30 Prill, 2022

Stresi i bën dedikim Noizy-t në këngën e re? Komentet mes reperëve marrin gjithë vëmendjen


E kush e kishte menduar se Noizy dhe Stresi një ditë do komentonin në postimet e njëri-tjetrit në rrjetet sociale…Fansat e repit e dinë shumë mirë rivalitetin që ka ekzistuar mes tyre ndër vite dhe kjo gjë u duket ende e pavërtetë.

Fakti është se që kur kanë bërë ‘paqe’ dy reperët janë kthyer në shokë shumë të mirë dhe shpesh i lënë njëri-tjetrit komente me humor. Së fundmi ka qenë Arkimed Lushaj, pra Stresi, ai i cili ka njoftuar për një këngë të re të quajtur “Noise”, që domethënë zhurmë. Dhe kjo nuk lidhet me Noizy-n e zhurmshëm.

Megjithatë kjo nuk e ka penguar Rigels Rajkun ta marrë si dedikim dhe të falënderoj me humor Stresit. “Faleminderit” shkroi ai në Instagram, gjë të cilit Stresi e kishte pritur pasi i përgjigjet: “Sikur ta dija”.

Të gjithë u habitën kur ata ‘bënë paqe’ rreth një vit më parë, por askush nuk e priste që marrëdhënia e tyre do evoluonte kaq shpejt dhe ata të bëheshin shokë të ngushtë. Jo më larg se pak ditë më parë, komentet mes tyre në Instagram bënë xhiron e rrjetit me Stresin që i kërkonte Noizyt një kostum nga koleksioni i ri dhe Noizyn që e konsideroi atë ‘familje’.

Dy reperët e nisën bashkë rrugëtimin e tyre në muzikë, si dy shokë të mirë, mirëpo më pas rrugët e tyre u ndanë për motive ende të paqarta, teksa kohët e fundit i kanë konsideruar “gabime adoleshence”. Fansat po ashtu u ndanë në dy grupe, duke u përplasur shpesh në rrjetet sociale, por jo vetëm. Diss-et e pafundme, deklaratat e forta për njëri-tjetrin në distancë, apo edhe përplasjet fizike mes tyre a shokëve e bashkëpunëtorëve vite më parë na kishin krijuar konceptin e një armiqësie të fortë mes tyre që s’do shuhej ndonjëherë.

Ndonëse, vitet e fundit dy reperët ishin treguar “të butë” ndaj njëri-tjetrit nëpër intervista, askush nuk e priste që ata të bëheshin sërish miq e të linin pas çdo problem që ka ndodhur në të shkuarën.

Nëpërmjet dy videove live në llogaritë e tyre në Instagram Noizy dhe Stresi informuan fansat në 2021 se kanë bërë më në fund paqe dhe kanë falur njëri-tjetrin! Po ashtu, Noizy postoi një status në Instastory ku shkruante “Edhe ky Mandi nishtullës gojën helm”. Më pas këtë status e ka rishpërndarë edhe Stresi duke shkruar “Fiks o lal”. Për ju që s’e dini, kohë më parë Mandi realizoi një video ku u bënte thirrje çunave të linin pas çdo keqkuptim.

Fillimisht ata thanë se thjeshtë nuk do merren më me njëri-tjetrit por shumë shpejt gjërat ndryshuan. Prej asaj kohe dy çunat kanë mbështetur projektet e njëri-tjetrit në rrjetet sociale, teksa nuk kanë munguar komentet edhe as takimet. Tashmë fansat janë të binduar se ata do sjellin edhe një bashkëpunim ndonëse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Megjithatë pak kohë më parë Stresi e la të hapur mundësinë e një dueti mes tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al