21 Dhjetor, 2017

Përflitet si e dashura e Varrosit, Noizy realizon projektin e parë me sopranon seksi Oriola Marashi


Me veshjen e kuqe, linjat e bukura dhe shtatlartësi, sopranoja dhe modelja 21-vjeçare Oriola Marashi pozon mes reperave të famshëm të grupit “OTR”, Noizyt dhe Varrosit. “Game over o bish”, ka shkruar ajo poshtë fotos me dy djemtë, duke njoftuar kështu përfundimin e klipit të parë me grupin “OTR”, që më në fund i jep përgjigje pikëpyetjes se cila do të ishte këngëtarja femër e përzgjedhur nga Noizy si pjesë e grupit të tyre. Kjo foto vjen pas disa lajmeve në portale se mes Varrosit dhe Oriolës ka kohë që ka nisur një histori e bukur dashurie, nisur nga disa postime të saj në Instagram, ku përveç zemrave që i dedikon reperit, i drejtohet gjithmonë me përkëdheli “O jetë”. Në foton e fundit ku të dy tymosnin puro, ata pozonin shumë pranë njëri-tjetrit, pozë kjo që është komentuar nga ndjekësit si moment i vërtetë intim. Kujtojmë që thashetheme se mes tyre ka nisur një lidhje u përhapën shumë muaj më parë. I ftuar në “Xing me Ermalin”, Varrosi, një nga pjesëtarët e grupit “OTR” e një nga miqtë më të afërt të Noizy-t, nuk hezitoi të fliste për marrëdhënien e tij për Oriolën. Nuk dihet nëse ka thënë ose jo të vërtetën, por u shpreh se me Oriolën e lidh shoqëria dhe se për të është ajo modelja më e bukur në Shqipëri. Së fundmi, Oriola po tërheq vëmendjen në rrjetet sociale me fotot artistike që poston shpesh, ku bie në sy jo vetëm për bukurinë, por edhe për shtatlartësinë.

KUSH ËSHTË ORIOLA, SOPRANOJA MË SEKSI DHE E PAGUAR E INSTAGRAMIT

Brenda një kohe të shkurtër, Oriola ka arritur t’u bëjë përshtypje kompanive të ndryshme në Shqipëri e vende të botës, të cilat e paguajnë për postimet në këmbim të reklamës, që ajo u bën veshjeve apo produkteve të tyre në Instagram. Edhe pse njihet si fotomodele, shumë pak e dinë që ajo studion për soprano pranë Universitetit të Arteve. Në një nga intervistat e fundit, ka rrëfyer se ka 7 vite që merret me muzikë e që u përkushtohet notave që nga Liceu Artistik e tani në Universitetin e Arteve. Muzikën dhe modelingun i ka ushtruar paralelisht që në moshë të vogël, e ndërkaq, nëse do t’i duhej të zgjidhte mes të dyjave, ajo do t’i thoshte “po” muzikës. Origjina e saj është nga Puka, ndërkohë që është vajza e Xhoi Jakajt, ish-drejtoreshë e Burgut të Grave 325, një zonjë shumë aktive në media me botimet e saj studimore. Oriola ka pohuar se vjen nga një familje me ekonomi të mirë, në të cilën s’i ka munguar kurrë asgjë, por gjithmonë duke i mësuar asaj dhe motrës Xhulia që duhet të punojmë për të fituar ato ç’ka kërkojnë në jetë.

Në verë Oriolën e pamë në klipin e këngëtarit me famë botërore Jonas Blue, realizuar në Jug të Shqipërisë me titull “Mama”. Në lidhje me fotot që realizon shpesh me fotografin e talentuar Endrit Mërtiri, ajo është shprehur: “Modelingu është si një shkollë aktrimi, në të cilën duhet të përshtatesh në role të ndryshme. Kur m’u dha mundësia të bëja foto me Endrit Mertirin për “Dolce&Gabbana”, mendova se aty ishte fundi i gjithçkaje, por jo, kërkoj akoma më shumë nga vetja dhe me ndihmën e Endritit do t’i realizoj. Po kush është modelja që ajo gjen të përbashkëta me veten? “Modelja muzë për mua do të mbetet gjithmonë Naomi Campbell, ajo është një dhe e vetme. E duke folur për muzikën që i mbush shpirtin, ajo tregon: “Unë do ta përshkruaja muzikën si gjënë më të bekuar që më ka falur Zoti, dhe do të përpiqem me mish e me shpirt që t’i realizoj ëndrrat e mia. Pak fat dhe shumë zgjuarsi është rruga e sigurt drejt suksesit.”/Panorama Plus/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al