24 Tetor, 2024

Përdoren masivisht nga të miturit, qeveria britanike do të ndalojë cigaret elektronike njëpërdorimshe nga viti i ardhshëm


Britania e Madhe do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike për një përdorim nga viti i ardhshëm, si një përpjekje për të frenuar ndikimin e tyre në mjedis  dhe përdorimin nga të miturit.

single-use-vape

Legjislacioni për të ndaluar nga 1 qershori i vitit të ardhshëm është paraqitur në parlament, konfirmoi Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale (DEFRA).

Autoritetet shëndetësore të vendit kanë vënë në dukje rrezikun që sjellin cigaret elektronike njëpërdorimshe për të rinjtë, të cilëve “u bëjnë thirrje” falë modeleve të tyre shumëngjyrëshe dhe shijeve të frutave, të cilat i bëjnë ato të dallohen në raftet e dyqaneve.

Sipas sondazhit të vitit 2024 të organizatës bamirëse ASH, rreth një në pesë fëmijë të moshës 11 deri në 17 vjeç thonë se e kanë provuar këtë cigare.

Sipas Sky New, është e paligjshme në vend shitja e cigareve elektronike që përmbajnë nikotinë për personat nën moshën 18 vjeç dhe të rriturve u ndalohet gjithashtu t’i blejnë ato në emër të njerëzve nën moshën 18 vjeç.

Plani për ndalimin e cigareve elektronike për një përdorim u parashtrua fillimisht nga qeveria e mëparshme konservatore në janar, por nuk u zbatua para zgjedhjeve të korrikut, të cilat laburistët i fituan.

Ministri i Kulturës dhe Punës ka bërë të ditur se numri i fëmijëve që pinë këto cigare është trefishuar në tre vitet e fundit dhe cigaret elektronike njëpërdorimshe po shkaktojnë shumë probleme për mjedisin.

“Po bëhemi gjithnjë e më të shqetësuar. Shpresojmë se kjo do të ndihmojë në thyerjen e ciklit ku fëmijët e marrin këtë zakon të avullimit në një moshë më të hershme dhe më të re”, tha Lisa Nandy për Sky News.

Mediat britanike raportuan se ndalimi do të hyjë në fuqi në qershor. Një studim tjetër i ASH, raportoi se këtë vit cigaret elektronike ishin mënyra më e popullarizuar për të lënë duhanin në mesin e duhanpirësve me pothuajse tre milionë njerëz në Britani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al