28 Qershor, 2022

Pse kemi qenë gjithmonë kaq të fiksuar me virgjërinë: Shenjë e dashurisë së vërtetë apo diçka që nuk ekziston?


Më i forti dhe më i përhapuri nga të gjithë mitet seksuale është ai i virgjërisë. Pavarësisht se sa shoqëria është zhvilluar gjatë dy dekadave të fundit, koncepti i virgjërisë ka ende shumë fuqi dhe ka konotacione të forta fetare, historike, shoqërore dhe personale. Disa prej nesh dëshirojnë që përvoja e parë seksuale të jetë e veçantë; të tjerë besojnë se koncepti i virgjërisë është një konstrukt i plotë. Shumë njerëz besojnë se virgjëria nuk ekziston si koncept.

Debati mbi virgjërinë në mediat sociale të vendit tonë ditëve të fundit

Dy qëndrime krejt të kundërta kanë për këtë temë edhe Fifi këngëtarja e njohur shqiptare emri i vërtetë i të cilës është Filloreta Raçi me gazetaren e aktivisten Zhaklin Lekatari. Debati mes tyre ka qenë kryefjalë e mediave sociale prej disa ditësh dhe me siguri keni dëgjuar mbi dy qëndrimet e tyre.

I gjithë debati nisi nga një status i Fifit në Instagram e cila shkruante për partnerin e saj Adis Patushin se  “M’fal që nuk jam rujt vetëm për ty”. Gjë që solli shumë reagime e kritika mes të cilave edhe një nga Zhaklin Lekatari e cila është shprehur se u ndje e ‘neveritur’ nga postimi i këngëtares dhe dedikimi që kishte bërë për partnerin e saj. Sipas Zhaklinës, liria e Fifit për të thënë tr*plliqe, cënon të drejtat e vajzave dhe grave, atëherë nuk është e lirë të flasë. Pavarësisht nëse Fifi bëri mirë që e tha atë deklaratë publikisht apo jo, apo nëse ndërhyrja e Zhaklinë ishte me vend apo jo: edhe për sa kohë virgjëria do jetë temë diskutimi?

Në përmasa shumë më të mëdha dhe të rëndësishme kjo temë ishte kryefjalë në vendin fqinj, Itali, para pak javësh. Por, protagonistë ishte papa Françesku, teologë, artistë mes të cilëve edhe Fedez etj. Papa Françesku u ka thënë çifteve që të mos bëjnë seks para martesës në një udhëzues të ri të Vatikanit, i cili shpjegon ato që Kisha i sheh si kërkesa për një martesë të suksesshme. Ndërsa Papa ka thënë më parë se ‘seksi jashtë martesës nuk është mëkati më i madh’, ai tha se ‘moskryerja e marrëdhënieve seksuale para martesës forcon lidhjen midis një çifti dhe ndihmon që jeta e tyre martesore të jetë e përmbushur dhe e qëndrueshme’. Udhëheqësi i ‘Kishës Katolike’ madje e konsideroi atë si ‘shenjë të dashurisë së vërtetë’.

Kjo gjë ka shkaktuar shumë polemika dhe duket se është në kontrast me qëndrimin e Papës ndaj çifteve të divorcuar dhe të të njëjtit seks. Deklaratat e Papës janë kritikuar nga shumë figura të njohura, duke përfshirë edhe disa teologë, se nuk janë në hap me kohën në të cilën çiftet e reja po priren gjithnjë më shumë drejt bashkëjetesës. Teologu Alberto Maggi i tha gazetës ‘La Repubblica’ se “dokumentet si ky … janë një hap prapa“. Maggi tha se udhëheqësit e kishës duhet të “dëgjojnë më shumë realitetin e të rinjve sot, se si jetojnë ata, përpara se të ribotojnë doktrinën që kanë propozuar gjithmonë”.

Të tjerë kanë vënë në dukje se Papa ka qenë më liberal për çështje si divorci dhe martesat e të njëjtit seks sesa paraardhësit e tij. Austen Ivereigh, një ekspert britanik për katolicizmin, tha se parathënia e Papës në udhëzime nuk përcakton politikë apo udhëzime të reja. “Ky nuk është një ndalim apo një rregull i ri,” tha ai për Daily Mail. “Ata po i ftojnë njerëzit të ndjekin këtë rrugë. Ata e dinë se kjo shkon kundër shoqërisë. Kisha e kupton se në ditët e sotme shumica e njerëzve bashkëjetojnë dhe bëjnë seks para se të martohen.” Ivereigh tha se ishte dakord që moskryerja e marrëdhënieve seksuale para martesës mund të zvogëlonte me të vërtetë shkallën e divorcit.

