Gjyqi për shpifje mes Johnny Depp dhe Amber Heard përfundoi të premten, ku të dyja palët dhanë argumentet përmbyllëse pas seancave shtatëjavore që kanë tërhequr vëmendjen e publikut.
Shtatë nga 11 juristët e përzgjedhur për gjyqin kaluan disa orë për të diskutuar, por nuk dhanë një vendim dhe duket se nuk do ta bëjnë këtë për të paktën disa ditë. Gjykatësja Penney Azcarate tha se bisedimet do të rinisin sërish të martën. Për momentin, është e paqartë se kur do të arrijnë juristët në një vendim pasi nuk është komunikuar ende një datë. Por verdikti nuk pritet deri në fund të muajit apo në fillim të qershorit për shkak të sasisë së provave që janë dhënë.
Avokatët e të dyja palëve paraqitën argumente t përfundimtare në sallën e gjyqit në Virxhinia gjatë seancës së djeshme, e cila ishte e fundit.
Avokatja e Depp, Camille Vasquez, i vuri në dukje jurisë se gjashtë vjet më parë Heard paraqiti një urdhër mbrojtje kundër yllit të ‘Pirates of the Caribbean’, duke zbuluar për herë të parë akuzat e saj për abuzim në familje.
“Sot, më 27 maj 2022, saktësisht gjashtë vjet më vonë, ne ju kërkojmë t’i ktheni jetën zotit Depp duke i thënë botës se zoti Depp nuk është abuzuesi. Zonja Heard tha se ai është dhe kërkojini llogari zonjës Heard pse gënjeu”, tha Vasquez. “Ajo që është në rrezik në këtë gjyq është emri i mirë i një njeriu. Për më tepër, ajo që është në rrezik në këtë gjyq është jeta e një njeriu, jeta që ai humbi kur u akuzua për një krim të tmerrshëm.”
Më vonë, avokati i Heard, Benjamin Rottenborn dha argumentet e tij përfundimtare. Ndërsa çështja ka të bëjë me Heard dhe Depp, Rottenborn argumentoi se ky vendim mund të ketë ndikim tek viktimat e tjera të abuzimit në familje. “Mendoni për mesazhin që z. Depp dhe avokatët e tij po i dërgojnë Amberit, dhe si rrjedhojë për çdo viktimë të abuzimit në familje kudo,” tha ai. “Nëse nuk keni bërë fotografi, nuk ka ndodhur. Nëse keni bërë foto, ato janë false. Nëse nuk i keni thënë miqve tuaj, ju jeni duke gënjyer. Nëse i keni thënë miqve tuaj, ata janë pjesë e mashtrimit. Nëse nuk keni kërkuar trajtim mjekësor, nuk jeni lënduar. Nëse ke kërkuar trajtim mjekësor, je i çmendur. Nëse bën gjithçka që mundesh për të ndihmuar bashkëshortin, personin që dashuron, të shpëtojë nga abuzimi dërrmues i drogës dhe alkoolit që e kthen atë në një përbindësh të tërbuar, ju jeni bezdisëse.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al