19 Prill, 2021

Si është një kampion në shtrat? Rrëfehet Ismail Jonny Keta: Në ring më quajnë ‘The bull’!


Kur përmendet emri i tij, menjëherë përpara të shfaqet një arenë ringu, vend ku ai për vite me radhë ka bërë krenarë gjithë shqiptarët në botë.

Ismail Jonny Keta vjen në një intervistë mjaft të sinqertë mbi veten, familjen dhe karrierën si një kampion i vërtetë.

U bënë disa vite që merresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?

Ismail Jonny Keta: Ka disa vite që jam larguar nga sporti profesionist, pas rezultatit të mjaftueshëm për mua, ndër të tjera edhe moshës. Por sporti është i pandarë për mua për shëndetin dhe të jem deri diku edhe shembull për nxënësit apo fëmijët e mi si motivim më i duhur për mua.

E ke pasur problem fillimin, baticat, zbaticat, përkrahja nga dikush?

Ismail Jonny Keta: Si në çdo profesion, fillimi është i vështirë. Të vish nga Shqipëria e viteve ‘90- ta në mes të Gjermanisë, siç dhe nga vija unë, ku kultura e sporteve të boksit ishte komplet i vdekur nga ishsistemi komunist, ishte ekstrem e vështirë. Por kur njeriu e do diçka me shpirt dhe adhuron djersën, arrihet çdo gjë. Përveç vështirësive që kisha në sport pasi kujtoja që po të kesh një fizik të fortë dhe kesh zemër si shqiptarët e historisë sonë heroike, nuk është problem të jesh boksier, kam pasur akoma më të vështirë duke qenë shqiptarë. Por falë respektit që merrja kur vija në Shqipëri nga shqiptarët zemërbardhë, kthehesha në Gjermani dhe kisha forcë t’u tregoja vështirësive dhe gjermanëve që ne shqiptarët nuk jemi ashtu siç mendohet dhe njëkohësisht të bëja miq njerëz të lartë gjermanë, të cilët i kam akoma dhe sot miq të ngushtë.

Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë, a ke?

Ismail Jonny Keta: Ngaqë adhuroj shpirtin luftarak dhe të jem aktiv në ringun e boksit, pëlqej akoma stilin e Mike Tyson. Por ngaqë mësova që forca e njeriut nuk është te grushti apo trupi i fortë, por zemra dhe truri, Muhamed Ali ngelet idhull për mua.

Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që t’i kultivon?

Ismail Jonny Keta: Ka plot talente. Sidomos te ne shqiptarët, pasi guximi që duhet, si në jetë, akoma më shumë në ringun e boksit, është pjesë e gjenit të shqiptarit. Por nuk mund të përmend emra, pasi këmbëngulja, dëshira të derdhesh djersë pa para për pasionin që është kryesorja në jetë dhe aq më shumë në sport, është zbehur shumë në brezat e tanishëm.

Cilat janë planet për vitin e ardhshëm?

Ismail Jonny Keta: Sporti është “My Baby” në lidhje me profesionin. Me të dua të vdes. Përveç familjes, 3 djemve që përveç shkollimit dua me patjetër t’i edukoj me sport dhe të mos harrojnë që rrënjët i kanë në Shqipëri (në fshatin KocajBulqizë të Dibrës), unë, vëllezërit dhe miq të mi gjermane dhe shqiptarë, kemi hapur edhe një fondacion bamirës për fëmijë “Keta 4kids” www. keta4kids. com, i cili është një projekt shumë i përzemërt për mua.

Po çfarë mendon të arrish në karrierë, cilat ishin synimet?

Ismail Jonny Keta: Pasi arrita të bëhem për të 3-ën herë kampion bote në vitin 2013 dhe u bëra baba i djalit tim Gjergji dhe mosha arriti në kufizim për sportin profesionist, vendosa të largohem nga ringu i boksit si sportist profesionist. Por jo nga sporti për ta azhuruar në vazhdim për mirëmbajtjen e shëndetit dhe për të transmetuar dhe mësuar vlerat e sportit tek të rinjtë si në Gjermani, ashtu edhe në atdhe, Shqipëri. Dhe duke shtuar edhe Fondacionin KETA 4kids, sporti dhe familja ngelen “My baby”.

Sa meçe ke pasur deri më tani, në sa ke dalë fitues e sa humbës?

Ismail Jonny Keta: Unë kam filluar të ndeshem në ringun e boksit që kur kam ardhur në Gjermani në vitin 1996 dhe e kam mbyllur me 3 dhjetor të vitit 2013. Fitoret e sakta në numër nuk i mbaj mend, përveç titujve. Por mbaj mend mirë humbjet se falë atyre mësova shumë në sport dhe jetë dhe u bëra kampion. Kam pasur 5 humbje si amator dhe 3 si profesionist. Falë tyre po të më kërkohej për t’u ndeshur për të shpëtuar jetën e një fëmije, kam guximin, besimin dhe potencialin për t’u futur me bindjen për të fituar përsëri në ringun e boksit.

A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa apo të bën më të fortë?

Ismail Jonny Keta: Siç u shpreha edhe më lart, pa humbje nuk mund të quhesh, ose është gabim të ndihesh kampion.

Çfarë ju shtyu të merreshit me këtë sport?

