20 Gusht, 2017

RECETAT/ 7 mënyra për të shijuar avokadon


Për një kohë të gjatë, kur sapo kishte hyrë në tregun shqiptar, avokado u përbuz nga të gjithë sepse duke mos ditur si ta përdornim e konsumonim ashtu siç ishte, të pashoqëruar me asgjë. Është e vështirë të të pëlqejë një masë gjalpi.

Sot, kur informacionet rreth avokados janë nga më të shumtat, recetat gjithashtu, ajo është bërë një nga frutat më të përdorshëm në gatime të ëmbla e të kripura, por sidomos në sallata të ndryshme. Po ju sjellim më poshtë 7 mënyra se si mund të përdorni avokadon, duke pasur gjithnjë ndjesinë se po hani një pjatë të ndryshme nga ajo e më- parshmja.8fe3a2783e0487f3e2ca9c1b912fea85

PSE DUHET TA HAMË?

Avokadot përmbajnë një shumëllojshmëri vitaminash esenciale si A, B6, C, E dhe K. Ato përmbajnë sasi të larta antioksidantësh, magnez dhe fibra, të cilat të gjitha kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit tonë. Avokadot nuk përmbajnë kripë ose yndyra të ngopura që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.

Kaliumi është thelbësor për funksionin e trurit, ul nivelin e sheqerit në gjak, presionin e gjakut, madje redukton stresin dhe ankthin. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e antitrupave. Vitamina K është thelbësore për kocka të shëndetshme.

Avokadot janë të pasura në fibra, Omega 3 dhe yndyra, të cilat zvogëlojnë inflamacionin dhe zvogëlojnë rrezikun e kancerit. Vitamina C, E, si dhe luteina ndihmojnë në ngadalësimin e procesit të plakjes dhe promovojnë shëndetin e qelizave të lëkurës dhe syve.

Për makarona

Duhet ta provoni që ta besoni. Kaloni në mikser një avokado të pjekur mirë, 1 thelb hudhër, pak borzilok, pak kripë dhe vaj ulliri. Salcën e përftuar mund ta përdorni në të ftohtë për të shoqëruar makarona të të gjitha llojeve. Nëse doni, mund të shtoni edhe pak.

Si antimajonezë

Vegjetarianët dhe veganët e kanë kuptuar prej kohësh: avokado është një shoqërues shumë i mirë edhe për paninet. Mirëpo, përveçse me perime apo sallata të të gjitha llojeve, qëndron shumë mirë edhe me mishin ose peshkun. Hapeni në një fetë bukë, shtoni pak domate e djathë dhe nuk do kërkoni gjë tjetër gjatë gjithë verës.

Avokado e mbushur

Në këtë rast mund të jeni klasikë, të përzieni disa gjethe borzilok, pak djathë të bardhë, domate e vaj ulliri dhe të shijoni një sallatë të freskët e të shëndetshme brenda lëkurës së avokados.

Si pije

Edhe kjo recetë është shumë e thjeshtë. Mjafton të fruloni bashkë gjysmë ose një limon jeshil të plotë, pak sheqer integral dhe një avokado. Mund ta holloni me lëng kastraveci ose selinoje. Nuk do të gjeni asnjë variant më të mirë e të shëndetshëm për të nisur mëngjesin, të paktën 2 herë në javë.

Në sallatë

Për shkak të përbërjes së saj kremoze, avokado do ta bënte të shijshme çdo sallatë sepse gjatë përzierjes shpërndahet e merret në trajtë kremoze. Shoqërohet gjithnjë me pak limon e vaj ulliri, në mënyrë që të ketë shije më të plotë, por edhe të mos nxihet. Mund ta përfshini në çdo sallatë, me pulë, vezë, jeshillëqe të ndryshme, çfarëdo që të keni.

Në vend të gjalpit

Në 30% të saj, avokado është e përbërë nga yndyra të pangopura dhe kjo është arsyeja pse shndërrohet në një masë kremoze perfekte që e bën të zërë vendin e gjalpit apo margarinës. Duke pasur shije neutrale që theksohet vetëm nga shtimi i kripës ose sheqerit, varësisht recetës, avokado shërben edhe për recetat e ëmbla si tortat e ndryshme kremoze. 50 gr avokado janë të barasvlefshme me 100 gr gjalpë.

Në supë

Receta bazë është fare e thjeshtë; një avokado e shtypur ose e kaluar në frulator, gjysmë gote lëng perimesh ose mishi të përziera së bashku. Rregulloni shijen me erëzat që pëlqeni, pak vaj e limonë dhe supa është gati. Mund të shtoni kos të bardhë e kastravecë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al