Më i ashpër ishte qëndrimi i Fedez, reper shumë i njohur italian dhe bashkëshorti i Chiara Ferragni. Ai reagoi përmes një statusi në Instagram duke kundërshtuar thirrjen e Papës për të rinjtë. “Gëzuar të shtunën e 18 qershorit nga viti 1730”-shkroi Fedez në rrjetet sociale, duke komentuar mbi një artikull. “Miqtë e Vatikanit: nëse nuk mund ta luani lojën, të paktën mos bëni rregullat. Kryeni marrëdhënie seksuale sa të mundeni (nëse doni) se jeta është shumë e shkurtër për të dëgjuar Vatikanin.”– shkroi ai.

Pse kemi qenë gjithnjë kaq të fiksuar me virgjërinë?

Me të dëgjuar fjalën “virgjëri”, imazhi i parë që ka të ngjarë të vijë në mendje është ai i një gruaje të re. Në Bibël, në filma dhe letërsi, në debatet aktuale rreth të drejtave riprodhuese, trupi i gruas ka qenë ‘enë’ për mëkatin fillestar. Fiksimi  mbi virgjërinë dhe miti i ‘pastërtisë’ nuk janë asgjë e re. Popullariteti i ‘virgjërisë’ shpesh i atribuohet ‘Mariologjisë’, adhurimit katolik romak të Virgjëreshës Mari, d.m.th., nënës së Jezusit.

“Kultura amerikane ngatërron hapur seksualitetin me moralin – siç shkruan Jessica Valenti në librin e saj “Kulti i virgjërisë”- ne jemi duke idealizuar virgjërinë si një mbështetje për moralin e grave. Nëse bëjmë apo jo seks dhe me kë bëjmë seks janë gjithçka që vlerësohet në lidhje me gratë dhe vajzat.”

Shumë besojnë se kushtet që përcaktojnë virgjërinë janë të ndërtuara në bazë të ndryshimeve shoqërore dhe janë përdorur për të kontrolluar dhe shfrytëzuar gratë. Historikisht, virgjëria ishte e lidhur me kontrollin e trupave të grave – përmes monitorimit të fertilitetit– dhe brenda këtij sistemi, trupat e grave prezantoheshin (dhe prezantohen) si produkte për konsum, mjete për punë dhe një mënyrë për lënë pasardhës.

Sipas  “Sex, Society, and Medieval Women nga studiuesi N.M. Heckel:

“Në një epokë shumë përpara testeve të atësisë, burrat kishin nevojë për njëfarë sigurie se fëmijët e lindur nga gratë e tyre ishin me të vërtetë nga gjaku i tyre dhe marrja e një gruaje të virgjër ishte një mënyrë që i jepte burrit më shumë siguri. Virgjërisë iu dha rëndësia monetare dhe burrat  në këmbim të një gruaje të virgjër i jepnin familjes së saj para dhe dhurata bujare.”

Libri Hebraik me emrin “Libri i Dashurisë së Grave” i shekullit të 15-të përshkruan një lloj ilaçi magjik që një grua mund të bëjë për të rifituar virgjërinë  e saj. “Merrni gjethet e mirtës dhe ziejini mirë me ujë derisa të mbetet vetëm një e treta; më pas, merrni hithrat pa gjemba dhe ziejini në këtë ujë derisa të mbetet një e treta. Ajo duhet të lajë pjesët e saj sekrete me këtë ujë në mëngjes dhe para gjumit, deri në nëntë ditë.” Nëse kjo tingëllon qesharake dhe e vjetëruar, kujtojmë se një himenoplastikë kushton deri në 5000 dollarë vetëm për të rindërtuar këtë membranë. Duke marrë parasysh mundësinë e këtij operacioni dhe faktin që një grua mund të çajë himenin e saj edhe përmes stërvitjes fizike, lëndimit ose ekzaminimit mjekësor, është pothuajse e pamundur të përcaktohet nëse një grua është apo jo e virgjër.

