Ellen DeGeneres po relaksohet pasi mbylli ‘talk show-n’ e saj të famshëm pas 19 sezonesh.
Komediania dhe bashkëshortja e saj Portia de Rossi u fotografuan duke ngrënë gjatë pushimeve në Marrakesh, Marok. Ato u panë gjithashtu të kapura për dore teksa shijonin pamjet shumëngjyrëshe që ofron qyteti afrikan.
Përpara se të mbyllte “The Ellen DeGeneres Show”, ish-prezantuesja zbuloi se kishte në plan të shkonte në Afrikë për të kaluar kohë në kampusin arsimor që hapi atje.
Burime kanë thënë për ‘Page Six’ se përfundimi i spektaklit solli shumë emocione. “Ellen ka qarë shumë,” tha një burim. “Gjithë javët përpara mbylljes ishin shumë emocionuese.”
“Ajo donte të mbyllte gjithçka në heshtje,” tha një burim televiziv i njohur për Page Six. “Ishin miqtë dhe familjarët e kastit dhe ekuipazhit në studio.”
Megjithatë karriera e Ellen ka qenë me ulje-ngritje. Ajo u vendos në qendër të kritikave në mars 2020, kur komediani Kevin T. Porter postoi në Twitter, duke u kërkuar ndjekësve të ndajnë historitë më të çmendura që kishin dëgjuar për Ellen DeGeneres. Katër muaj më vonë, “The Ellen Show” u akuzua se ishte një vend “toksik” për të punuar në një artikull nga BuzzFeed që përmbante intervista me 11 ish-punonjës. DeGeneres më pas kërkoi falje në transmetim, duke thënë se ajo nuk ishte në dijeni të problemeve të supozuara. Megjithatë, zërat e përhapura u pasuan nga një rënie e konsiderueshme në sponsorë dhe vlerësime, me yllin që njoftoi në maj 2021 se ajo do t’i jepte fund emisionit.
DeGeneres tha për The Hollywood Reporter se vendimi i saj nuk kishte të bënte me polemikat prapa skenave. “Kur je një person kreativ, duhet vazhdimisht të sfidohesh – dhe sado i mrekullueshme të jetë kjo shfaqje dhe sado argëtues të jetë, thjesht nuk është më sfidë. Pretendimet për një vend pune “toksik” “më shkatërruan, sinqerisht. Do të gënjeja nëse do të thosha se jo.”
Këtë vit, duket se DeGeneres ka shkuar përtej gjithçkaje për t’u siguruar që stafi i saj të jetë i kënaqur. Muajin e kaluar, New York Post zbuloi se ajo po shpërndante miliona dollarë shpërblime për stafin e saj. DeGeneres gjithashtu thuhet se u dha dhurata të gjithëve duke përfshirë udhëtime, orë, makina. Ndërkohë, Deadline raportoi se punonjësit morën letra që siguronin se Warner Bros planifikon të zgjasë mbulimin e kujdesit shëndetësor për gjashtë muaj pas përfundimit të programit.
Lëvizja e radhës në karrierë e DeGeneres mbetet për t’u parë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al