Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artisten e spikatur shumëdimensionale, si dhe mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Hueyda El Saied pas ndarjes nga jeta.
Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve, artistëve dhe personaliteteve të shumtë të artit të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:
“Në vlerësim të kontributit të pasur si artiste shumëdimensionale në fusha të ndryshme si balet, pikturë, televizion e teatër. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, jemi mbledhur të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).
Jeta e Hueydës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se “mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.
Hueyda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim. Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry. Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al