16 Korrik, 2017

Shkrimtarja sllovene, fituese e Çmimit të Europës, në Tiranë për promovim


Të ulesh përpara një flete të bardhë, letre apo kompjuterike qoftë, nuk është asnjëherë ethjeshtë. Kaq shumë ide që vërtiten në mendje, por germat janë kokëforta e nuk duan të materializohen…

Pas suksesit me “Qiellin me manaferra”, Natasha Kramberger ndodhet pak a shumë në këtë dilemë. Jo se i mungojnë idetë, por friket se mund të zhgënjejë lexuesin.

“Kur shoh këtë pritje dhe dëgjoj fjalë kaq të mira e kam një motiv për të shkruar”, thotë ajo, e qeshur e sy plot dritë. Disa ditë më parë shkrimtarja sllovene, fituese e Çmimit Letrar të Europës, ndodhej në Tiranë e ftuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”, e cila ka fituar të drejtën e botimit të këtyre veprave, promovimi i të cilave mbështetet nga Bashkimi Europian.natasha-te-diana

Ceremonia u zhvillua në ambientet librarisë së shtëpisë botuese, ku të pranishmit ishin më të shumtë në numër se edhe vetë hapësira e zgjedhur. Ndryshe nga promovimet e zakonshme, ajo çka të bënte përshtypje ishte fakti se shumë nga të pranishmit e kishin lexuar librin. Kjo ndoshta edhe për faktin se botuesi Rexhep Hida ishte kujdesur për ta shpërndarë këtë vepër më parë se autorja të vinte në Shqipëri.

Për botuesin ishte kënaqë- si të kishte të pranishme në këtë promovim vetë autoren, e cila na sjell në Shqipëri, falë përkthimit të mrekullueshëm të Xhemile Zykajt, një copëz kulture nga vendi i saj, por edhe problemet që ndajmë të gjithë së bashku pas rënies së Murit të Berlinit. Ai e krahasoi librin me pikat e shiut që bien butë, njëra pas tjetrës, duke na dhënë një vepër tërësisht të veçantë.

Do të vijonte këtë mendim edhe përkthyesja dhe shkrimtarja Diana Çuli, e cila na prezantoi me autoren, përmbajtjen e veprës dhe strukturën e tij që i ikën tradicionales. E emocionuar, po aq sa edhe autorja, është edhe përkthyesja Xhemile Zykaj, që e ka ndjekur veprën germë pas germe. Ajo rrëfeu eksperiencën e saj në shqipërimin e kësaj vepre që e bëri për vete, pavarësisht skepticizmit të momentit të parë. LIBRI Mos kërkoni një histori me një fillim, zhvillim e fund te “Qielli me manaferra”.

Ai nuk ka formën e një romani klasik. Ai ndërtohet nga copëza jetësh që ndodhin në kohë e vende të ndryshme, të cilat u ngjajnë copëzave të një pazëlli, që të bëra bashkë në fund japin një panoramë të qartë të dy personazheve që rrugëtojnë nëpër vepër, Janës, një vajze të re sllovene, dhe Bepit, me më shumë eksperienca e aventura mbi shpinë.

I kompozuar në trajtën e rrëfimeve të shkurtra, që sjellin ngjyra të ndryshme vendesh e situatash, që të bën të ndiesh erën e tokës së lagur nga shiu, të ftohtin e rrobave të qullura, ankthin e një nate pa dritë, kërcitjen e një molle nën dhëmbë, vepra ka ritmin e një vrapi.

Personazhet vrapojnë të dalin nga errësira e jetës së tyre drejt një të nesërmeje më të mirë. Jo më kot një sllovene ka shkëputur një natë pa dritë në Amsterdam. Drita që ballkanasit kanë kërkuar në Perëndim, nuk është e thjeshtë për t’u arritur. Në fatin e Janës, që vërtitet rrugëve të Amsterdamit me një fëmijë gjysmë kinez në krahë, me mllefin e biçikletës që i kanë vjedhur dhe thirrjen nga zyrat e emigracionit, në xhep, janë të shumtë ata që e gjejnë veten.

Vendi i shumëndërruar mund të kthehet në një rrugicë të errët apo një aeroport pa dritë, ku plot ankth pret të ndizet ngjyra jeshile në fjalën “Exit”. Të gjitha këto, Natasha Kramberger i përshkruan me një dozë humori e ironie, duke e bërë librin të këndshëm, si një qiell në ngjyrë manaferre./Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al