Të udhëtosh do të thotë shumë më shumë se sa të shijosh disa ditë pushim apo të shohësh gjëra që nuk i ke parë. Jo vetëm që njeh kultura të reja, por edhe përfshihesh në situata nga më të ndryshmet. Ke mundësinë ta shohësh veten në lidhje e marrëdhënie me njerëz që i përkasin kulturave e shoqërive të ndryshme. Ndaj të udhëtosh do të thotë të njohësh veten. Në rast se nuk keni një shoqërues në udhëtimin tuaj mos u shqetësoni, të udhëtosh vetëm është më bukur nga sa mund ta mendoni. Sipas një reviste të huaj janë pesë destinacionet që janë cilësuar si vendet më të sigurta për një udhëtar të vetëm. Ato janë : Islanda , Kanadaja, Irlanda, Holanda dhe Austria.
Ju duhet të keni parasysh se të udhëtosh vetëm nuk është më një tabu. Janë të shumta arsyet përse një femër duhet të ndërmarrë një udhëtim vetëm, të paktën një herë në jetë: për të bërë paqe me vetveten, për të fituar një formë tjetër pavarësie, për të jetuar një eksperiencë të re. Bota është një vend shumë i bukur për të mos e njohur deri në fund. Mund të nisni me fundjava në vende që i keni afër për të shkuar pastaj në vende të largëta e të mrekullueshme sikundër janë propozimet tona. Ndaj paketoni valixhen dhe qejfi juaj është i garantuar.
Austri- Nëse do shkoni në Austri, një zgjidhje ideale është Insbruku. Kryeqendra e Tirolit në Austri, Insbruku, është vendi më i mirë në Evropë për të udhëtuar, në qoftë se jeni vetëm dhe kërkoni të përjetoni një aventurë. I njohur gjerësisht si qendra e sporteve dimërore, Insbruku ndodhet në zemrën e Alpeve të Evropës, në afërsi të luginës Stubai dhe është zgjidhja më e mirë për një shumëllojshmëri sportesh dhe aktivitetesh. Nuk ka rëndësi stina kur vendosni ta vizitoni, ju do të gjeni patjetër diçka interesante për të bërë në Insbruk. Nëse pëlqeni alpinizmin ose çiklizmin nëpër male, ky është vendi ku mund ta praktikoni. Në qoftë se po kërkoni të përjetoni diçka të re dhe të guximshme, mund të zgjidhni të hidheni me parashutë ose aeroplan. Do t’ju duhet vetëm guxim dhe një aparat fotografik që t’i kujtoni këto çaste të paharrueshme.
Holandë- Nëse do shkoni në Holandë, duhet të ndaleni në Amsterdam.
Sigurisht që ju e dini se Amsterdami është i famshëm për kanalet e tij, por ju nuk e keni kuptuar se sa interesantë janë ata, derisa të shkoni aty. Nëse do jeni në Amsterdam, mund të ndiheni pak konfuz në fillim duke parë përreth dhe çdo lloj gjëje do ju duket e njëjtë, por ajo i jep qytetit një atmosferë të veçantë dhe të bukur. Ju sygjerojmë të merrni me qira një varkë me pedale për të shijuar lumin që përshkron qytetin, ose dhe nje cruise për 2 apo më shumë veta që mund t’i gjeni lehtë në çdo dyqan kafeje të qytetit.
Irlandë- Ajo ndodhet në veriperëndim të Europës dhe është një vend ku mund të kundrosh bukuritë natyrore, mund të hash ushqim cilësor , të mirë dhe të behesh pjesë e shumë koncerteve muzikore.
Thonë se periudha e pranverës është e mrekullueshme atje, se bari që ka mbirë duket si batanije që ka mbuluar mjedisin. Këtu ndodhen shumë lëndina dhe livadhe të gjelbërta që ofrojnë një pamje piktoreske. Sligo ndodhet në perëndim të Connaktit, në pjesën bregdetare të tij dhe aty organizohen shumë koncerte.Është një vend i madh dhe familjar. Festivali i Ushqimit dhe Kulturës që zhvillohet në këtë vend, ofron larmishmëri aktivitetesh për të rritur dhe femijë. Ky festival përbëhet nga prezantimi i ushqimeve cilësore dhe tradicionale, shfaqje në rrugë dhe marketet e fermerëve. Këto janë disa nga shumë mënyrat e argëtimit të Irlandës.
Kanada- Ajri cilësor, infrastruktura solide dhe përparimet në medicinë kanë bërë që Toronto në Kanada të jetë njëri ndër qytetet më të përshtatshme për të jetuar dhe më të vizituarit prej turistëve. Ai është një qytet i sigurt dhe ju mund ta shëtisni atë vetëm, duke e shijuar kësisoj çdo centimetër. Ajo që i bën njerëzit të duan ta vizitojnë këtë qytet është edhe fakti se rruga më e gjatë në botë “Rruga Yonge” kalon nëpërmjet Torontos. Nëse zgjidhni të shkoni në Kanada, ju duhet me doemos të vizitoni edhe qytetin e Vankuverit, një ndër qytetet më të pastra në botë. Për më tepër, ky qytet llogaritet si qyteti i tretë në industrinë e filmit dhe ka një botë të pasur artistike për ta shijuar .
Islanda- Shfaqet triumfuese në çdo statistikë dhe është shndërruar në një model. Kryesojnë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të mirëqenies shpirtërore e jetës pa telashe. Duket se vetitë njerëzore janë eksporti më i mirë i Islandës. Islanda mund t‘i japë mbarë botës një mësim të mirë për sa u përket të drejtave të njeriut dhe barazisë mes burrit dhe gruas. E, megjithatë, islandezët janë modestë, gjithmonë njerëzorë dhe përjetësisht shpirtra të lirë e të pakompromis. Kjo do ju bëjë juve që të ndiheni në paqe teksa shijoni çdo qytet të Islandës. Gatimet janë të mrekullueshme, aktivitetet muzikore e artistike nuk mungojnë në asnjë qytet, çka do ju bëjnë juve të gjeni harmoninë dhe ekulibrat e brendshëm ndërsa vizitoni këtë vend magjepsës dhe kaq ideal.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al