9 Mars, 2022

“Pamjet na kujtojmë çfarë kemi hequr ne në Kosovë”/ Edhe vëllai i Shyhrete Behlulit i bashkohet luftës në Ukrainë?


Një shqiptar nga Kosova me emrin Maliq Behluli së fundmi ka shprehur vullnetin që t’i bashkohet ushtrisë ukrainase përballë pushtimit rus që vazhdon prej mëse dy javësh. Përveçse është ndër të parët që merr këtë akt, mediat në Kosovë shkruajnë se ai është vëllai i këngëtares së njohur, Shyhrete Behluli.

Ndërkohë Maliqi ka deklaruar se arsyet që e kanë shtyrë që të marrë një vendim kaq të rëndësishëm, janë thjesht humane. Pasi ka parë pamjet që vijnë nga lufta, por edhe shpresa se pas kësaj lufte Ukraina mund ta përkrahë Kosovën si shtet duke qenë se i bashkon i njëjti fat, ai ka vendosur që t’i bashkohet ushtrisë ukrainase.

“Quhem Maliq Behluli. Arsyet janë thjesht humane. Na kanë prekur këto pamje. Një armik i përbashkët. Krejt shtetet evropiane e kanë përkrahur këtë luftë. Ashtu duam të solidarizohemi. Duke qenë se dihet arsyeja politike. Ndoshta dhe Ukraina do të lëvizë dhe do të na përkrahë si shtet”, u shpreh ai.

Pyetur nëse ka apo jo përvojë luftarake, ai thotë se ka qenë pjesë e shërbimit ushtarak, ndërsa shton se këto pamje që shohin sot në Ukrainë i kujtojnë luftën në Kosovë para disa vitesh.

“Unë gjatë luftës së Kosovës kam qëndruar aty. Përvojën e shërbimit ushtarak e kam. Këto pamje na kujtojmë se çfarë kemi hequr ne në Kosovë”, tha Maliq Behluli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al