21 Shkurt, 2018

Sekreti i jetëgjatësisë? Ca gota alkool dhe do jetoni më shumë se 90 vite


Sekreti i jetëgjatësisë është një temë që diskutohet shumë nga studiues të ndryshëm.  Ngrënia shëndetshëm, praktikimi i jogës në mënyrë të rregullt në një vend të qetë, ecja… njerëzit kanë provuar çdo lloj sporti që të rrisin vitet e tyre të jetës.

Por një studim i kryer së fundmi ka zbuluar se çelësi për të kaluar moshën 90-vjeçare është duke pirë ca gota alkool gjatë natës.

Një sugjerim i tillë vjen nga ekspertja Claudia Kawas nga Universiteti i Kalifornisë, e cila ka kaluar më shumë se 15 vite duke studiuar njerëzit mbi 90 vjeç.

Ajo dhe skuadra e saj e kanë nisur kërkimin për sekretin e jetëgjatësisë në vitin 2003, për të kuptuar se pse disa persona e kapin moshën 90-vjeçare shumë të tjerë jo.

Në studim u përfshinë 1700 vullnetarë, ku u monitoruan në lidhje me mënyrën e jetesës dhe si ndikonte ajo në shëndet.

Në fund rezultoi se ato që konsumonin dy gota birrë apo verë në ditë ishin 18 për qind më pak të rrezikuar që të kalonin një vdekje të parakohshme.

“Nuk kam ndonjë shpjegim për këtë, por mendoj se konsumimi i moderuar i verës ose birrës shton jetëgjatësinë”, deklaroi dr. Kawas gjatë konferencës së përvitshme të organizuar nga Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës.

Për këtë, ajo rekomandon gjithashtu që të mbani një peshë të shëndetshme dhe të pini 2 filxhanë kafe në ditë. Ekspertja sugjeron të dilni nga shtëpia dhe të flisni edhe me të panjohurit, në vend që të rrini duke plotësuar fjalëkryqe ose duke luajtur Sudoku.

“Njerëzit duhet të përpiqen të përfshijnë sa më shumë gjëra gjatë ditës nëse duan t’i japin shansin vetes që të jetojnë sa më gjatë”, deklaroi ajo gjatë një konference të mbajtur në Austin të Teksasit.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al