dua që dhe ti me mamin të jeni mirë. Do më mungoni, por do të mundohem të flas përherë me ju dhe t’ju takoj sa herë të kem mundësi. Të lutem, mos qaj më! Nuk dua të të shoh të mërzitur.

Të dua shumë!”

Burimi Bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al