10 Mars, 2022

Rrëfehet shqiptari që kompozoi këngën e Qipros për Eurosong: Ja si më kontaktuan


Kompozitori dhe producenti i njohur, Fatjon Miftari së fundmi është përmendur në mediat shqiptare e faqet rozë për një sukses të radhës në arenën ndërkombëtare.

Miftari është  i njohur në industrinë e muzikës  dhe qëndron prapa një sërë hiteve shqiptare që janë realizuar ndër vitesh, të emrave të mëdhenj të skenës.

Siç u bë e ditur, këtë vit u përzgjodh për të përfaqësuar shtetin e Qipros në Eurovision Song Contest 2022, si kompozitor dhe producent i këngës, përfshirë edhe yjet e muzikës botërore: Alex P, Arash, Eyelar Mirzazadeh, Robert Uhlmann dhe Viktor Svensson.

Po ashtu melodia e këngës është krijuar nga dy artistët  Filloreta Raçi-Fifi dhe Ylli Limani.

Miftari në një intervistë për mediat ka treguar detajet rreth këtij projekti duke treguar se si erdhi deri te bashkëpunimi i tyre.

“Tashmë të gjithë jemi të vetëdijshëm që rrjetet sociale shërbejnë si mundësi promovimi dhe urë komunikimi në të njëjtën kohë. Pasi është parë dhe përcjell puna ime, jam kontaktuar nga krerët e ekipit për bashkëpunim. Falënderoj veçanërisht Alex Papaconstantinou për këtë ftesë”, është shprehur ai. Producenti shqiptar gjithashtu ka treguar për vështirësitë që kanë hasur në realizimin e këngës, duke marrë parasysh dhe kushtet e pandemisë.

“Të finalizosh një projekt të këtyre përmasave në këtë kohë pandemie ku pjesë e ekipit kanë qenë muzicient dhe kompozitor nga e gjithë bota patjetër që ka pasur vështirësitë e saj. Në pamundësi për të punuar nga afër, shpesh herë jemi detyruar të punojmë edhe me video-telefonatë duke i komunikuar idetë tona në mënyrë virtuale. Këngën e kemi finalizuar së bashku me Alex Papaconstantinou dhe këngëtaren përfaqësuese të Qipros Andromachi në Athinë”, tha ai.

Ai beson se kjo këngë do të ketë suksesin e merituar dhe do të vlerësohet në bazë të pritshmërive të tyre.

“Tashmë Qipro veçse është në finale dhe ne presim që kënga të vlerësohet sipas pritshmërive tona”, shtoi më tej kompozitori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al