14 Shtator, 2020

“Synoj Eurovizionin dhe karrierën botërore”- Këngëtari rrëfen famën e 20-vjeçarit: Si u bë hit kënga ime ku kërcehet me dhimbjen


Nga Klotilda Harka/ Bjond shtatlartë nga Mali i Zi, David Dreshaj është vetëm 20 vjeç dhe i këndon dashurisë me aq shpirt, sikur ta kishte provuar me të vërtetë atë ndjenjën e fortë dhe sublime.

Nga buja me “Të kam” në “Kënga Magjike” kur ishte vetëm 16 vjeç, ai rrëmben sërish vëmendjen me “Nuk e dua”, një këngë e madhe që të bën të kërcesh me dhimbjen.

Artist i mirëfilltë në industrinë e muzikës, Davidi, i konsideruar si këngëtar i shpirtit, rrëfen për “Panorama Plus” ngritjen në karrierë me këtë hit krijuar nga Darko Dimitrov dhe Lindon Berisha, dyshja e famshme e “Nëntorit” të Arilena Arës.

“Nuk e dua”, një superkëngë që kur e interpreton duket se del nga shpirti yt. Kujt i këndon me këtë forcë dashurie, që ndoshta e tejkalon dhe moshën tënde?

David Dreshaj: E keni përshkruar shumë mirë ndjesinë që përcjell kënga, por më duhet ta theksoj që kënga është në rrymën Pop/Dance dhe që të bën të kërcesh dhe të ndihesh mirë me veten.

Madje, të sjell në qejf sepse ka edhe elemente DeepHouse brenda, por që tingëllon sikur më qan shpirti. Jam dakord (qesh), sepse unë vetë si këngëtar jam “soulfull singer”.

Këndoj me shpirt se e dua, e dashuroj muzikën, frymoj për muzikën, e adhuroj muzikën. Kështu që, kjo mund të jetë arsyeja e vetme që unë këndoj me kaq forcë dashurie.”

Kënga mban firmën e Darko Dimitrov dhe Lindon Berishës, të cilët krijuan “Nëntorin” e Arilena Arës. Pret që kënga jote të ketë të njëjtën jehonë ndërkombëtare?

David Dreshaj: Po, kënga është punuar nga disa hitbërës, siç janë Darko Dimitrov dhe Lindon Berisha dhe jo vetëm, sepse në këtë projekt na është bashkangjitur dhe kanë punuar edhe Kosta Petrov e Sanja Popovska. Kënga që në ditën e parë pati jehonën e duhur, u prit dhe po pritet shumë mirë.

Dhe sot, vetëm pas gati dy javësh, kënga numëron afërsisht gati 5 milionë klikime në “YouTube”, ndërkohë që po luhet në radiot më në zë në të gjithë Shqipërinë, Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi, aty ku unë jetoj. Po ashtu kam marrë mesazhe, komente dhe komplimente pafund nga e gjithë bota dhe jo vetëm nga Europa apo shtetet ballkanike.

Kështu që, në përfundim mund të them se kënga përveçse është hit, nëse do bëhet edhe më shumë hit ndërkombëtar le t’ia lëmë kohës dhe publikut! Por që suksesi po flet vetë, kështu që ka shumë shanse.”

Dhe ta mendosh që je vetëm 20 vjeç. Deri tani ke provuar dhimbje për dikë dhe mund ta shpjegosh nga pozitat e mashkullit se çfarë është?

David Dreshaj: “Po, jam 20 vjeç. Po kush tha që kam provuar dhimbje të tillë? (Qesh) Po le të jemi pozitivë, se kënga ka shumë ritëm. Të përqendrohemi te ritmi, muzika e bukur që përcillet nga kjo këngë.

Nga këto dy versione, ta shijojmë në maksimum atë dhe të jemi sa më pozitivë. S’kam pse të shpjegoj gjëra të tilla që nuk janë aq të rëndësishme dhe nuk më bëjnë aq shumë përshtypje.”

