18 Janar, 2020

Si nisi me dashuri dhe përfundoi me urrejtje. Pas ndarjes nga Jonida Maliqi, Romeo Veshaj nis romancë të re me …


Historia e ngatërruar e këngëtares me aktorin e humorit, si nisi me dashuri dhe përfundoi me urrejtje

Një romancë e bukur showbizzi, që nisi me dashuri dhe u mbyll me urrejtje brenda vitit 2019. Historia e dashurisë mes këngëtares së njohur Jonida Maliqi dhe aktorit të humorit, Romeo Veshaj, nuk iu gëzua dot Vitit të Ri 2020.

Shpërndarja me shpejtësinë e erës e një videoje të para dy viteve e Jonidës me kolegun dhe mikun e saj prej shumë vitesh, Flori Mumajesi, i hodhi benzinë zjarrit dhe bëri shkrumb e hi edhe historinë e saj me Romeon.

Në emisionin “Rreze dielli”, Jonida sqaroi situatën e saj pas publikimit të videos: “Dua të jem e drejtpërdrejtë, ashtu siç kam qenë gjithmonë. Çdo njeri ka njerëzit që e duan dhe ata që nuk e simpatizojnë, qoftë edhe nga ekrani kur nuk e njohin dikë. Megjithatë, ajo që mua më vjen keq është që ne po kultivojmë gjëra aspak të moralshme e njerëzore, kalojmë edhe limitet e privatësisë dhe për këtë e ka fajin media.

Duhet të dinë të bëjnë një baraspeshë me individin, karrierën, personalen, atë që përfaqëson. Megjithatë, nuk do doja të përmendja asnjë emër, unë jam një femër beqare. Kur dua, dua fort dhe nuk kam turp ta shfaq atë, jam një femër që kam moral. Ndaj vendos shumë herë të iki nga ky vend, sepse këtu të mungon qetësia e privatësia, njerëzit xhirojnë me telefon e i dërgojnë nëpër redaksi. Nuk e kuptoj çfarë ka të jashtëzakonshme, por këta individë nuk marrin as para, thjesht mbushin shpirtin e tyre bosh. Ajo që më vret janë njerëzit e sëmurë që arkivojnë gjëra dhe i përdorin në momentin më kulminant të karrierës sime. Zoti ua ktheftë, kaq.”

Në fakt, kjo video nuk ishte arsyeja e ndarjes së Jonidës me Romeon, pasi historia e tyre kishte disa javë që ishte mbyllur. Nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur, por burime pranë tyre flasin për faktin se Romeo kishte filluar të shoqërohej me Sara Kolamin, ndërkohë që kishte dalë hapur me Jonidën e madje, kishte postuar edhe një foto çift në “Instagram”-in e tij.

Çifti nuk shoqërohet që nga fundi i vitit 2019 dhe mësohet se vendimin për shkëputjen e marrëdhënies e ka marrë këngëtarja, ndërkohë që pas kësaj, Romeo fshiu foton e tyre nga profili në “Instagram”.

Po si arriti Romeo të hynte në jetën e Jonidës, e cila ishte një këngëtare që kishte tri vite që kishte hedhur pas krahëve divorcin me ish-bashkëshortin?

Natyrisht që u kuptua se si Romeo u bë i famshëm sa hap e mbyll sytë, kur nisi të komentohej për lidhjen me Jonidën, e cila ka karrierë të gjatë në skenë si këngëtare, anëtare jurie dhe prezantuese. I njohur si “binjaku” i humorit me vëllanë, Donald Veshaj, më pas ai mori shumë oferta televizive dhe reklama, duke e zgjeruar rrethin e tij artistik.

Djali simpatik nga Vlora provoi ngritjen më të madhe të imazhit në televizionin shqiptar, duke shijuar kënaqësinë e famës dhe të lidhjes si partneri i Jonidës. E pas publikimit të videos së para dy viteve në Paris të Jonidës me Flor Mumajesin, mediat hamendësuan se mund të ishte kjo arsyeja e ndarjes, por e vërteta qëndron ndryshe.

