13 Tetor, 2017

Sa i kushton një familjeje ardhja në jetë e një fëmije?!


Çdo prind mund ta pranojë se fëmijët janë të kushtueshëm. Kujdesi shëndetësor për ta, shpenzimet pafund për pelenat dhe veshjet e tyre të vogla arrijnë deri në 12.500 dollarë vetëm në vitin e parë, sipas shifrave më të fundit nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë.

Dhe ndërsa çdo prind bën sakrifica financiare për foshnjën e tij, shumë prindër sot po përballen me këto kosto ndërsa kanë më pak të ardhura, duke e shtuar kështu barrën financiare të të pasurit fëmijë. Një studim i ri nga Alexandra Stanczyk, aktualisht një studiuese post-doktorale në Universitetin Berkeley të Kalifornisë, analizon mirëqenien ekonomike të familjeve një vit para dhe një vit pas lindjes së fëmijës te disa familje amerikane.

Ajo zbuloi se, mesatarisht, familjet përjetojnë një rënie të ndjeshme në mirëqenien ekonomike rreth ardhjes në jetë të një pjesëtari të ri.

1

Lindja e një foshnje, për ta thënë sa më thjeshtë, një eksperiencë shumë e rëndë fizikisht dhe emocionalisht, arsye kjo përse shumica e nënave në Shtetet e Bashkuara largohen për pak kohë nga puna pas lindjes së fëmijës. Megjithatë, shumë familje sot varen nga të ardhurat e grave, që do të thotë se largimi i përkohshëm nga puna mund të rezultojë në një kosto të madhe financiare duke qenë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë politika të lejes së paguar. Shumë nëna (dhe një numër në rritje baballarësh) duhet të heqin dorë nga rroga për t’u kujdesur për fëmijët.

Me t’u kthyer në punë, shumë gra përballen me “penalitetin e pagës së nënave”, veçanërisht në fund të spektrit të të ardhurave. Në kontrast, burrat shohin një rritje të të ardhurave të tyre pas lindjes së një fëmije. Ndërsa kjo mund të ndihmojë disi në kompensimin e fitimeve të ulura nga nëna e re te një familje me dy prindër, të ardhurat më të ulëta të grave nënkuptojnë më pak të ardhura në përgjithësi për familjet.

Rënia e të ardhurave të prindër pas lindjes së fëmijës mund të ketë pasoja të mëdha për fëmijët gjithashtu. Paratë janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve, edhe përpara lindjes së tyre. Bebet e lindura në varfëri janë në rrezik më të lartë të lindjes së parakohshme (që lidhet me probleme afatgjata të intelektit dhe zhvillimit) dhe me rezultate të tjera negative. Të ardhurat e pamjaftueshme të familjeve dëmtojnë fëmijët – veçanërisht në moshë të re – duke prekur performancën e tyre social-emocionale, konjitive dhe akademike.

Lindja e një fëmije prek mirëqenien financiare të familjeve në kuptimin e të ardhurave, por kjo goditje financiare është veçanërisht e dëmshme për nënat beqare. Mungesa e mbështetjes financiare të një partneri ose anëtari familjeje bën që shumë prej këtyre grave të mbështeten fuqishëm në ndihmën sociale dhe politikat lehtësuese. Stancyzk zbuloi se këto ndihma e lehtësojnë gjendjen, por jo mjaftueshëm për shkak se barra financiare e të qenët jashtë pune është aq e lartë saqë shumë prindër të arsimuar dobët apo nënat beqare priren të kthehen në punë më shpejt sesa prindërit e martuar apo të arsimuar më mirë. Kjo ka pasoja madhore për nënën dhe fëmijë, përfshirë norma më të larta të depresionit mëmësor dhe norma më të ulëta të imunizimit dhe vizitave shëndetësore për fëmijët e tyre.
Këto trende në SHBA përballen me kontrast të madh në familjet europiane, ku të ardhurat e familjeve priren të rriten me lindjen e një anëtari të ri të familjes. Ndryshimi, sipas Stanczyk qëndron te politikat e vendeve europiane që mbështesin familjet me fëmijë të vegjël duke paguar lejen nga puna dhe subvencione të tjera për kujdesin ndaj fëmijës. Dhe kërkimi thekson se përfitimet e politikave të tilla shkojnë përtej familjeve individuale: leja e paguar, për shembull, shton gjasat që një nënë e re të mbetet në tregun e punës dhe të vazhdojë të kontribuojë në produktivitetin kombëtar të përgjithshëm.
Koha e mjaftueshme për t’u kujdesur për një fëmijë në muajt e hershëm ka një ndikim afatgjatë në kujdesin dhe zhvillimin afatgjatë të një fëmije. Dhe shtetet që kanë politika të lejes së paguar të lindjes e pakësojnë barrën qeveritare të programeve të ndihmës.
Vetëm 12 për qind e punonjësve të sektorit privat kanë akses në lejen e paguar nga punëdhënësit, sipas Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës. Mes punonjësve me të ardhura të ulëta, ky numër bie me 4 për qind – që do të thotë se në përgjithësi përfitimet nga sektori privat i përjashtojnë punëtorët me të ardhura të ulëta që do të përfitonin më së shumti nga politika të tilla. Duke përshkruar vështirësinë financiare që shumë familje hasin gjatë një momenti thelbësor të jetës së tyre, Stancyzk nënvijëzon pasojat e thella që mosveprimi i politikbërësve federalë shkakton duke mos ndihmuar familjet që përballen me konfliktin punë-familje./KidsTime

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al