19 Mars, 2022

Princ Harry dhe Meghan Markle pjesë e ceremonisë së çmimeve “Oscars”, ja roli që do kenë


Princi Harry dhe Meghan Markle thuhet se do të marrin pjesë në ceremoninë e çmimeve “Oscars” dhe do jenë ata që do prezantojnë çmimin kryesor, “Best Picture”, që i jepet filmit më të mirë të vitit.

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve “Oscars” është javën e ardhshme, konkretisht të dielën me 27 mars. Megjithatë, nuk është konfirmuar ende nëse ata kanë rënë dakord të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në Teatrin “Dolby” në Los Angeles.

Sipas raporteve, Harry dhe Meghan fillimisht ishin ftuar nga organizatorët për të dhënë çmimin “Aktorja më e mirë”, në një shenjë nderimi për punën e tyre për të drejtat e grave, por plani u anulua pasi Kristen Stewart u nominua për rolin e saj në “Spencer”, një film biografik për jetën e Dianës.

Një burim i tha gazetës “The Sun”: “Do të shihej si një goditje e fundit në dhëmbë për familjen mbretërore– ai është shumë nervoz për udhëtimet drejt Londrës pa mbrojtje nga policia, por i lumtur të shfaqet përpara një audiencë të madhe live në Teatrin ‘Dolby’ në Hollywood”.

Lajmi vjen disa ditë pasi Harry konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në një shërbim përkujtimor për Dukën e Edinburgut në Westminster Abbey më 29 mars, por tha se do të marrë pjesë në Lojërat Invictus në Hagë, në Holandë muajin e ardhshëm.

Vendimi për të mos marrë pjesë në përkujtimore vjen pasi Duka e çoi Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në gjykatë për vendimin e saj për të mos i ofruar atij mbrojtje të plotë kur ai viziton Britaninë, ndonëse avokatët e tij thanë se Harry nuk ndihet i sigurt pa mbrojtjen e policëve të Scotland Yard.

Sakaq, filmat e nominuar për “Best Picture (Filmi më i mirë i vitit)” në “Oscars” janë: “Belfast:, “Coda”, “Drive My Car”, “King Richard”, “Licorice Pizza”, “Nightmare Alley”, “The Power of the Dog” dhe “West Side Story”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al