ENIDA HIMAJ/ Elsa Lila është rikthyer sërish për publikun shqiptar, këtë herë me një libër. Ditët më të vështira të jetës së saj, ku për afro dy muaj qëndroi në qeli, artistja e famshme i ka hedhur në letër, si një mundësi për të inspiruar njerëz. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama”, këngëtarja rrëfen detajet nga burgu në Romë, si dhe përshtjellimet e librit “Mirë se erdhe në Rebibbia”. Artistja rikthehet tek ai mëngjes marsi, ku policia trokiti në derën e saj, dhe ajo i mirëpriti edhe me kafe.
Ndjesitë që kjo ngjarje ka lënë në jetën e saj si dhe në atë të vajzës 11-vjeçare, Evita, që Elsa e quan me të drejtë heroi i heshtur i kësaj historie. Por përgjigja më e mirë e këngëtares për të gjitha akuzat e bëra, dhe komentet, është arti. Pas librit, ajo do të vijë pranë familjeve shqiptare me 8 këngë për festat e fundvitit, duke u shprehur se për vendin që u rrit, nuk ka mllef, vetëm dashuri…
Elsa Lila vjen për herë të parë si shkrimtare, me librin “Mirë se erdhe në Rebibbia”, si erdhi ky libër?
Ideja më erdhi qëkur isha në burg. Duke qenë se isha e pafajshme dhe e përjetoja atë eksperiencë, paksa më e qetë se të tjerat që ishin në faj, duke qenë se e dija që herët ose vonë do të dilja nga ajo skëterrë më bëri që të mendoja për librin që në ato çaste. Jam përpjekur që të memorizoj fytyra, emra, ngjarje, veçoritë e dhomave, të korridoreve. Të memorizoja sa më shumë faktor, personazhe dhe histori. E kam shkruar që në mëndje. E kam edituar që ato dy muaj. Pata shpërthimin këtë verë, pasi pata nevojë 1 vit e gjysmë që ta dekantoja këtë histori dhe ta shkruaja pa nerv, pa mllef. E kam lejuar që të ketë bukurinë e saj edhe në dhimbjen e saj.
Thoni se që në burg, jeni menduar që të memorizoni detajet. Si mundet dikush, i gjendur në ato rrethana, të mendojë për librin, për detajet që ka për rreth?
Forcën e gjeja tek pafajësia, sepse e dija që një ditë do të dilja.
Nuk të bluante ndopak ideja, se mund të ishit viktimë e një padrejtësie?
Sigurisht që po. I kam stisur të gjitha skenarët e mundshëm në mend. Kush mund të ma ketë bërë këtë gjë, kush ka dëshirë të hakmerret për diçka, pse mund të ketë ndodhur.
Po në Itali, keni armiq?
Të gjithë kemi armiq. Sa më shumë talente të kesh, sa më i vlefshëm të jesh, aq më shumë goditesh. Sa më pak kompromise të bësh me artin tënd, apo me të qenit intelektual, apo qoftë dhe njeri, aq më shumë goditesh. Nuk jam e para. Këtë gjë e kanë përjetuar përpara meje, ndër shekuj artistë të tjerë, nga të gjitha fushat. Disave iu është dashur të bëjnë kompromise, apo të zhduken, apo të vdesin në varfëri. Van Gog për shembull, apo edhe Rivaldi.
Kthehemi pak tek momenti i arrestimit, mendimi i parë që iu erdhi në mendje, kur ju thanë se jeni e arrestuar?
Libri im nis pikërisht me këtë moment. Nis me “bum bum bum”. Ashtu nisi, ndërkohë që ti fle gjumë, i pafajshëm në shtrat, nuk je gjëkundi duke vjedhur, duke vrarë, apo duke shqetësuar rendin publik. Kur dëgjon derën në mes të natës, që bie me potencë, teksa isha duke fjetur me vajzën time, ishte shokuese. Ftoj të lexojnë librin, sepse kësaj pyetje i përgjigjem me rreth 25 faqe ato dy orë. Nga ora 5 deri në orën 7 të mëngjesit, kur edhe dola nga shtëpia.
