11 Mars, 2022

Pas Gigit, Bella Hadid bën gjestin human, dhuron të ardhurat e saj për qytetarët ukrainas


Para disa ditësh, supermodelja me famë botërore Gigi Hadid ka vendosur të dhurojë të ardhurat e fituara nga Java e Modës shtetit ukrainas. Të njëjtën gjë ka bërë dhe motra e saj, Bella Hadid.

Përmes një statusi në “Instagram” Bella shkruan se do të dhurojë të gjitha të ardhurat e saj nga Muaji i Modës në ndihmë të Ukrainës.

“Të shikosh miqtë dhe kolegët e mi ukrainas duke punuar shumë këtu në Evropë, kaq afër, por kaq larg nga familjet/miqtë/shtëpitë e tyre në Ukrainë, të cilët po përjetojnë një nga pushtimet brutale që po ndodhin tani në botë, është shumë emocionuese dhe përulëse për mua. Rrallëherë kemi kontroll mbi oraret tona të punës dhe kjo javë më ka treguar vërtet forcën dhe këmbënguljen e njerëzve rreth meje që po kalojnë një terror të pastër. Të dëgjosh historitë dhe emocionet e tyre është e dhimbshme dhe unë jam me gjithë zemër me ta në mbështetje. Unë qëndroj përkrah çdo personi që është prekur nga kjo luftë dhe jetët e njerëzve të pafajshëm të cilëve u është ndryshuar përgjithmonë nga duart e pushtetit’’, ka shkruar Bella në Instagram.

Modelja 25-vjeçare tha se në bashkëpunim me modelen argjentinase Mica Arganaraz dhe motrën e saj Gigi, do t’i dhurojnë paratë e tyre në mbështetje të Ukrainës.

“Unë do t’i dhuroj të gjitha të ardhurat e mia nga kjo Javë e Modës drejtpërdrejt për organizatat që ofrojnë ndihmë, strehim dhe ndihmë mjekësore për ata në nevojë në terren në Ukrainë, si dhe do të vazhdojnë të mbështesin popullin dhe tokën tonë palestineze,” shtoi Bella.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al