10 Nëntor, 2017

Pendesa e ish-presidentit të Facebook: Çfarë i bëmë shoqërisë kështu, krijuam një mostër


Sean Parker, ish-themelues dhe ish-president i rrjetit më të madh social Facebook ka shpërthyer në kritika mbi ndikimet e shumta të Facebook-ut në jetën e njerëzve dhe sidomos të të rinjve.

Ai përmendi disa disavantazhe të platformës më të përdorur në botë, e cila po u merr njerëzve më shumë kohë sesa duhet, po i bën njerëz social virtualisht dhe jo realisht.

“Në hapat e parë pyetja që i bënim gjithmonë vetes ishte: si t’u marrim sa më shumë kohë dhe t’u tërheqim vazhdimisht vëmendjen përdoruesve? Kjo do të thotë se duhet të shpiknim një platformë që herë pas herë lëshon pak dopaminë përmes aktiviteteve në të, si pëlqimi i një fotoje, statusi, apo bërja e një komenti e kështu me radhë”, thotë Parker.

Parker, që u bë i famshëm në qarqet “hi-tech” me shërbimin e ruajtjes dhe shpërndarjes së të dhënave, Napster është i penduar. Roli i tij në ngritjen e Facebook ka qenë i madh.

Në filmin “Social Network”, ku Parker luhet nga Justin Timberlake, është ai që prezanton idenë e Mark Zuckerberg përpara investitorëve të fuqishëm. “Ndihmova në ngritjen e një mostre!”, thotë ai sot.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al