9 Maj, 2022

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut hodhi flamurin në tokë, shqyrtohet mundësia e tërheqjes nga Eurovision


Një ngjarje aspak e zakonshme ka ndodhur ditën e djeshme gjatë parakalimit të këngëtarëve në Tapetin Turquoise të Eurovision. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut hodhi papritur në tokë flamurin e vendit të saj.

Andrea Koevska e veshur me të zeza, po pozonte para fotografëve me flamurin e saj por me sa duket vendosi që të bënte pastaj disa foto pa flamur dhe meqë asnjë anëtar delegacioni nuk ishte pranë dhe duke mos dashur të humbiste kohë ajo hodhi me shpejtësi flamurin anash. Mirëpo pavarësisht arsyeve diçka e tillë nuk është justifikuar nga maqedonasit.

Në një deklaratë të regjistruar pas përfundimit të ceremonisë, Andrea shpjegoi situatën dhe kërkoi falje për atë që kishte ndodhur. Ajo tha: “Më lejoni të bëj një deklaratë të shkurtër nga këtu që nga hapja, sepse pashë çfarë shkruhej në media. Unë thjesht nuk e besoj sepse ditët e fundit e vetmja gjë që bëra ishte të lëvizja me krenari dhe të tregoja flamurin maqedonas kudo. Delegacioni ishte shumë larg meje dhe vendosa në një moment të heq flamurin. Nuk ishte për urrejtje, jam krenare që vij nga këtu dhe prandaj është pak e kotë për mua pse po ndodh kjo. Nuk kisha ndërmend të ofendoja dikë dhe nëse e bëra këtë, kërkoj falje. Unë e mbaj flamurin me vete kudo që shkoj dhe shpresoj se mund ta kalojmë vërtet këtë.”

Nga ana tjetër, Radio Televizioni i Maqedonisë së Veriut ka bërë një reagim të ashpër përmes një deklarate ku shkruan se dënon ashpër hedhjen e flamurit siç u tregua gjatë ceremonisë së hapjes. MRT i kujtoi audiencës se në Maqedoninë e Veriut hedhja e një flamuri në dysheme shihet si shenjë mosrespektimi dhe dënohet me ligj. “Shërbimi publik nuk qëndron në asnjë mënyrë pas kësaj sjelljeje skandaloze të përfaqësuesit tonë të Eurovisionit, e cila me atë gjest tregoi mosrespektim ndaj simbolit kombëtar, gjë që dënohet me ligj. MRT pret që Andrea t’u kërkojë falje qytetarëve për sjelljen e tillë. Shërbimi publik po shqyrton mundësinë e tërheqjes së saj nga Eurovizioni, ndonëse do të bëhet kujdes që të mos i shkaktohen më shumë dëme MRT-së.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al