Ka nisur Eurovision, konkursi i përvitshëm muzikor që merr gjithnjë vëmendje nga e gjithë bota për këngët që paraqiten, por rëndësi e veçantë i kushtohet edhe veshjeve.
Ronela Hajati performoi e para në skenën e “Eurovision” mbrëmjen e sotme dhe sikundër kishte premtuar ajo dhuroi spektakël. Veshjet janë një nga elementet për të cilën ajo është komentuar më së shumti këto ditë. Por çfarë veshi sot artistja?
Ronela u shfaq me një “body” ngjyrë argjendi stiluar me gurë që i nxirrte në pah dekoltenë. Ajo kishte veshur edhe një pelerinë rozë voluminoze në pjesën e krahve.
Një detaj që vlen të përmendet janë atletet rozë që artistja kishte veshur për t’ju përshtatur koreografisë.
Ronela u tregua minimaliste në aksesorë duke vendosur vetëm një varse. Teksa flokët i kishte kapur duke nxjerrë në pah tiparet e saj.
Veshja më e zhurmshme ishte ajo e ceremonisë së hapjes së ‘Eurovision’ përgjatë tapetit Turquoise. Ronela u cilësua mes të veshurve më bukur me fustanin e saj spektakolar shumëngjyrësh me një kapele katrore.
Një detaj që mori vëmendjen ishte shiriti me ngjyrat e ylberit, përmes së cilës këngëtarja duket të ketë zgjedhur të shfaqë e njëkohësisht edhe të ketë përkrahjen e komunitetit LGBTIQ+.
Mirëpo një artist brazilian me emrin Pedro Leopoldom i akuzoi se ishte e kopjuar nga ai. Pas akuzave publike të tij Ronela publikoi foton e veshjes në Instastory, krahas së cilës shkruan që është ilustruar nga Pedro Leopoldom, teksa i ka bërë tag edhe këtij të fundit duke i dhënë kështu meritat.
Sitilisti Niko Komani, i cili është pjesë e ekipit shqiptar në Eurovision, publikoi më herët një status në Instastory ku shkruante se është në komunikim me artistin brazilian, por pa dhënë asnjë detaj. “Gjithçka ndodh për një arsye! Ekipi ynë është në komunikim me Pedro Leoplodom dhe gjitçka është nën kontroll! Faleminderit.”- thuhej në statusin e plotë të Niko Komanit.
Në konferencë për shtyp një javë më parë Ronela rrëmbeu vëmendje me një tjetër veshje. Ajo u shfaq me një fustan të bardhë të gjerë që i mbulonte gjithë trupin përveç duarve që i kishte lënë jashtë. Në pjesën e supeve fustani ishte voluminoz teksa Ronela mbante dorashka të bardha të shkurtëra. Sakaq, në kokë mbante një kapele, nëse mund ta quajmë të tillë shumë ekstravagante, të madhe dhe të qëndisur me gurë. Veshjen e saj ajo e shoqëroi me shumë aksesorë si varse, vathë, byzylykë. E gjithë kjo duket se ka qenë një kundërpërgjigje ndaj Eurovision që fshiu fotot e saj nga Instagram duke e konsideruar si provokuese. E pyetur rreth veshjes nga gazetarët, Ronela tha: “Përpiqem të jem sa më familjare kështu që i mbulova të gjitha pjesët e trupit.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al