2 Prill, 2022

Përveç martesës, arsyeja tjetër që e bën Dojna Memën një nuse jo-tradicionale


Moderatorja Dojna Mema nuk i ka aspak qejf traditat dhe këtë na e vërtetoi më së miri ditën e djeshme. Moderatorja dhe partneri i saj Vlashent Sata zbuluan se kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një celebrim tepër privat.

Dojna ndau disa foto në llogarinë e saj në Instagram nga vendi ku kanë bërë celebrimin, duke treguar se kanë organizuar diçka shumë të thjeshtë dhe private, ndryshe nga dasmat madhështore që jemi mësuar t’i shikojmë çiftet e showbizit shqiptar.

Dojna zgjodhi të veshë një kostum klasik të bardhë me atlete, ndërsa Vlashenti një kostum të zi jo dhe aq klasik nisur nga modeli i veçantë i xhaketës dhe pantallonat e gjera.

Pasi ndanë fotot me ndjekësit në rrjetet sociale, pyetja më e shpesh që i është bërë moderatores është nëse ka marrë mbiemrin e Vlashentit. Përgjigja është një Jo e prerë dhe shumë e vendosur.

Ndërsa koncepti i marrjes së mbiemrit të bashkëshortit është ngulitur në kulturën tonë dhe shihet pothuajse si diçka normale, në botë nuk ka qenë gjithnjë dhe nuk është e zakonshme. Prej dekadash e shekujsh, gratë dhe burrat betohen se “do jenë pranë njëri-tjetrit në të mirë e në të keq” dhe më pas, në pjesën më të madhe të rasteve, gruaja merr mbiemrin e burrit.

Për disa, marrja e mbiemrit të partnerit thjesht shërben për të forcuar angazhimin. Është një gjest për të treguar se nuk kanë asnjë lloj dyshimi për vendimin që po marrin. Për shumë të tjerë, marrja e mbiemrit ka të bëjë më shumë me statusin e një njësie familjare.

Po ata që nuk e marrin mbiemrin e burrit pse e bëjnë një zgjedhje të tillë? Ja çfarë tha Dojna: “Nuk shoh asnjë arsye pse duhet të marrë mbiemrin e Vlashentit. Unë jam martuar me burrin që dashuroj por nuk është se u martova me Vlashentin dhe do bëhem një njeri tjetër, që është Dojna Sata. Unë jam Dojna Mema që është martuar me Vlashent Satën me shpresën që të jetojmë të lumtur për gjithë jetën”.

Po Vlashenti çfarë mendon për këtë? Artistja nuk ka asnjë kundërshtim dhe padyshim është shumë dakord me zgjedhjen e partneres së tij. “Boll e mori Vlashentin, për çfarë i duhet mbiemri im”-thotë ai në video.

 

 

Dojna dhe Vlashenti do të bëhen së shpejti prindër të një djali.

“Që tani e imagjinoj kapitullin e ri të jetës sime ku pasi të kem shkelur çdo Lego nëpër shtëpi dhe të di gjithçka mbi Minecraft, ai do më thotë: O ma je më e bukura! E ça t’i thuash pastaj? Mblidh legot?!” – shkroi Dojna disa javë më parë në videon ku zbuluan gjininë e bebit.

Moderatorja zgjodhi ta bëjë publike shtatzëninë në 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pak muaj më parë, ajo i tha “PO” këngëtarit, teksa ky i fundit i propozoi martesë gjatë një udhëtimi në Barcelonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al