Largimi i Gramoz Ruçit, për pak orë nga punimet e Parlamentit, ka rikthyer fjalimet e gjata dhe sharjet në Kuvend. Seanca plenare u shoqërua me akuza të forta mes maxhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Edi Rama u ka thënë demokratëve se s’kanë asnjë përgjegjësi, ndaj dhe dinë vetëm të shajnë dhe të akuzojnë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se Rama është në shënjestrën e kuqe të ndërkombëtarëve, dhe për këtë arsye, ai cilësohet si “peshku i madh”.
Por për Ramën, Basha keqpërdor bisedat konfidenciale me ambasadorët. Sipas Ramës, në nëntor do të vijnë në Shqipëri, agjentë të specializuar, që do të punojnë me ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ për të eliminuar bandat e drogës. “Agjentë të krimit, agjentë të antidrogës, që do përfshihen drejtpërdrejt në këtë operacion, nga SHBA, nga Gjermania dhe nga vende të tjera të BE-së. Kështu që, ajo shprehja ‘s’keni parë gjë akoma’, është aktuale, sot që po ju flas”, tha Rama.
Por për Lulzim Bashën, Rama është i kapur nga krimi. Këtë qëndrim e ka përforcuar dhe Monika Kryemadhi, e cila ka thënë se Ramës i ka hyrë “tullumbi i krimit”. Në seancë, ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë “hak” për sharjen e Ramës në seancën e kaluar, duke e quajtur Kryeministrin “si hale në një copë mëndafshi” dhe si përdorues kokaine. Seanca u shoqërua me batutat mes Kryeministrit Rama dhe Lulzim Bashës, të cilët për një moment u gjendën të dy në foltoren e Kuvendit.
Por, sipas protokollit, ka ndërhyrë garda. Rama e quajti si mall që Basha pati ndaj tij. Por më vonë, Basha e ka quajtur Ramën si të ç’ekuilibruar, që njëherë e kërcënon, pastaj i thotë “i dashur”. Monika kryemadhi i ka dhënën përgjigje etiketimit të Ramës për LSI, si motra e përbashkët. Kryemadhi e ka quajtur Ramën si “motra e madhe dhe ministrat e tij si 13 motra”.
Replikat në Kuvend
Edi Rama-Bashës: Po ti pse u çove, s’kam mbaruar unë.
(Lulzim Basha ngrihet për të bërë replikën, ndërkohë që po fliste Rama. Garda rrethon Kryeministrin).
Lulzim Basha: Mbarove, ik tani.
Rama-gardistëve: O çuna, uluni, o çuna…
(Gardistët largohen, vetëm pasi Basha ulet sërish në vend)
Sali Berisha: U tremb, shikoni si u zverdh, frikacak…
Edi Rama: Sali malli është njerëzor. E kapi (Bashën) papritur një mall dhe natyrisht, që unë u emocionova…
Sali Berisha: Shikoni frikacakun…
Edi Rama: Sali, unë, para teje, nuk ia le atij (Bashës) fjalën. Fjalën e ke ti se pastaj rrezik na hidhet Flamur Noka nga ballkoni i SHQUP-it, po s’fole ti. Tani që po e shikoj, vetëm Flamuri i ka ngel Saliut nga PD-ja.
Sali Berisha: Zotëria (Rama), dje, shau mbas shpine, siç ka fytyrën dhe karakterin. Unë dua t’i them sot, sy më sy, se të shash nga karrigia e Kryeministrit pas shpine tjetrin, nuk bën gjë tjetër, vetëm ngjet si i thonë francezët “një hale në një copë mëndafsh”.
