8 Prill, 2022

Prapaskenat e dënimit të Bojken Lakos, si përfundoi kantautori në komisariat nga komshinjtë që e ‘spiunuan’!


Kishte nxjerr një leje në njësinë bashkiake për të bërë riparime në një objekt që pretendonte ta kthente në studio muzikore.

Ndërtesa, që ka rezultuar e vjetër, nuk kishte dritare dhe ai ka menduar t‘i japë dritë vendit ku do të bënte muzikë, por një telefonatë në komisariatin nr.2 ia ka prishur planet. Kjo është gjithçka ka ndodhur me këngëtarin dhe muzikantin e njohur Bojken Lako, i cili përveç një mase dënimi që duket se do ta kalojë në shërbim prove ka marrë edhe një gjobë prej 50 mijë lekësh. Ai u akuzua për ndërtim pa leje, ndërkohë që mendonte se e kishte nxjerrë lejen. Gjykata ka zbardhur vendimin që tregon se çfarë ka ndodhur me këngëtarin e njohur.

RRETHANAT E FAKTIT SIPAS GJYKATËS

“Në datë 16.02.2021, në Komisariatin e Policisë nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën ‘Shefqet Musaraj’, në anën e majtë të saj, te një ndërtesë dykatëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo banesë ishte në bllokun e ish-magazinave tek ish-Nisharaku, në afërsi të UET-së, e cila ishte marrë me qira nga shtetasi Boiken Lako dhe punimet po kryheshin prej tij.

Nga këqyrja, ka rezultuar se në katin e dytë ishte një ambient holl, me përmasa 30 m2 me 7 të përshtatura në dhoma, ku po kryheshin punime ndërtimore. Në dhomën e parafundit, nga ana lindore ishte hapur një mur, me përmasa 120×100 cm, një dritare, në dyshemenë e kësaj dhome kishte materiale inerte, tulla dhe llaç, në dhomën e fundit ishte vendosur një dritare duralumini, të gjitha ambientet e brendshme ishin të ndara në dhoma, nuk kishte dyer të vendosura, tavani i hollit të ambientit ishte i pa suvatuar, por i shtruar me parket laminat.

I pandehuri Boiken Lako ka deklaruar se punimet po kryheshin për llogari të tij, tek ish-magazinat te ish-Nisheraku, të cilën e ka marrë me qira nga shtetasi D. Sanxhakatari, duke dashur ta sistemojë me qëllim ta kthente në një studio muzikore. Ka shkuar te Njësia Administrative nr.7 dhe ka aplikuar më dt.21.01.2021, për leje për kryerjen e disa punimeve hidraulike, elektrike, suvatime të mureve dhe tavaneve, shtrim me pllaka dhe restaurime të dritareve dhe dyerve të objektit. Pasi ka dalë leja, ka kontaktuar me mikun e tij Klajdi Kruja, për të ndjekur punimet pasi ai vetë ishte i zënë. Në lidhje me dritaren e hapur me përmasa 100x90cm, ka qenë më parë dhe ata kanë hapur dritare që kanë qenë të mbyllura, për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme.

Këto rrethana dhe fakte janë të shoqëruara me tabelë fotografike. Sipas shkresës nga IMT-ja Bashkia Tiranë, me nr.7821/ 1 prot. dt.24.02.2021, inspektorët kanë konstatuar se po bëheshin punime pa dokumentacion në objekt, që konsiston në hapjen e katër dritareve në njërën faqe të objektit, me përmasa 75x140cm dhe 120x140cm, në katin e dytë të ndërtesës. Ndaj subjektit Boiken Lako është mbajtur procesverbal i konstatimit të kundërvajtjes nr.3963 dt.17.02.2021, ndërsa me vendimin nr.3287 dt.26.02.2021 duke e dënuar me gjobë në shumën 50 000 lekë.

Në deklarimet e tij, Boiken Lako është shprehur se me ‘lejen’ me të cilën ishte pajisur, ka menduar që mund të bënte ndërhyrje, duke hapur edhe dritaret në katin e dytë dhe të mos kishte problem, por shkresa e Njësisë Administrative nr.7 është bërë nga pronari dhe jo nga Boiken Lako dhe saktësisht është kërkuar që në objekt të kryhen ‘suvatime të pjesshme, lyerje si dhe riparime elektrike dhe hidraulike’, si dhe përmendet se ndërhyrjet e bëra jashtë kësaj kërkese dhe Rregullores së Zhvillimit të Territorit e ngarkon subjektin me përgjegjësi ligjore”.

VENDIMI

Në arsyetimin e Gjykatës theksohet se Boiken Lako u dënua me burg, vendim ky i konvertuar në shërbim prove, edhe pse kishte marrë leje për kryerjen e punimeve në një ambient të ish-Nisherakut në Tiranë, të cilën do ta kthente në studio muzikore. Gjyqtari që ka firmosur vendimin është treguar “i mëshirshëm” ndaj Lakos, duke theksuar se ai kishte pranuar “krimin” dhe se ishte treguar bashkëpunëtor gjatë procesit gjyqësor, si edhe nuk ishte i dënuar më parë.

Të tria këto fakte bëjnë që sipas gjyqtarit dënimi me burg të konvertohej në shërbim prove. Gjatë kësaj periudhe, Lako duhet të kontaktojë në mënyrë periodike agjentët e shërbimit të provës, si edhe nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al