Në videon e bërë me aparat celular Jonida është bionde dhe videoja është bërë kur ajo nuk e njihte fare Romeon. Pas daljes së videos, edhe pse ishin ndarë, bëri përshtypje reagimi i Romeos, i cili përdori një frazë të Xha Sulos “U prish dynjaja”. Kujtojmë që Jonida ka një miqësi 20-vjeçare me Flor Mumajesin, nddërkohë që punojnë për një bashkëpunim në muzikë, që pritet të publikohet këtë vit.

Ndërsa Romeo nuk ka humbur aspak kohë, pasi flitet se po shoqërohet me prezantuesen Sara Kolami, duke qëndruar kështu brenda rrethit të vajzave të showbizz-it. Kështu, me largimin e Jonidës nga grupi Romeo e Donald Veshaj dhe Bora Zemani, vendin e saj e ka zënë Sara Kolami.

SI U ZBULUA LIDHJA E JONIDËS ME ROMEON?

Muaj më parë, aktori i “Al Pazar”, Romeo Veshaj, postoi në “Instagram” foton duke udhëtuar me një vajzë, që ia mbulonte fytyrën me emoji. Puzzle-i i fotos romantike u plotësua nga këngëtarja, e cila u shfaq me të njëjtin kostum në foton me të.

Kjo lojë postimesh u pasua nga një tjetër foto më domethënëse e Romeos, ku pozonin të mbështetur në mur dhe shkruante “Mision i mundur 9”, shoqëruar me disa zemra të Jonidës. Në fillim, çifti bëri një lojë të vërtetë me ndjekësit, për të zbuluar pak nga pak momente nga lidhja e tyre romantike.

Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj po përfliteshin se ishin në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i ”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në Eurosong, por edhe se ishin parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës. Disa ditë pas publikimit të lajmit, Jonida me kthimin nga Tel Aviv u shpreh se “Jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të pranimit. Ndërsa Romeo, konfirmimin e tij e bëri me foton që fliste sa një mijë fjalë.

Ai vendosi të merrte vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë, gati për udhëtimin romantik në çift. Tri vite pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Maliqi ka hyrë në një episod të ri në jetën e saj. Fjalët për fillimin e lidhjes me Romeo Veshajn e “Al Pazarit” filluan të qarkullonin gjatë muajit nëntor 2018.

Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi. Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram” si Jonida, ashtu dhe Romeo.

Gjatë këtyre muajve ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës. Nuk vonoi dhe Romeo iu rikthye sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit e për ta vazhduar kuiz-in me median për të zbuluar vajzën misterioze, me të cilën ai po shoqërohej.

KUSH ISHTE VESHAJ PARA SE LIDHEJ ME JONIDËN, DHE KUSH ISHTE SARA KOLAMI PARA SE TË NJIHEJ ME ROMEON?

Ai njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain Donald Veshaj në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës.

Ai hyri i vetëm në botën e spektaklit, por u bë edhe më i suksesshëm kur atij iu bashkua vëllai binjak, Donaldi. Nuk dihet nëse Universiteti i Arteve është dhe ambienti ku ai mund të jetë njohur me Jonidën, e cila po ashtu ka punuar si pedagoge, krahas karrierës artistike si këngëtare.

Ndërkohë që njohja e tij më Sara Kolamin, mendohet të ketë filluar brenda mjediseve të “Vizion Plus”, ku Romeo bashkë me vëllain Donaldin, dhe të dashurën e vëllait, Bora Zemanin realizojnë emisionin e tyre “Treshat”.

Sara, një hyrje e re në televizionet shqiptare e rritur në Greqi, në fillim ka prezantuar në krah të Kelvi Kadillit, një emision VIPash në “In Tv”. Më pas ka bërë një program mode me stilistin Niko Komani, dhe së fundi është drejtuese e një brand-i veshjesh me emrin e saj. /Panoramaplus.al/

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al