Të jetosh në mes të Amerikës dhe të ndihesh vetëm, sepse vetmia mund të përjetohet edhe si moment reflekimi mes botës së zhurmshme.
Kjo është historia e Redina Trieshit dhe e kujtdo që gjen veten, e që artistja ka vendosur ta rrëfejë në klipin e saj, ku me imazhin dhe skenat e kuruara të kujton Borëbardhën e kohërave moderne, pa Princ dhe njerëz rrotull.
“Vetëm”, është klipi që rikthen në Shqipëri në një stil shumë të veçantë talentin nga Lezha të “Gjeniut të Vogël”, e cila vjen si kantautore me disa projekte dhe frymë krejt të re, e inspiruar edhe nga shkolla amerikane e kompozimit.
Pas disa eksperiencash në garat shqiptare dhe “100 vjet muzikë” që nga 2008-ta, Redina na zbulon disa sekrete se si të qëllojë në shenjë me një këngë në kohët ku artistët luftojnë për të pasur hit-in e tyre…
“Vetëm”, një këngë ku prezantohesh si kantautore me produksion të Gent Myftarajt. Si lindi kjo këngë dhe ky bashkëpunim?
Redina Trieshi: Këngën “Vetëm” e krijova dhe e mendova si një tematikë aktuale, ku shumë njerëz e gjejnë veten. Kompozitorin Gent Myftaraj e kam njohur në aktivitetet ku kam marrë pjesë vite më parë.
Çfarë këshille të ka dhënë ai për të qenë e fuqishme në zë dhe potente si emër në tregun shqiptar?
Redina Trieshi: Te jem vetvetja, origjinale dhe ta dua muzikën që bëj! Në një nga skenat e klipit duket sikur risjell Borëbardhën në kohë moderne.
Redina Trieshi: Ky është version i Borëbardhës që nuk e zgjon ndonjë princ me puthjen e tij…?
Redina Trieshi: Faleminderit që po më krahasoni me Borëbardhën! Ky do të ishte versioni i Borëbardhës vetëm, siç thotë dhe titulli, pa princ dhe personazhe të tjerë.
Ke një mesazh që dëshiron t’ua japësh djemve dhe vajzave me “Vetëm”?
Redina Trieshi: Kënga përcjell një mesazh mjaft gjithëpërfshirës, pasi mendoj se çdo njeri e ndjen veten vetëm në momente të caktuara. Kënga e përshkruan vetminë si një moment reflektimi.
Ke lindur në Lezhë në 1999-ën dhe je rritur në Tiranë. Prej 4 vitesh jeton dhe studion në Nju Jork për Marketing dhe Teori kompozimi. Çfarë të tërheq kaq shumë si magnet në Shqipëri për t’u kthyer e për të bërë karrierë muzikore?
Redina Trieshi: Doja që karriera ime të fillojë në Shqipëri, në vendin tim dhe në gjuhën që dua më shumë.
Jeton në SHBA, ku muzika është industri mjaft fitimprurëse. Si mendon, ekzistojnë sekrete për të kompozuar hit-e në këtë epokë të muzikës?
Redina Trieshi: Siç e thatë dhe ju, unë studioj Marketing dhe Teori kompozimi. Sipas meje, çdo krijim i veçantë është hit në vetvete.
Nga daljet e tua që fëmijë në skenë, kush mendon se janë artistët shqiptarë që të kanë impresionuar vërtet?
Redina Trieshi: Jam rritur duke dëgjuar xhaxhain tim, Paulin Trieshin, të këndojë dhe kam filluar ta dua muzikën që në moshë të vogël. Kam pasur fatin të këndoj dhe me këngëtaren e mirënjohur Irma Libohova në aktivitetin “100 vjet muzikë”, të organizuar për 100-vjetorin e Pavarësisë.
Ke menduar për ndonjë duet dhe me kë mund të kishit kimi?
Redina Trieshi: Kur flasim për kimi në muzikë, e kemi fjalën për përshtatje të vokalit dhe këngës që do të kompozohet. Do të ketë duete patjetër, por nuk po zbuloj më shumë detaje.
Projektet e tjera muzikore që ke në plan të realizosh, dhe a je kujdesur që të sjellësh një frymë ndryshe e ispiruar nga SHBA-ja?
Redina Trieshi: Po punoj për disa projekte. Secili projekt ka një frymë ndryshe dhe mezi pres t’i ndaj me publikun!
Talentit që ke, çfarë do t’i shtoje për të bërë vërtet bujë në muzikë?
Redina Trieshi: Dëshiroj që të bëj bujë talenti im dhe muzika ime!
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al