Edi Rama: Sali, si edhe në rastin e djeshëm, ishte thjesht një konstatim. Njerëzit gjykojnë, por Sali, larg qoftë që unë të të shaj ty dhe Lulin. Sali Berisha: Edhe unë konstatim po bëj…
Edi Rama: Jeni 9 më pak seç ishit, kur u nisët për të bërë “Republikën e Re”. Një gjysmagjel, se pa u skuqur, pa u zverdhur, pa asnjë qerpik që ju dridhet, zëri jo që s’ju dridhet, por ju trashet e megjithëse krahasuar me katër vite më parë, keni sot 200 mijë pupla më pak, se i latë puplat rrugës, bëni trimin dhe ngrini këtu volumin, njësoj si frikacaku që këndon me zë të lartë, kur përshkon pyllin në errësirë…
Lulzim Basha: Ju çoheni këtu, merrni kohën e qytetarëve dhe kohën e këtij Parlamenti për të dërdëllitur pa fund në një përpjekje të mjerë për të fshehur lepurin në bark, që po i rritet nga mëngjesi në darkë, atij që i thotë vetes Kryeministër dhe deputetëve të tij, që qeshin nga zori. Për çfarë qeshni ju o kukulla pa integritet, pa personalitet?!
Edi Rama: Miku im, Lulzim Basha, këtu, pasi bëri më në fund një akt lidershipi me marrëveshjen e 18 majit, e mohoi. E mohoi se u tremb. U tremb nga frëngjitë e Jozefinës dhe të Astrit Patozit. Nga një gjel i lagur, po krenar në 2013- n, sot jeni një gjysmagjel, edhe i lagur, edhe krenar, por edhe për të ardhur keq. Shto këtu miqtë e LSI-së, që qetësinë dhe dashurinë e linjës së vjetër e kanë zëvendësuar me llafazanërinë dhe me vajmedetërinë e linjës së re dhe panorama e opozitës bëhet: Bir o Lul vëllai, kë të qaj më parë, ty a motrën tonë, që keni një hall?!
Monika Kryemadhi: Po e nis si motra, me qenë se motra madhe ja ku është (Rama) dhe 13 motrat e tjera, dhe këtë e them si në raportin politik, edhe në raportin personal. Krimi e ka kapur dhe nuk e lëshon në asnjë sekondë. Kemi hallin e tullumbave, në fakt tollumbat ëmbëlsirë janë. Por kam hallin për një tullumb tjetër që është akoma më i rrezikshëm, është tullumbi i krimit, i cili po hyri, nuk del më, sepse të mban peng dhe nuk të lëshon më kurrë.
Lulzim Basha: Qesh ti aty, se si duket s’e ke bandën aq të fortë sa këta këtu. Prandaj qesh, prandaj s’je ministër.
Arben Ahmetaj: Atë gishtin futja vetes.
Lulzim Basha: Atë ta futa unë ty… E mban mend mirë ti se ty ta futa… por mos ki merak se herën tjetër do jetë diçka tjetër…
Edi Rama: Shtttt, o Beni, pusho… mjaft.
Lulzim Basha: Unë, në fakt, këtë s’e kisha drejtuar te ti (për Arben Ahmetajn), por ti je një nga kryesorët se ti nuk punon me një apo me dy, ti punon me katër banda. Je i skeduar po, po. Edhe paratë e dimë se ku i ke çuar. Do të të vijë dita shumë shpejt, s’e vonon dot… 20 familje kriminale, katër klane kriminale. Ta thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, ta ka thënë përpara dhe nëse kam një vërejtje për ambasadorin Lu, është që e hapi gojën pas zgjedhjeve. Por më mirë vonë se kurrë.
Edi Rama: Më e bukura, ambasadori amerikan takon kryetarin e opozitës, i kërkon mbështetje për këtë operacion. Kryetari i opozitës vjen këtu – siç e ka zakon, që me fjalët e të huajve bën atë që e ka mësuar të bëjë lideri legjendar, që i përdor takimet me të huajt siç i do qejfi, – bën atë paralajmërimin e famshëm “prit se javën tjetër do ta dëgjoni”. Brenda muajit nëntor do të vijnë këtu agjentë të specializuar që do të punojnë ngushtësisht me ministrin e Brendshëm, me Policinë e Shtetit, me Shërbimin Informativ dhe me të gjitha agjencitë e tjera për këtë punë. Për këtë ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës, për të mos u bërë kjo një luftë, siç do donit ta bënit ju. Ambasadori amerikan doli kundër qeverisë dhe tani, o burra, vutë ambasadorin amerikan përpara.