Ismail Jonny Keta: U rrita shumë krenar për gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi. Akoma më shumë për heronjtë me në krye Gjergj Kastriotin dhe me patjetër doja të isha pjesë e kuptimit të forcës. Në Shqipëri, sportet e boksit ishin të ndaluara. Pra, boksit i kisha dëgjuar emrin. Nga televizori bardhezi i asaj kohe, u bë idhull për mua Herkuli. Dhe fillova duke bërë stërvitje krejt primitive si duke ngrejtur gurë si shtanga dhe kur më pas doli filmi i Rocky Balboa, gjeta udhëtimin për realizimin e ëndrrës sime tepër të vështirë.

Por, siç thashë më lart, nuk kishte Trainer në Bulqizën time të varfër, të panjohur aspak me këtë sport, por të bukur si vendlindja e çdokujt dhe, pa dashje, shpeshherë tregoja forcën e grushtit, për të cilën stërvitesha dy herë në ditë me mënyrën time, në rrugë, dhe pse ishin rrugët e vendlindjes sime, ishte bashkëfshatari, vendasi apo njeriu im. Për fat, babai (Asllan Keta), ishte shumë i rreptë me mua dhe të zihesha rrugëve, kundërshtari më i pamposhtur u bë babai im. Dhe dashje pa dashje mendoja vetëm idhujt e sportit të boksit dhe pse nuk kisha mundësi dhe të gjithë thonin “Ky djali i Asllanit është budalla, nuk shkon të punojë në galeri për të ndihmuar familjen, por rri duke ngrejtur hekura dhe vrapuar në mal”, deri sa arrita të largohem për në Gjermani, duke lënë edhe shkollën e lartë që sapo e kisha filluar!

Si do ta përshkruanit stilin tuaj?

Ismail Jonny Keta: Në ring më quanin “The Bull”! Në fakt, unë kam qenë sportist i talentuar do thosha. Por këmbëngulës dhe i gatshëm më mirë të vdes në ring, sesa të humbas, edhe pse tingëllon goxha ç’menduri.

3 kombinime veshjesh: drekë familjare, punë në zyrë, një natë në party?

Ismail Jonny Keta: (Qesh), drekën e ha në shtëpi zakonisht me familjen dhe jam me rroba sporti, pasi kthehem nga shkolla e sportit dhe marr fëmijët nga kopshti. Në punë jam me kostum sportiv siç e kërkon sporti. Në takime zyrtare, vishem me dëshirë klasik. Parti një herë në viti gati shkoj me rroba sporti, deri kur ma kujton bashkëshortja (Bruna), Ismail i myke rrobat në raft. I mësuar nga disiplina që kërkon sporti, party im më shumti është të shkoj në dreka apo darka me miq apo ftesa lidhur me profesionin tim.

Si e shihni të ardhmen tuaj të ëndrrave?

Ismail Jonny Keta: Të jap atë që mësova në sport dhe jetë, fëmijëve të mi, nxënësve dhe njerëzve të dashur. Dhe kurrë të mos bëj keq nëse nuk kam mundësi të bëj mirë.

3 fakte të rastësishme për ju që nuk i dinim më parë?

Ismail Jonny Keta: Disa vështirësi që kam kaluar në jetë, duke më kujtuar që Zoti qenka vërtet i madh. Makinën që ma kishte dhuruar dikur një mik (doktor gjerman) kur isha vetëm një djalë i thjeshtë dhe i panjohur në sport, por që m’u prish dhe me ngeli merak se ishte e veçantë, nuk kisha mundësi ta blija përsëri, por me shumë se e kisha dhuratë nga një mik i çmuar. Dhe mbas disa vitesh, komplet rastësisht gjeta të njëjtën makinë me të njëjtën histori duke shtuar që po ky pronar ishte doktor.

Dhe kur direkt i dërgova një foto doktorit, mikut tim, ai më shkroi “Ej ti i çmendur, e paske rregulluar makinën”. Dhe si rastësi të tretë, mund të marr momentin se si kam njohur bashkëshorten time (Brunën), e cila sot është nëna e 3 djemve të mi (Gjergji, Arianiti dhe Kastrioti), pasi ishte në vendin dhe mjedisin e pamundur për të besuar që unë do takoj njeriun e jetës ose nënën e fëmijëve të mi.

Cila është një ditë tipike e juaja, 24 orë?

Ismail Jonny Keta: Pasi dërgoj fëmijët në kopsht dhe mbaroj stërvitjen e mëngjesit për veten, sportistin apo x prominent, duke përjashtuar fëmijët dhe orën e mësimit të sportit me nxënësit në darkë, fle në orën 12 të natës, duke u marrë në telefonin për të mbaruar obligime për njerëz të dashur dhe fondacionin KETA 4 Kids.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj gjatë këtyre viteve?

Ismail Jonny Keta: Të qenurit prind. Dëshira e madhe për vendlindjen. Dhe ndjesia për t’u ndier mirë, kur mundem të bëj mirë.

Jeni mjaft aktive në rrjetet sociale?

Ismail Jonny Keta: Po. Mund të them goxha kur kam kohë. Sidomos kohët e fundit nga interesi dhe ndodhitë absurde në trojet shqiptare! Si dhe përpiqen të jap mesazhet e mia. “Sporti është jeta, është ilaçi më i mire për rininë shqiptare. Më mirë fëmija të derdh djersë kot, se sa të rroj kot. Sado mirë të jesh në vend të huaj, duhet të ruash me mirënjohje atë vend, por shtëpia jote është vetëm vendlindja. Si dhe kuptimin e fjalës që më thoshte gjyshi im, “nëse nuk ke mundësi të bësh mirë o bir, keq mos bëj kurrë”.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al