11 Maj, 2022

Performanca e Ronela Hajatit e dyta më e klikuar nga gjysmëfinalja e parë e Eurovision-it


Siç tha edhe vetë, Ronela Hajati nuk shkoi në finale por e fitoi “Eurovision” e saj. Performanca e këngëtares shqiptare në gjysmëfinalen e ‘Eurovision Song Contest’ është më e klikuar në YouTube nga nata e parë, pas “Stefania” të grupit Kalush Orchestra, përfaqësues të Ukrainës.

Ronela, nga ana tjetër, ka arritur të bëjë për vete shumë njerëz që e kanë mbështetur vazhdimisht edhe online dhe janë shprehur të zhgënjyer për moskualifikimin e saj. Videoja e performancës së saj numëron mbi 863 mijë klikime deri tani, pa kaluar ende 24 orë.

Deri tani videoja ka mbi 6 mijë komente në gjuhë të ndryshme anglisht, spanjisht, greqisht, italisht etj. Komentuesit vlerësojnë Ronelës si performuese dhe për vokalin teksa shkruajnë se i është bërë padrejtësi.

“Ronela ka lindur yll. Këndon, kërcen, servir. Ajo është ylli jonë dhe ky është momenti i saj. Shijojeni performancën më të mirë hapëse në historinë e Eurovision“- shkruan dikush që ka mbi 2 mijë pëlqime.

Disa nga komentet e tjera me shumë pëlqime janë: “Nuk mund ta besoj që nuk është në finale”/ “Numri 1 i zemrave tona. Mos ndalo kurrë së shprehuri veten.”/ “Më e mira e gjysmëfinales. Jam shumë e mërzitur për Shqipërinë”. 

Ukraina, e përfaqësuar nga Kalush Orchestra me këngën “Stefania” kanë arritur më shumë së 1.2 milion klikime në një moment kur sytë e gjithë botës janë nga Ukraina. Po ashtu, kënga e veçantë dhe shumë ritmike i ka bërë të gjithë të kërcejnë. Të vetëdijshëm për polemikat, grupi thotë se qëllimi është vetëm një – më shumë vëmendje për muzikën ukrainase dhe vetë vendin.

“Përfaqësimi i vendit tuaj është gjithmonë përgjegjësi, për ne është edhe më shumë. Dikush thotë se mund të fitojmë për shkak të luftës, por kënga jonë ishte në Top 5 të preferuarat edhe më parë, që do të thotë se ajo pëlqehet. Shpresojmë që pas performancës tonë të ketë edhe më shumë vëmendje për muzikën ukrainase dhe për të gjithë vendin.”, -tha grupi gjatë konferencës së parë për media.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al