19 Tetor, 2017

Rrëfehet Blendi Fevziu: Më ofruan valixhen plot me para për të më bindur të…


Blendi Fevziu është ndër figurat e orës së parë të gazetarisë post komuniste në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij në media ai ka punuar në dy televizione, në RTSH dhe më pas në Tv Klan , ku emisioni i tij Opinion ka 20 vjet transmetim. I ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel” teksa ka folur për karrierën e tij, Blendi ka treguar një ofertë që i ka ardhur në një mënyrë vërtet të çuditshme.

 

Pyetjes së Jonida Shehut nëse e ka joshur ndonjë ofertë, ku shifrën e vendoste vetë Fevziu i’u përgjigj: “Më kanë ndodhur histori interesante që nuk dua as t’i tregoj. Ndërsa më ftuan për një drekë më kanë ardhur me një çantë me pagesën e një viti. Padyshim jam lëkundur, jo nga oferta, por jam lëkundur kur nuk jam ndjerë mirë emocionalisht në raport me vendin e punës ku jam! Kur nuk kam pasur hapësirën që kam, kur nuk kam pasur vlerësimin që kam. Të gjithëve na ndodh, që shpesh here të prekemi nga një fjalë, që thuhet me brutalitet, momente të tilla kam pasur gjithmonë, madje mund të them edhe së fundmi kam pasur një moment jo te qetë, më është dukur sikur prioriteti i punës time nuk përputhet tamam me prioritetin e televizionit ku unë punoj, këto janë momente që kalojnë…”

 

Në një moment kur flet për kujtimet e familjes së tij, gazetari përlotet kur kujton letrën e fundit që gjyshja ja dërgonte mamasë së tij.

 

Tani jam paralizuar nuk kam më mundësi të lëviz, rri në këtë dhomën e vogël, tek ajo soba ku ti ke lëne, besoj që këtu do vdes, në të njëjtin divan ku uleshe ti sa here vijë, nuk do të doja asgjë në jetë se sa të të shihja edhe një herë! U preka, ishte vërtetë shumë prekëse”, u shpreh ai.

 

Si një person me një ditë tejet të ngarkuar, axhenda e tij është e përcaktuar. “Unë e kam shumë të thjeshtë ditën. Dal në orën 11:00 nga shtëpia pasi kam kontrolluar çfarë ka ndodhur me lajmet, bëj vrapin e mëngjesit, gjithmonë takimin e parë kam në orën 11:15, dhe në orën 13:30 jam gjithmonë duke konsumuar drekën, 3 orë pasdite qëndroj në shtëpi dhe ridal në orën 20:00. 1 orë në mbrëmje vonë lexoj deri në orën 01;45-02;00! Por padyshim, që ka edhe momente, kur axhenda më bie”.

 

I pyetur nëse do të largohej nga Shqipëria, apo a jetohet në vendin tonë, Fevziu tha se “Shqipëria është një vend i vështirë ku e padrejta po sundon mbi të drejtën, kam një dilemë nëse vajzat e mia do të jetojnë në të ardhmen ne Shqipëri. Unë nuk besoj se do të largohem asnjëherë”.

 

Sa i takon rolit të nënës së tij në jetë Fevziu theksoi se “Nga mamaja kam trashëguar pasionin për librin, por bota ime reale ishte e lidhur me atë të stërgjysheve, të cilët më trajtonin si princ! Ka qenë një botë e shkëputur nga realizimi socialist asokohe, ishin të shkolluara dhe bisedat e tyre ishin për çështjet se çfarë ndodhte jashtë Shqipërisë. Kam pasur një lidhje emocionale me të madhe me stërgjyshet”.

 

I pyetur nëse e konsideron veten me fat, Fevziu u përgjigj “Padyshim! Kam qenë njeriu tipik që fati i kthehet nga njëra anë në tjetrën. Isha një student shumë i mirë në mësime, por mendoja që nuk do të kisha të ardhme, pasi familja ishte me biografi të keqe, pra kisha aftësi por nuk kisha fat, pastaj sistemi u përmbys dhe gjithçka nisi nga fillimi! Fatin jemi ne që e bëjmë vetë!’’

 

Fevziu foli edhe për pasionet e tij për udhëtimet dhe sportet! Duke theksuar se preferon udhëtimet eksploruese, madje shpreh dhe befasitë që ndeshi në 16 metra thellësi nën ujë! Udhëtimi i ardhshëm që dëshiron të bëjë: “Doja të udhëtoja në kufirin mes Koresë së Jugut dhe asaj të veriut”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al