Si u ndje Elsa Lila kur pa se shqiptarët, e kishin gjykuar, apo edhe akuzuar për këtë histori?
Kur Elsa doli nga burgu dhe mori vesh gjithë këtë katrahurë, u mundova që t’i jap peshë brenda meje, atyre mijëra njerëzve që më kanë mbështetur. Atyre profesionistëve që u ekspozuan si kundra rrymës për të më mbështetur gjatë atyre ditëve. Gjithë të tjerëve iu them thjesht, nëse do të donit që Elsa Lila të vdiste, e ndihmuat që Elsa Lila të ngjallet edhe më shumë.
Ishte kjo arsyeja që u rikthyet në skenat shqiptare?
Jo nuk ishte kjo. Unë po e studioja si artiste. Të gjithë ata që bëjnë art, e kanë një moment tërheqje, që i shërben për të reflektuar, për t’u rikthyer më të kthjellët. Ndërkohë unë përgatitesha për vite e vite me radhë për fushën e muzikës baroke, ngrita një kuartet. Ndërkohë që këtu thuhej se unë nuk këndoja, unë këndoja përditë. Kam regjistruar një vepër baroke të 1726, të cilën drejtoresha e Teatrit të Operës, nuk ma lejoi ta shfaqja. Ndonëse unë jam rritur në atë institucion, pasi babai im punonte tek Teatri i Operës dhe unë jam rritur aty. Unë kam dal në 2019, në Festivalin e fundvitit, si e ftuar.
Rikthimi juaj me këngën “Evita”, ishte prezenca juaj e parë, në Tiranë, pak muaj pas burgut. Tirana ziente nga lajmet rreth teje, dhe ju riktheheni dhe ngjiteni ne skenë, dhe fitoni
Unë vij sepse ftohem nga organizatorët e atij viti të Festivalit. Iu përgjigjem se unë do të vija vetëm nëse do të mundesha të sillja një këngë të bukur. Është kënga që do ta vendoste prezencën time. Ishte korrik kur më ftuan, unë kisha dal në fund të majit nga burgu. Mund ta imagjinoni sesa e kisha durimin për të marrë pjesë në ngjarje publike. Mirë po inspirimi deshi që unë të krijoja një këngë për vajzën time. Prandaj u riktheva.
Keni folur në intervista edhe për ngjarjet brenda burgut, ka pasur momente kur Elsa rrezikohej brenda në burg?
Atje çdo gjë mund të ndodhte. Të gjithë atje brenda kalojnë momente të vështira, përtej vështirësisë së habitatit. Sepse popullata atje brenda është edhe me probleme psikologjike, të cilat unë i kuptoja, pas dy muajsh që qëndrova. Kam pasur momente shumë kritike aty brenda. Jam ndihmuar nga një vajzë shqiptare, por edhe nga personazhe të tjerë, që janë pjesë e librit. Nga të burgosura, por edhe nga dy gardiane.
Në çfarë konteksti thoni më ndihmuan?
Ka pasur disa lloj ndihmash që më janë dhënë. Për shembull vajza shqiptare më prezantoi dhe më garantoi mbrojtjen e një klani të fuqishëm brenda në burg. Të cilat duhet t’i kesh patjetër brenda burgut, sepse ndryshe je si një lëvore are në mes të një oqeani që mund ta vërtiti era dhe ta çojë ku të dojë. Sigurisht që ke nevojë për mbrojtje. Aty mbrojtja bëhet nëpërmjet familjeve më të forta. Fatmirësisht nuk qëndrova gjatë që të kisha mundësi të bëja diçka vetë.
Si i ka përjetuar vajza të gjitha këto ndodhi?
Ka qenë për ne ngjarja më e rëndë e jetës sonë. Evita, një zog i vogël 11 vjeçar, iu desh të përjetonte një mal të madh, më të madh se shpatullat e saj. Ajo është rritur vetëm me mua, pasi unë jam një mama single, kështu që ajo është mësuar të rrijë me mua gjithmonë. Jam pika e vetme e referimit të saj. Nuk e imagjinoni dot se çfarë ndjesish ka një fëmijë, që sheh se mamaja e saj i hiqet nga sytë, me 7 policë të armatosur. Dhe jo vetëm, por ajo rri në shtëpi, lexon portalet dhe shikon që mamin ia shajnë. Dhe ajo me të drejtë mendon se mami im është shumë e mirë, ajo s’ka bërë asgjë për të merituar këto.
