13 Nëntor, 2018

Shikimi, 10 këshilla si mund ta mbrojmë atë


Kur bëhet fjalë për shikimin, të gjithë jemi të in teresuar për të ditur më tepër mbi kujdesin që duhet të tregojmë për të mos e humbur atë.

Më poshtë janë disa nga këshillat që mund t’u vinë në ndihmë për të përmirësuar dhe mbrojtur mbi të gjitha shëndetin e syve tuaj. Përdorimi i syzeve të diellit, moskonsumimi i duhanit, e deri tek ushqimet që zgjedhim të konsumojmë në çdo vakt, janë disa nga sugjerimet që japin ekspertët për të mbajtur larg problemet që mund të na lindin me shikimin.

Mbani syze dielli
Përdorimi i syzeve të diellit parandalon zhvillimin e kataraktit, të njohur ndryshe si perdja e syrit, pasi rrezet e diellit drejtpërsëdrejti nxisin formimin e tyre. Syzet po ashtu parandalojnë dëmtimin e retinës, mbrojnë lëkurën delikate të qepallës për të parandaluar rrudhat dhe kancerin e lëkurës rreth syrit. Sigurohuni që syzet tuaja të bllokojnë 100 për qind rrezet UV-A dhe rrezet UV-B.

Mos pini duhan
Pirja e duhanit është e lidhur drejtpërdrejt me shumë efekte të padëshirueshme shëndetësore, përfshirë degjenerimin makular të moshës (AMD). Studimet tregojnë se duhanpirësit e tanishëm dhe ish-duhanpirësit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë AMD sesa njerëzit që kurrë nuk kanë pirë duhan. Duhanpirësit janë gjithashtu në rrezik në rritje për zhvillimin e katarakteve, njohur ndryshe si perdja e syve.

Kujdes me regjimin ushqimor
Mungesa e vitaminave po ashtu mund të dëmtojë funksionin e retinës. Besimi se konsumimi i karotave përmirëson shikimin qëndron, por një shumëllojshmëri e perimeve, sidomos ato me gjethe jeshile, duhet të jenë me patjetër një pjesë e rëndësishme e dietës suaj. Hulumtuesit kanë dalë në përfundimin se të gjithë ata që ndjekin një dietë të pasur me vitamina C dhe E, po ashtu me përmbajtje të zinkut, luteinës, acideve yndyrore omega-3 DHA dhe EPA kanë më pak gjasa të zhvillojnë AMD të hershme dhe të avancuar.

Kontrollet rutinë 
Edhe pse mund të mos iu shfaqen shenja apo faktorë rreziku për sëmundje të syve, të gjithë ata që janë në moshë mbi 40 vjeç duhet patjetër të drejtohen te mjeku okulist për një kontroll rutinë. Bazuar në rezultatet e shqyrtimit fillestar, mjeku do të përshkruajë intervalet e nevojshme për kontrollet pasuese. Sakaq, kushdo me simptoma ose një histori familjare të sëmundjes së syve, diabetit ose presionit të lartë të gjakut duhet patjetër të konsultohet me një specialist për të përcaktuar se sa shpesh duhet të vizitojë sytë.

Mbrojtja e syve

Rreth 2.5 milionë dëmtime në sy ndodhin çdo vit vetëm në SHBA, prandaj është e rëndësishme të vendosim mbrojtjen e duhur te sytë për të parandaluar dëmtimet e tyre gjatë aktiviteteve sportive dhe angazhimeve në shtëpi si riparimet, kopshtaria dhe pastrimi.
Njihni historinë tuaj familjare
Shumë sëmundje të syve e kanë gjenezën në familje, prandaj duhet të njihni historinë e sëmundjes së syve të familjes tuaj, sepse mund të jeni të rriskuar. Sëmundjet e syve të lidhura me moshën, përfshirë kataraktet, retinopatia diabetike, glaukoma dhe degjenerimi makular i moshës, pritet të rriten në mënyrë dramatike, nga 28 milionë deri në 43 milionë deri në vitin 2020.

Ndërhyrja e hershme

Kushtet më serioze të syve, si glaukoma dhe AMD, trajtohen më lehtë dhe me sukses nëse diagnostikohen dhe trajtohen në fillim. Mungesa e trajtimit të hershëm bën që këto sëmundje të shkaktojnë humbje serioze shikimi dhe verbëri. Ndërhyrja e hershme tani, do të parandalojë humbjen e shikimit më vonë.

Jini të vetëdijshëm për lodhjen e syve
Nëse keni tendosje të syve nga puna në kompjuter mund të ndiqni rregullin 20-20-20: Shikoni nga puna juaj çdo 20 minuta një objekt 20 metra larg për njëzet sekonda. Nëse lodhja e syrit vazhdon, kjo mund të jetë një shenjë e disa kushteve të ndryshme, siç është syri i thatë, prezbiopia, ose syze me lente që nuk janë në qendër të duhur. /Panorama Online/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al