26 Tetor, 2020

“U transformoj dhe karakterin!”- Grimierja e VIP-ave rrëfen sekretet e vajzave të famshme që kanë kaluar në duart e saj


Ju kishte shkuar mendja që nga një dhomë grimi në televizion mund të dalësh jo vetëm yll, por edhe me karakter të ndryshuar?

Këtë fakt e zbulon për “Panorama Plus” grimierja Eneida Hoxhaj e njohur me emrin e artit, Eni Lena.

Eksperienca prej vitesh në televizion ka bërë që nga duart e saj të provojnë adrenalinën e transformimit para pasqyrës, nga artistët e kinemasë e teatrit, personazhet karizmatikë të ekranit e deri te miset e vajzat e “Instagram”-it.

Për bukurinë para dhe pas grimit, nga Miriam Cani, Jonida Vokshi, Marsela Çibukaj e shumë të tjera, Eni zbulon ca sekrete që i mbajnë për vete vajzat VIP.

Në skenën e “Miss Universe” për të dorëzuar çmimin e “Best Model”. Një make up artist, çfarë vë re përtej një miss-i të grimuar?

Eni Lena: Duke qenë se është konkurrim i bukurisë natyrale, presupozohet që në fillim që grimi s’duhet të jetë i rënduar, duhet të ndihmojë natyrshëm çdo tipar të miss-it. Gjithashtu, duhen ruajtur edhe ekuilibrat e toneve që të duket edhe live mirë, por edhe në ekran po ashtu. Përveç kësaj, shihet sharmi që paraqet nëpërmjet mimikave, lëvizjeve skenike dhe mendimeve që jep. Të gjitha këto duhet të jenë në harmoni të plotë.

Po ashtu, vetë ke provuar kënaqësinë e çmimit, pasi je vlerësuar me titullin ‘Mjeshtër Pune’. Një mjeshtre në grim a mund ta shndërrojë një vajzë të zakonshme në një yll të vërtetë?

Eni Lena: Një “Mjeshtër” i vërtetë arrin të ndërrojë edhe karakter nëpërmjet grimit e jo më ta shndërrosh një vajzë të zakonshme akoma edhe më të bukur. Po, kjo është e vërtetë.

Prej vitesh punon në televizion, ku grimon vajzat e famshme të ekranit. Si është të punosh me to pas kuintave?

Eni Lena: Është kënaqësi e madhe, është një moment adrenaline për të dyja palët, ku përgjegjësia, saktësia e shpejtësia luftojnë me njëratjetrën deri sa në fund arrihet qëllimi i pëlqyer. Gjë që te personat VIP nuk është edhe aq e lehtë.

A mund të përmendësh disa emra vajzash të njohura që grimon e pikat e tyre të forta në portret?

Eni Lena: Me kaq vite pune sa kam, shumica prej tyre kanë kaluar në duart e mia. Nuk po përmend emra të përveçëm për pikat e forta, sepse pas kësaj ju do më kërkoni edhe pikat e dobëta! (Qesh)

A janë tipa të vështirë, sa kohë duhet për të grimuar një vajzë televizioni që del para ekranit?

Eni Lena: Në ditët e sotme, të quash dikë “VIP” është pak e ngatërruar dhe relative. Pa dashur t’i hyj këtij shpjegimi, po i përgjigjem pyetjes. Për mua, nga ana profesionale, Vip-at e teatrit e filmit (domethënë në sheshet e xhirimit) janë më fantastikët, kanë një botëkuptim tjetër për grimin. Ndërsa Vip-at e “Instagram”-it, make up-in e konsiderojnë pjesë të suksesit të tyre dhe për këtë arsye ta bëjnë më të vështirë punën.

Trendi i grimit aktualisht, pra, si duhet të grimohet një vajzë showbizi që të duket in?

Eni Lena: In është çdo vajzë që ka gjetur dhe ndjek stilin e saj, e jo të imitojë apo të bëjë diçka që është e kohës, por ndërkohë nuk i përshtatet. Trendet e fundit janë ngjyrat e forta, prerjet dhe shkëlqimet në make up.

Për ty, një vajze e bukur pa make up si është dhe cila nga të famshmet të duket e bukur ujë e sapun?

Eni Lena: Makeup-i prandaj është shpikur, sepse atyre që u mungon në njëfarë mënyre bukuria, e plotësojnë me të. Një që është e bukur, është e bukur dhe kaq. Do veçoja Julia Roberts, Naomi Campbell, Monica Bellucci…

/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al