Këto gjëra nuk janë të lehta, nuk mund t’jua u tregoj me një fjali se çfarë ka kaluar dhe çfarë pune unë kam bërë me atë fëmijë dhe vazhdoj të bëjë përditë për atë që kaluam. Një nga gjërat që unë bëra për të menjëherë është që ti dedikoja një këngë. Këngën e parë, nuk ia dedikova lirisë, apo burgut, por vajzës. Ajo ka qenë një ndihmë shumë e madhe për të. Ajo ka qenë heroi i heshtur i kësaj ngjarjeje, që quhet Evita, për të cilën këta njerëz, që unë nuk i quaj njerëz, por shumë afër kafshëve, nuk menduan fare. Edhe unë tregova veten se kush jam, dhe ja ku jam sot, me një libër, për të inspiruar njerëzit dhe për të marrë forcë.
Si është jeta e Elsa Lilës sot, pak nga e përditshmja juaj?
Si jeta e një artisti që jeton si artist edhe kur fle gjumë. Jam një njeri i thjeshtë, që më pëlqejnë gjërat e thjeshta. Më gëzon një pjatë e mirë makaronash, që Evitës i pëlqen, më gëzon një zog që më vjen dhe më ulet në tarracë. Më gëzon një lule që ka mbirë, sepse unë merrem shumë me bimët. Më gëzon një motiv që më vjen gjatë ditë dhe ulem në piano. Më gëzojnë njerëzit kur më ndalojnë në rrugë apo më shkruajnë mesazhe të bukura. Nuk më pëlqejnë veshjet firmato, nuk më pëlqen materializmi. Do të thosha që është një jetë e thjesht ajo që unë bëj.
Tani që kjo historia e burgut është mbyllur, ke pasur kontakt me dikë nga palët e përfshira?
Ndoshta me dikë që ka dal i pafajshëm? Jo, të gjithë ata që u arrestuan atë natë vijojnë të jenë në burg. Unë jam e vetmja që m’u dha pafajësia dhe jam këtu ku jam sot.
E mendoni ndonjëherë rikthimin në Tiranë, një rikthim definitiv?
Asnjëherë unë nuk them jo dhe jeta është shumë e gjatë. Kjo është shtëpia ime, këtu kam lindur jam rritur. Dikur pse jo. Kur Evita të mbarojë shkollim, pse jo. Kjo është shtëpia ime.
Çfarë të ka zhgënjyer më shumë nga kjo ‘shtëpia jote’?
Unë nuk ndaloj asnjëherë tek zhgënjimet. Kërkoj të marrë gjithnjë pjesën më të bukur të ngjarjeve, apo të njerëzve. Të gjithë ne kemi aspektet pozivitive dhe negative. Këta njerëz i kapi dalldia e lajmit, e të qenit sipërfaqësor. Nuk i gjykoj, sepse fundja kanë shprehur mendimin e tyre. Dhe nëse jam këtu përsëri, me një libër, është sepse nuk kam asnjë inat dhe asnjë mllef me këtë popull që jam rritur dhe shumë janë rritur me muzikën time.
Cilat janë projektet e afërta të Elsës?
Po, në fillim të dhjetorit unë do të jem e pranishme në Shqipëri me një projekt muzikor. Mendova se Shqipërisë i mungonin këngë me tematikën e Krishtlindjeve dhe vitit të ri. Atëherë, në korrik, kur të gjithë ishin në plazh, unë regjistroja dhe shkruaja tekste për vitin e ri. Kam marrë këngë nga klasikët amerikanë të viteve 30-50 dhe i kam tekste si dhe i kam ambientuar në Tiranë. Do të jetë diçka shumë simpatike për ata që do e shikojnë. Besoj se ka dal një album fantastik për festat e fundvitit dhe shpresoj që të jetë i pranishëm në të gjitha familjet e shqiptareve dhe të na shoqërojë në shqip përgjatë festive të fundvitit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al