Ai, një rikthim pas 20 vitesh në “Kënga Magjike”. Ajo, për herë të parë në një festival. Çlirim Denaj dhe Eva Alikaj janë kushërinjtë e parë që i thonë njëri-tjetrit në skenë “Mos më provoko”.
Për “Panorama Plus”, artisti Denaj që thotë se rikthehet në skenë me magjinë e një pengu, rrëfen historinë e duetit me artisten e një gjaku, me të cilën sjell fabulën e dashurisë që bashkon dy zemra në një.
I njohur si “Pirati i zemrave”, muzikanti që gjatë karrierës u ka kënduar përjetimeve personale dhe të të tjerëve, zbulon gjithçka nga jeta e një artisti që në jetë ecën me filozofinë se në art fiton ai që jep shpirtin e tij, pa u krahasuar me askënd…
Për herë të katërt rikthehesh pas 20 vitesh në festivalin “Kënga Magjike”. Ky rikthim nga çfarë ndjesish të ka çliruar, Çlirim?
Çlirim Denaj: Dalja ime për herë të katërt në skenën e “Kënga Magjike” ka një ndryshim shumë të madh si nga trajtimi, edhe nga përzgjedhja e materialeve muzikore. Është rritur shumë konkurrenca dhe seleksionimi është më profesional. Mendoj se dhe unë këtë herë e kam menduar më seriozisht pjesëmarrjen, për faktin se kam vite që jam menduar për të bërë një projekt të veçantë. Kështu i falenderoj që na rizgjodhën përsëri të jemi pjesë e këtij evenimenti të një niveli, ashtu si e ka titullin ky festival magjik.
Në një duet surprizë me aktoren Eva Alikaj, e cila e ka herën e saj të parë në një festival. Çfarë ju lidh të dyve në jetë dhe ç’ju bëri bashkë në një garë muzikore?
Çlirim Denaj: Bashkë me Evën na lidh gjaku, se jemi kushërinj të parë. Por ne na lidh dhe temperamenti, serioziteti dhe përkushtimi për daljen në skenë me dinjitet.
Dy kushërinj që konkurrojnë me një titull provokues, ndërsa i drejtoheni njëri-tjetrit me “Mos më provoko”. Si lindi fabula juaj?
Çlirim Denaj: Për sa i përket titullit të këngës “Mos më provoko”, po jua rrëfej juve! Shpesh, unë shkruaj poezi dhe një ndër këto është dhe ky tekst. Duke vrarë mendjen se çfarë teme duhet të trajtoja për “Kënga Magjike”, m’u duk shumë interesante si fabul dhe si titull… Dy njerëz që janë zhytur në problemet e tyre të jetës, shikohen shpesh me njëri-tjetrin dhe përshëndeten e provokojnë me buzëqeshje njeri-tjetrin. Kjo ndodh deri sa këta të dy, një ditë bashkohen dhe realizojnë atë që quhet bashkimi i dy zemrave në një të vetme. Është ajo që ndodh përherë midis dy vetëve që duhen…!
Si të duket pjesëmarrja në një garë si “Kënga magjike”, ku përveç artistëve BIG, ka shumë të rinj që e dominojnë skenën me herën e tyre të parë? Ndihesh superior apo e kundërta?
Çlirim Denaj: Pjesëmarrjen si artist Big në “Kënga Magjike” unë do ta quaj një eveniment të rrallë për çdo artist. Sigurisht, për të rinjtë është edhe më mbarësi dhe udhërrëfyes për të vazhduar me sukses rrugën e këngës, kur dikush nga të rinjtë seleksionohet në mënyrë shumë profesionale për të hyrë në rrugën e këngës dhe të radhitet tek ata Big. Unë nuk e vë veten time nëpër krahasime. Unë bëj artin tim me mënyrën time të të kënduarit. Publiku ynë është në gjendje ta vlerësojë këtë aspekt. Unë mendoj se çdokush që arrin të këndojë në këtë aktivitet ka veçoritë dhe performacën e vet.
Ndryshimi i formulës së votimit këtë edicion është më i mirë për ty, duke qenë se ka pasur jo pak polemika e hatërmbetje mes artistëve që votonin njëri-tjetrin?
Çlirim Denaj: Për sa u përket votimeve, mendoj se është gjetja më e mirë që mund të jetë për vlerësimin e këngëve nga vetë këngëtaret pjesëmarrës. Hatërmbetje dhe polemika do të ketë përherë, sepse të gjithë punojnë për një qëllim të njëjtë, të paraqiten sa më mirë. Si pjesëmarrës është kënaqësia e madhe kur njerëzit të falenderojnë dhe të përshëndesin për këngën që u ke dhuruar.
Nisur nga kënga jote e famshme “Pirati i zemrave” si pa dashje ti ke marrë këtë titull. Në jetë je një “pirat” i vërtetë zemrash?
Çlirim Denaj: Për sa i përket këngës “Pirati i zemrave”, unë mendoj se të gjithë njerëzit në përgjithësi janë nga pak piratë në dashuri. Na pëlqen e bukura, na pëlqen provokimi, na pëlqen dhe të na provokojnë.
Në muzikë ke bërë pauzë për katër vite, që kur publikove këngën me titull “Topolake”. Të pëlqejnë femrat e kolme, që i bëre muzë të krijimtarisë tënde?
Çlirim Denaj: Po, më pëlqen gruaja ime që është topolake.
Gjithmonë i ke kënduar dashurisë, herë me gëzim dhe herë me vuajtje. Një artist i vërtetë mund të bëjë këngë me dashurinë e vuajtjen e tjetrit, apo duhet ta provojë çdo gjë nën lëkurën e tij për të bërë hit-e?
Çlirim Denaj: Po të mundeni të dëgjoni gjithë repertorin e këngëve të mia, unë i kam kënduar ndjenjës më të bukur, dashurisë, tradhtisë, atdheut, njeriut e problemeve sociale, e shumë temave të tjera. Disa prej këtyre këngëve ndodhen në “Youtube”, pasi unë vërtet u largova nga skena, por jo nga kënga. Nuk kam menduar kurrë për çmime e për hite, por kam kënduar atë që kam ndjerë dhe atë që mua më ka frymëzuar, qoftë nga jeta ime e qoftë nga ngjarje të të tjerëve.
I dashuruar me muzikën dhe skenën, por a ke ndonjë peng në zemrën tënde?
Çlirim Denaj: Po. Më ka ngelur peng pse jam larguar kaq shumë vite nga skena e këngës.