Ndërsa normat dhe qëndrimet tona kulturore për seksualitetin kanë ndryshuar me kalimin e kohës, qasjet tradicionale gjinore ndaj seksualitetit dhe virgjërisë nuk janë zhdukur aq shumë sa janë shndërruar në konfigurime të reja; është thjesht një standard i ri i dyfishtë seksual. Meshkujt mund të dalin dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale pa ndonjë pasojë – në fakt, është e inkurajuar dhe e festuar — ndërsa gratë, edhe sot e kësaj dite, janë temë debati.

Sociologia Dr. Laura Carpenter ka shkruar gjerësisht për virgjërinë, duke vënë në dukje se shumica e ideve të vazhdueshme që kemi për seksin heteroseksual kanë të bëjnë me nevojën tradicionale për të kontrolluar fertilitetin e grave. Dhe ndërsa argumenti që rrethon të drejtat riprodhuese të grave zakonisht përshtatet si një çështje e fertilitetit, lufta e vazhdueshme për kontroll ka të bëjë me lirinë. “Po e kam më të vështirë të besoj se ka të bëjë me ndonjë gjë tjetër përveç kontrollit të seksualitetit të grave dhe se fertiliteti është i rastësishëm për këtë,” -thotë Dr. Carpenter. Ne jemi thellësisht të kërcënuar nga “ideja se gratë thjesht mund të bëjnë seks me këdo që dëshirojnë, pa pasur pasoja.

Sipas përkufizimit, virgjëria është edhe gjendje pasiviteti edhe ideal; është “një emërtim për ata që plotësojnë një standard të caktuar të asaj se si duhet të duken gratë apo vajzat”, siç shkruan Valenti. Së bashku, retorika që rrethon virgjërinë i bën jehonë një narrative të pushtimit: Virgjëria “humbet” ose “merret”, duke lënë mënjanë personin, trupit të cilit i referohet. “

Gen Z është gjenerata e parë në të cilën të gjithë të lindurit në të kanë hyrë në adoleshencë në epokën e informacionit – gjithçka që ata duan të dinë për çdo gjë, përfshirë seksin, është larg një kërkim në Google. Por i gjithë ky informacion nuk do të thotë se nuk ka ende keqkuptime të përhapura rreth virgjërisë dhe seksit për herë të parë, dhe një stigmë ndaj njerëzve që zgjedhin të bëhen seksualisht aktivë më herët (ose më vonë) se të tjerët.

 Sipas një studimi të vitit 2020 nga ‘Instituti Guttmacher’, 28 shtete mandatojnë që shkollat ​​të promovojnë virgjërinë para martesës kur u mësojnë studentëve për seksin. Dhe vetëm nëntë udhëzojnë mësuesit të theksojnë pëlqimin e nxënësve dhe tu tregojnë se e kanë ata në dorë. Disa shtete nuk kërkojnë fare edukim seksual.

Sipas ‘Brittany McBride’, drejtoreshë e ‘Edukimit seksual’ që punon me organizatën Advocates for Youth për shëndetin dhe mirëqenien seksuale, shumë keqkuptime rreth virgjërisë fillojnë në shkollë.

Sot, shumë njerëz me mendime kontradiktore për konceptin dhe ekzistencën e virgjërisë ende pajtohen se marrëdhëniet seksuale dhe marrëdhëniet seksuale për herë të parë duhet të mësohen ndryshe. Beça Mui, Menaxhere e Arsimit e GLSEN, thotë për Refinery29 se përkufizimet më të gjera, më subjektive të seksit jo vetëm që do të lehtësonin turpin dhe konfuzionin, por do të promovonin seks më të sigurt për adoleshentët LGBTQ+.

Ndoshta ne mund të ndryshojmë mënyrën se si mendojmë për virgjërinë për të përfshirë një sërë përvojash… ose ndoshta, virgjëria mund të rikonceptohet, ose mund ta braktisim konceptin e virgjërisë fare.

Dakord, por cili është problemi që kanë njerëzit me virgjërinë?! Edhe sa do jemi të fiksuar me të? Dhe a është viërgjëria një shenjë e dashurisë së vërtetë?

** Ndalohet ribotimi i artikullit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al