Për Torosin, protoganistin më të spikatur të “Big Brother 4”, takimi me Tom Cruise, sikur ta njihte prej kohësh, nuk është aspak mision i pamundur.
Prej vitesh, ditët e Festivalit të Filmit në Venecia mbledhin në qytetin italian yjet më të famshëm të botës hollivudiane e shumë prej emrave më të mëdhenj të kinemasë që shkelin tapetin e kuq, Toros i ka takuar nga afër.
Por në këto ditë pandemie, të gjithë u habitën kur panë foton e shqiptarit të njohur në profilin e “Instagram”-it të aktorit të famshëm Tom Cruise, i cili ndodhej në qytetin ku ai jeton, Venecia, për xhirimet e “Mission Impossible 7”.
Për takimin mbresëlënës, fotot ku duken si shokë të ngushtë dhe impresionet e 1 muaji të bashkëjetesës në një qytet me Tom Cruise, Toros flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Toros, si përfundove në“Instagram”-in e Tom Cruise?
E vërtetë që përfundova në profilin e tij. Si? Po ja, ti zbret nga shtëpia, ose në një Venecia bosh, duke rrezikuar gjobën dhe të del përpara Tomi…
Ndodhej për xhirime aty?
Po, kishte një muaj që Tom Cruise xhironte në Venezia për filmin “Mission Impossible 7”, i akomoduar në hotel “Griti”. Unë pata rastin dhe njohjet që kam dhe u bënë ato foto. Se fotot Tom i bënte në stilin “selfie”. Kujtim i rrallë. Një prej tyre e titullove “Face to Face with Tom Cruise”.
Kush i shkrepi ato foto?
Falenderimi shkon për Riccardo Scalise, pasi munda të kem edhe një foto ku kryqëzohen shikimet tona si mes shokësh të ngushtë në një skenë filmi.
Si sillej Tom në qytet, pasi dimë që ka xhiruar në rrugicat e Venecias. Ishte ai “djaloshi i llastuar”, edhe pse tashmë është 58 vjeç?
Person shumë i sjellshëm dhe i dashur me të gjithë, edhe pse t’i afroheshe e të bëje foto me të tani në kohë pandemie është shumë e rrezikshme. Duke xhiruar, kalonte në rrugica dhe fliste me njerëzit që rrinin gjithë natën duke parë xhirimet e tij. Ai fliste, i përshëndeste, u kërkonte falje për shqetësimin…
Ke dëgjuar për ndonjë tekë të tij gjatë qëndrimit 1-mujor në të njëjtin qytet me ty, apo ndonjë gjest humanizmi?
Po, për shembull, prishi parketin e suitës ku ishte akomoduar se nuk i pëlqente, dhe ia bëri dhuratë hotelit rikonstruksionin që kapi vlerën 100 mijë euro. (Një fiksim VIP-ash ky). Palestrën e solli nga SHBA se donte të tijën. Ndërsa një pjesë të të ardhurave të filmit do t’ia dhurojë Venecias.
E ç’mund të thuash për pamjen e tij, duke menduar që është në prag të 60-ve?
Shumë i mbajtur. Është 58 vjeç dhe duket si 30.
Po sa i përket performancës si tij aktoriale, meqenëse ke qenë dëshmitar i dublave në sheshxhirim, ke ndonjë mbresë?
E kam parë se si xhirohet ky film me Tom Cruise, dhe e kam parë nga afër se si kishte një shkathtësi të paparë. Tom, rolet e vështira i luan vetë, pasi ka një përgatitje të jashtëzakonshme për ato role.
Panorama Plus/ Nga Klotilda Harka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al