Editoriali “Përplasja” në show-n “Portokalli” solli për herë të pare këtë sezon politikanin e njohur dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, karakter që u realizua nga aktori mjaft i talentuar, Ledio Lako.
I veshur me kostum të zi, Ilir Meta i “Portokalli” hyri në skenën e spektaklit me personalitetin e spikatur në editoralin e titulluar “Përplasja”.
Vetë Ledio postoi në “Instagram”-in e tij një foto nga roli, ku mori pa fund komplimente nga miqtë kolegë dhe fansa të tij.
“Më në fund një maksim i Ilir Metës i saktë. Pas kaq shumë vitesh iu gjet imituesi Ilir Metës”, shkruante një komentues.
Një tjetër shkruante: “Mbas 17 vjetësh ‘Portokalli’, gjendet imituesi që paska qenë Ledio Lako”. Ndërsa ish-kolegu i tij i “Portokalli”, Gent Bejko, i shkruante: “Fiks nga pamja, se në të folur nuk bëhet llaf!”, të cilit Lako iu përgjigj: “Ti e di që unë nuk kënaqem kurrë”.
Vetë aktori Lako për “Panorama Plus” u shpreh: “As unë s’e dija që mund ta realizoja”, duke mos e fshehur se ky rol ka ngjallur reagime. Ky është karakteri më i fundit që i shtohet galerisë së personazheve të aktorit të njohur shqiptar të filmave dhe komedive.
Ai ka luajtur në mbi 50 filma dhe skeçe humori. Që nga viti 2005, ai luan edhe në “Portokalli”, disa role si: Kapo, Hekri dhe Melamin Berati, Ramadan Kafsha etj.
Ndërsa personazhi dhe imitimi i Ilir Metës i shtohet galerisë së politikanëve të “Portokalli”, nga Sali Berisha, Lulzim Basha, Edi Rama, Erion Veliaj etj. Ky është sezoni i 35-të i Cabaret Show-t “Portokalli”, i cilësuar si spektakli më i madh i humorit në Shqipëri.
“Portokalli” nuk ka të bëjë aspak me agrumin e njohur “portokalli”, por me ngjyrën portokalli të semaforëve të rrugës. Kjo lidhet me realitetin shqiptar, i cili shpesh duket si një makinë e ndaluar në një semafor të mbetur me ngjyrën portokalli, gjë që nuk e lejon as të shkojë përpara e as të kthehet mbrapa.
Personazhet e “Portokalli” janë njerëz të mbetur pikërisht këtu, në këtë pikë kritike, me hallet e tyre të përditshme, të cilët, siç ndodh në një kryqëzim rruge, përballen me fatet e njëritjetrit. Këtë sezon, timonin e “Portokalli” e mori Filip Çakuli e Bled Laço, ndërsa drejtimin e show-t, Salsano Rrapi me partnere të re këtë here, pikërisht Fjoralba Ponarin.