29 Prill, 2022

U tha se do bëhej pjesë e politikës reagon Bleona Qerreti: Nëse do punoja në qeveri do zgjidhja SHBA


Këngëtarja Bleona Qerreti ka reaguar pasi u tha së është pjesë e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar të Partisë Demokratike ditën e sotme.

Këngëtarja ka vendosur të reagojë në lidhje me këtë çështje përmes një postimi në Instagram ku shkruan se nëse do të punonte ndonjëherë për një qeveri, do të ishte vetëm për atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar veten si “qytetare amerikane.”

“Ndërsa kam lindur në Shqipëri jam një qytetare amerikane! Unë e dua Shqipërinë por besnikëria ime është ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit tim!! Nëse do të punoja ndonjëherë për një qeveri, do të punoja vetëm për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”- shkruan Bleona Qerreti në postimin e saj, të cilin e ka shoqëruar me një flamur të shtetit amerikan.

Floriana Garo, drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit shprehu se do të ketë shumë personalitete dhe figura të njohura të PD-së në Kuvendin Kombëtar, ku mes kandidatëve u tha edhe emri i këngëtares Bleona Qerreti.

Garo ka lexuar ditën e sotme emrat e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar, ku në total garojnë 420 emra të selisë blu.

Mes emrave të njohur ra në sy kandidatura e Bujar Kapexhiut, Bleona Qerretit, Renis Gjokës, Julian Dedës, Rubens Shimës, Rajmonda Bulkut, Rudina Hajdarit, Salvator Kaçaj, etj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al