14 Qershor, 2020

Tea dhe Kristi i “Big Brother” martohen në fshehtësi, historia e çiftit që u lidh në mënyrë të pazakontë


Para dy vitesh, Tea Zhuli dhe Kristi Becka që u bënë të njohur në “Big Brother” vendosën të dilnin publikisht në rrugët e vendlindjes së tyre, Korçës, ndërkohë që flitet se tashmë ata janë martuar në fshehtësi.

Kujtojmë që propozimin Kristi ia bëri Teas në sheshin e qytetit, ndërkohë që po mbahej Festa e Birrës. Mes mijëra njerëzve të mbledhur në sheshin e qytetit, ish-banori i “Big Brother”, Kristi, i propozoi për martesë të dashurës së tij, Tea Zhuli.

E tashmë ndjekësit e Teas kanë vënë re detajin e unazës në gisht, ndërkohë që të njohur afër saj kanë treguar se ata janë martuar. Në një nga postimet e tij, bashkëngjitur fotos me Tean, Kristi shkroi: “Unë me parajsën time”, fjalë që dëshmonin se ai ndihet mrekullisht i lumtur pranë saj.

Kristi Becka dhe Tea u njohën brenda së njëjtës shtëpi të vëzhguar nga kamerat, pikërisht aty ku Kristi pa me sytë e tij çdo hap të lidhjes së saj me fituesin e atij edicioni, Vesel Kurtishaj. Kristi u kujdes që këtë moment emocionues dhe të rëndësishëm për jetën e tyre ta bëjnë publik para shumë njerëzve në mes të qytetit të tyre të lindjes.

Nga videot e siguruara dy vite më parë nga propozimi, vihej re entuziazmi i njerëzve në shesh si dhe emocionet që kishin mbërthyer Tean në skenën e Festës së Birrës. Qyteti ishte pushtuar nga drita e fishekzjarrëve, duke shtuar kështu më tepër atmosferën e krijuar. Kristi dhe Tea regjistrohen si të paktët çifte që vazhduan përtej “reality show”-t një marrëdhënie të bukur, pas Ogrenit e Nedës që u martuan dhe u bënë prindër, ndërkohë që Danjeli dhe Fotinia u divorcuan.

Historia e Kristit me Tean nuk është aspak normale, duke qenë se kur ata ishin në shtëpinë e “Big Brother”, Tea i qante hallin për lidhjen që nuk po funksiononte si duhej me Veselin. Pas daljes nga loja, ajo nisi bashkëjetesën në Tiranë me Kurtishajn, një marrëdhënie që përfundoi me ndarje të hidhur gjatë kohës kur ai konkurronte në “Dance with me”.

Nuk vonoi shumë dhe Tea u pa papritur në krahët e Kristit, i cili ndërkohë kishte nisur punë në televizion,si partneri i Ilda Bejlerit, në emisionin “Bar Skedina”. Tashmë, ata e kanë hedhur pas të shkuarën. Lidhja që nuk pritej e ish-rivalëve të “BB” ndodhi ekzaktësisht 1 vit pasi Tea Zhuli e pranoi hapur se ishte zhgënjyer nga Veseli, një lidhje që u konsiderua e dështuar.

Kristi Becka ishte miku më i mirë i Teas në orvatjet plot ngacmime të saj mes Vesel Kurtishajt dhe Fisnik Veisllarit brenda shtëpisë së “Big Brother”. Ata janë të dy nga Korça dhe dolën hapur si çift në fillim të 2017-ës. Pasi gjetën veten profesionalisht në Tiranë, Tea si modele e stiliste, ndërsa Kristi si ekspert futbolli, duket se gjetën gjuhën e përbashkët edhe në dashuri për të nisur një lidhje të fortë mes tyre.

Ndryshe nga lidhja me Veselin, që dukej më e fshehtë dhe romantike, lidhja me Kristin duket më argëtuese dhe e hapur, ashtu siç është dhe natyra e tij.

Në një intervistë për “Panorama Plus”, Kristi rrëfeu lidhjen me Tean dhe planet e tyre për të krijuar familje së shpejti. “Jemi të veçantë si çift. S’e di unë çfarë është kimia dhe fizika, po ne kemi dashuri… Ne kemi bashkëjetuar që ditën e parë që u lidhëm. Kemi shumë plane në përgjithësi, por unë nuk i tregoj se jam supersticioz. Pra, nuk më dalin planet kur i diskutoj”.

Sa për fëmijët që planifikojnë të sjellin në jetë së shpejti, ai shprehet: “Dëshira është që të bëj një familje shumë të madhe me Tean. Tre fëmijë të sigurt, por edhe 4 ose 5. Dëshiroj djem, vajza dhe një lindje mendoj se do të jenë binjakë”.

Ndërsa Tea, e cila i është përkushtuar stilimit, u shpreh kështu për Kristin në intervistën e saj për “Panorama Plus”: “Ka qenë për krah meje në gjithë punën time. Fotografi im është Kristi. Fëmijët na pëlqejnë të dyve, por është shumë shpejt akoma”.

Ata duket se kanë një lidhje të fortë, pasi rrjetet sociale e tyre nuk postojnë asnjë foto me miq, përveçse vetëm ose me njëri-tjetrin.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al