8 Mars, 2022

U sulmua seksualisht nga kolegu dhe shokët e tij, aktorja e njohur thyen heshtjen: Mu kthye jeta pëmbys, kam fajësuar veten


Aktorja e njohur indiane, Bhavana Menon, ka folur për herë të parë në lidhje me abuzimin seksual që iu bë nga një grup meshkujsh në vitin 2017.

Menon, e cila ka luajtur në më shumë se 80 filma indianë  dhe ka fituar shumë çmime prestigjoze, u sulmua seksualisht nga një grup ndërsa po udhëtonte nga qyteti Thrissur në Kochi, në muajin maj të vitit 2017.

Historia e saj bëri bujë të madhe, sidomos pasi Dileep, një nga aktorët më të mëdhenj të industrisë së filmit njëkohësisht kolegu i saj, u akuzua si autori kryesor i përdhunimit.

Ai mohoi akuzat ndaj tij, por u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për tre muaj para se të lirohej me kusht, po çështja po shqyrtohet ende në gjykatë.

“Unë isha thjesht një vajzë normale që më pëlqente argëtimi dhe më pas ndodhi ky incident që ma ktheu jetën përmbys. Shumica e njerëzve shohin fotot e buzëqeshura që postoj në rrjetet sociale, por unë kam qenë në ferr. Unë u bëra kjo viktimë, kjo “aktorja e sulmuar”. Dhe për një kohë të gjatë vazhdova të pyesja “Pse unë?” Unë fajësoja veten dhe kërkoja një rrugëdalje. Por në vitin 2020, pasi filloi gjyqi, kalova 15 ditë duke dhënë dëshmi në gjykatë. Dhe atëherë gjërat ndryshuan. Këtu isha, duke dashur të harroja dhe të vazhdoja përpara, por më pas m’u desh të kujtoja gjithçka, çdo detaj të vogël të çështjes”, tha Menon

Në ditën e sulmit të saj, Menon po udhëtonte nga vendlindja e saj Thrissur për në qytetin e Kochi , ku do të dublonte për një film mëngjesin tjetër, kur u rrëmbye. Sulmuesit e saj bënë video të sulmit.

“Ndoshta donin të më shantazhonin”, tha aktorja.

Duke marrë parasysh statusin e saj dhe Dileep, nagjarja mori një vëmendje të madhe mediatike ku në shumë emisione televizive kishte edhe njerëz që ishin kundër saj, madje e cilësuan si fajtore.

Ata ngritën pyetjen se pse ajo po udhëtonte në orën 19:00 dhe vunë në dyshim moralin e saj, disa e abuzuan me të dhe disa thanë se çështja ishte e sajuar e gjitha, se ajo e kishte “inskenuar”.

“Isha e shkatërruar, e thyer në një milion copa, të gjitha këto gjëra ishin shumë të dëmshme për mua. Ndonjëherë doja të bërtisja. Më rrëmbyen dinjitetin dhe më pas u turpërova si viktimë” tha ajo për platformën dixhitale indiane Mojo Story.

Sipas ligjit indian, identiteti i atyre që janë sulmuar seksualisht duhet të mbrohet me çdo kusht, por Menon tha se që në fillim dihej se ishte ajo që ishte sulmuar.

“Unë isha një aktore e njohur dhe raportet fillestare thanë vetëm se isha rrëmbyer, kështu që disa nga kanalet televizive shfaqën fotografitë e mia. Pasi u bënë të ditura detajet e sulmit seksual, ata hoqën emrin dhe fotot e mia, por deri atëherë të gjithë e dinin se ishte mua.”, deklaroi aktorja.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al