Lulzim Basha: Partnerët ndërkombëtarë i kërkojnë luftë krimit. Unë u them partnerëve ndërkombëtarë nuk e bën dot. Peshqit e mëdhenj nuk i kap dot peshku më i madh. Kur ai që duhet të kapë peshqit e mëdhenj, kur vetë peshkatari, është peshku më i madh, nuk ka shpresë të bëjë atë që kërkoni ju, atë për të cilin ka më shumë se kurrë nevojë Shqipëria. Sepse numri një, në atë listë, është vetë ky njeri. Komuniteti ndërkombëtar të ka në rreth të kuq. Ti e ke mbuluar Shqipërinë me drogë.
Edi Rama: Lulzim, më the “je me rreth të kuq”. Mos u merr me rrethin tim, shiko vizën e kuqe që ke ti dhe të vënë jo nga ndërkombëtarët, por nga shqiptarët. Sa më shumë vazhdon kështu, aq më teposhtë e çon opozitën dhe me aq më të trashë do ta kesh vizën e kuqe, kur të vijnë zgjedhjet e tjera…
Sali Berisha: Pse kruhet gjithë kohës kur flet Edi Rama?Ka vetëm një shkak dhe kjo është kokaina. Lexoni që të gjithë ju. E keni provuar një pjesë e mirë e juaja, ju njoh në fytyrë. Lexojini të gjithë simptomat e kokainës. Mund të më thoni se është çështje personale. Jo. Por ky ka zgjedhur të kalojë dramën e sotme të shqiptarëve me vizat e kokainës!
Edi Rama: Po marr fjalën të vë në vend dinjitetin e një filozofi, të cilit nuk mund t’i hyhet në fushën e vet. Lulzim Basha tha “peshkatari është peshku më i madh”. Këto janë çështje që unë e ftoj deputetin Ndoka t’i zgjidhë në gjyq për të drejtën e autorit. Për sa i përket përgjegjësisë, e dëgjuan të gjithë. Unë nuk jam as përdorues, nuk jam as shitës, nuk jam as trafikant, nuk jam as bos i trafikut të drogës. Juve këto ju duhen të gjitha. Përdorini! Jepini dhe shpresoni atë që është e pamundur, që shqiptarët të jenë budallenjtë që nuk janë dhe të vijnë pas jush…
Lulzim Basha: I çekuilibruar totalisht, del më merr fjalën, kërcënon, më kërcënon, pastaj del më thua i dashur, pastaj del kërcënon sërish. Çekuilibrimi yt do të ishte në çdo rast tjetër aferë private e familjes tënde… Ndoshta e kupton për herë të dytë, ti je peshku i madh, s’mund të jesh edhe peshkatari…
Nard Ndoka: Nuk meriton replikë Kryeministri se është nën efektin e kokainës. Sapo ma konfirmuan, sepse unë s’kam besim 100% të doktori që kemi këtu. Po një doktor i jashtëm thotë që shenjat janë tipike për një përdorues kokaine.
Edi Rama: U po, ke qenë edhe ministër Shëndetësie…
Gramoz Ruçi: Zoti Kryeministër, mos ndërhy! Po ti(Ndoka) ke replikë, se as ti as unë nuk bëjmë analiza këtu…?
Nard Ndoka: Kush pi kokainë, kruhet dhe nxihet… ju i keni të dyja, pjesa tjetër është dhe fakti që duke qenë nën efektin e kokainës, i ke pirë 6 shishe ujë. Merr shishet e ministrave, megjithëse dhe ata janë përdorues.
Monika Kryemadhi: Shikoni çantat e grave të ministrave që janë mbushur plot me para dhe s’i kontrollon njeri në aeroporte….
FATION BINJAKU/PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al