18 Janar, 2020

Shtatzënia e paplanifikuar e Klea Hutës me Elgit Dodën, historia e çiftit që e mbajtën lidhjen sekret për 6 vjet


Klea Huta do të bëhet nënë për herë të parë. Pasi ishte e ftuar në “Shiko kush luan”, mediat hodhën dyshimet e para se aktorja, prezantuesja dhe këngëtarja Klea Huta është në pritje të ëmbël, duke u nisur nga barku i saj i rrumbullakosur.

Ndërsa së fundmi, mediat shkruanin se Klea dhe Elgiti janë në pritje të një djali, duke zbuluar kështu edhe gjininë e bebit.

Fëmija pritet të vijë në jetë në ditët e para të verës, ndërkohë që burime pranë çiftit tregojnë se bëhet fjalë për një shtatzëni të paplanifikuar për Klean.

Ky perceptim, nisur nga fakti se në intervistat e mëparshme, Klea dhe Elgiti shpreheshin se po shijonin thjesht lidhjen dhe se krijimi familjes apo sjellja në jetë e fëmijës së parë ishte diçka që i takonte së ardhmes. Kujtojmë që për herë të parë mediat shkruanin për lidhjen e Kleas me kantautorin Doda para dy vitesh.

Një foto e publikuar në profilin e Klea Hutës dhe të Elgit Dodës konfirmoi më në fund ekzistencën e raportit të dashurisë mes tyre, edhe pse kishin kohë që shoqëroheshin bashkë, duke qenë se kishin bashkëpunuar për projekte të ndryshme.

Por habia për publikun ishte e madhe, pasi një ditë më parë e ftuar te “Rudina”, Klea e la pa përgjigje pyetjen se si qëndronte e vërteta e marrëdhënies së saj me Elgitin, ndërsa direkt ditën tjetër konfirmoi lidhjen e tyre.

Në foton e postuar ajo mori shumë komente, ku të gjithë e pyesnin se përse një ditë e mohoi dhe të nesërmen e pohoi lidhjen me Elgitin. Sigurisht që nuk munguan as urimet VIP dhe ‘habitë’ nga personazhe të tjera të botës së showbizz-it.

Që prej asaj kohe, secili prej tyre u përpoq të fliste më shumë me anë të gjesteve e fotove të postuara në “Instagram”, sesa me fjalë gjatë e gjerë për marrëdhënien e tyre. E ftuar në “Thumb”, Klea Huta dha disa detaje lidhur me partnerin e saj, duke zbuluar fakte nga marrëdhënia e tyre jashtë vëmendjes së publikut.

Fillimisht, Klea pranoi se vitet e fundit pushimet i kishte kaluar me Elgitin, pavarësisht se e kishin mbajtur sekret. Por jo vetëm kaq, një fakt për t’u përmendur dhe që e bëri marrëdhënien më serioze, ishte se lidhja e tyre ishte bërë edhe familjare.

“Në momentin që e kam njohur unë Elgitin, e kanë njohur edhe ata. Unë dhe Elgiti njihemi këtu e para 6 vitesh”, tha ajo para dy viteve.

“Ka qenë mendim shumë i mirë dhe shumë pozitiv nga familjarët e mi për Elgitin. Dhe kryesorja, ata ecin me idenë ‘nëse ti je e lumtur, edhe ne jemi të lumtur’”, ka treguar Klea.

Me këtë deklaratë, ajo pohoi se familja e Kleas është mjaft e kënaqur me zgjedhjen e vajzës së tyre, ndërkohë që sa i takon lidhjes që ata kanë, duket se silleshin si çift i martuar. Elgiti e shoqëroi Klean me statusin e partnerit në udhëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po xhironte dhe intervistonte personazhe të famshme për një program televiziv të “Top Channel”.

Elgiti mori përsipër menaxhimin e Kleas jo vetëm si këngëtare, por edhe si showgirl, pasi e shoqëronte kudo. Klea mund të themi se ndihet e bekuar dhe me fat, sepse po shijon karrierën dhe dashurinë.

Ndonëse e kanë ditur që sytë kureshtarë përreth kanë qenë të shumtë dhe gjithashtu edhe fotografët, Elgit Doda dhe Klea Huta u panë së bashku për herë të parë gjatë finales së festivalit “Kënga Magjike”. /Panoramaplus.al

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al