Nga dalja jote e parë te “Kënga Magjike” kur ishe vetëm 16 vjeç teksa këndoje “Të kam”, si ka ndryshuar jeta jote tani që thua “Nuk e dua”?

David Dreshaj: Që nga dalja ime e parë në “Kënga Magjike” në vitin 2016, kur pata megasukses, pra që nga prezantimi im i parë për publikun shqiptar, karriera ime ka ecur vetëm në ngjitje, pasi kam përjetuar vetëm sukses mbas suksesi.

E përveç karrierës ka ndryshuar edhe jeta ime që nga dalja ime në “Kënga Magjike 2016” dhe po vazhdon që të ndryshojë me hapa gjigantë, me sukseset që po korr ditaditës si artist i mirëfilltë në industrinë muzikore.”

Bjond shtatlartë me pamje modeli dhe zë mjaft të bukur, të kujton këngëtarët skandinavë që shohim në Eurosong. E ke synim konkurrimin në Festivalin e RTSH-së për të arritur Eurovizionin?

David Dreshaj: “Faleminderit shumë për komplimentet e bukura! Po normal që po, me plot bindje them që ëndrra apo arritja më e madhe e një artisti të mirëfilltë dhe të suksesshëm është të prekë skenën e Eurovizionit.”

Shohim që realizon klipe luksoze. Kush paguan për ty?

David Dreshaj: “Po, është shumë e vërtetë që videoklipet e mia janë luksoze, artistike dhe në nivel. Me pak fjalë, jashtë asaj çfarë jemi mësuar të shohim çdo ditë në tregun muzikor shqiptar. Gjithmonë mundohem të vij ndryshe dhe të jem versioni më i mirë i vetes, të jem më i mirë se ç’kam qenë dje… Mendoj që gjithmonë ia arrij dhe ia kam dalë. Po ashtu, mundohem të krijoj dhe të shfaq diçka ndryshe në videoklipet e mia. Për pagesën kujdeset menaxheri im, Jeton Junuzi, kompania menaxhuese “Media Arts” e shumë sponsorë të tjerë që i falënderoj shumë!”

Bën plane apo strategji prej vizionari në muzikë, të cilat mund t’i zbulosh që tani?

David Dreshaj: “Dhe planet për të ardhmen janë të mëdha. Punë, sakrificë, mundim, vullnet dhe disiplinë për të arritur dhe prekur majat dhe skenat, jo vetëm ballkanike e europiane, por do Zoti edhe ato botërore shumë shpejt. Kështu që, unë do të fokusohem, do kem disiplinë që të arrij majat dhe të marr atë që më përkon mua si talent, si zë, si potencial. E synoj këtë sepse i kam kushtuar jetën muzikës, frymoj për muzikë. Një gjë të bukur po e them: Kam shumë këngë të reja që dua dhe do t’i lançoj me videoklipe të bukura. Po ashtu, në një të ardhme të afërt do të publikoj dhe një album timin.

Fama për ty mund të jetë si destinacioni që s’ka të paguar, apo helm për shpirtin që një ditë do ta paguash ç’ke shijuar?

David Dreshaj: Përfundimisht, nuk mendoj aspak që fama është helm për shpirtin. Nganjëherë, të jemi të sinqertë, fama mund të jetë e bezdisshme. Ama, përderisa unë e kam bërë, e bëj dhe do vazhdoj ta bëj me dashuri, atëherë s’ka pse të jetë helm.

Për mua është vetëm kënaqësi, mirënjohje dhe vullnet për të vazhduar, sepse nëse dikush ka arritur diçka në fushën e industrisë së muzikës dhe është i suksesshëm, nuk mendoj që është për kot.

Ka një arsye që është aty ku është dhe që është i suksesshëm. Domethënë ka bërë diçka të mirë, ka kontribuar, luftuar dhe ka punuar fort që të jetë aty ku është sot. Dhe ky është shpërblim i punës, vullnetit, disiplinës, luftës dhe gjithë hapave e copëzave që ke hedhur në këtë fushë dhe vetëm në atë drejtim.”

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al