Stina e shumëpritur e verës kërkon një vëmendje më të madhe për kujdesin ndaj shëndetit. Temperaturat e larta ju çojnë drejt destinacioneve të pushimit, det apo mal. Por ka nga ata që zgjedhin edhe frekuentimin e shpeshtë të pishinave. Fakt është, se kjo nuk vjen pa pasoja për shëndetin.
Nëse jeni frekuentues i pishinave apo parqeve ujore duhet të keni parasysh rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit tuaj duke parandaluar infeksionet.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se klori është një dezinfektues shumë i mirë për bakteret dhe arrin të na mbrojë nga kontakti me to, ju sigurojmë se klori nuk arrin t’i zhdukë të gjitha bakteret që ndodhen në ujin e pishinave. Ka baktere sot që janë shumë tolerantë ndaj klorit, të cilët shkaktojnë infeksione të rënda për trupin e njeriut. Një prej këtyre baktereve gjendet dhe në pishina. Gëlltitja e një sasie shumë të vogël nga uji i pishinës që përmban këto baktere në njerëz të caktuar, shkakton sëmundje infektive të rënda.
Bakteret e ujit përhapen duke gëlltitur ujin, si dhe duke patur kontakt me ujë të kontaminuar; si uji në pishina, liqene apo lumenj, si dhe parqet e lojrave me ujë apo shatërvane. Bakteret e ujit sjellin një sërë problemesh në organizmin e njeriut, si sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet e lëkurës, veshit, probleme me frymëmarrjen, sytë, probleme neurologjike etj. Rastet më të shpeshta paraqiten me diarre. Diarreja shkaktohet nga bakteri Cryptosporidium, giardia lambia apo e-coli. Të gjithë njerzit që notojnë rregullisht apo ata që frekuentojnë pishinat në ditët e verës duhet të kenë parasysh të jenë të kujdesshëm, pasi kanë një rol kryesor në parandalimin e përhapjes së baktereve.
Si shkaktohen infeksionet e ujit?
Njerëzit që frekuentojnë pishinat kur prekin ujin, njëkohësisht prekin edhe bakteret që janë në të. Bakteret në zonën anale sjellin ndotjen e ujit dhe kjo është më e theksuar te personat që vuajnë nga diarreja. Infeksionet e pishinave gjithashtu mund të shkaktohen nga kimikatet në ujë ose kimikatet që avullojnë nga uji dhe shkaktojnë probleme të cilësisë së ajrit.
Cili është roli i klorit në pishina?
Prezenca e klorit në pishina sigurisht që eliminon bakteret që ndodhen në ujë, por koha për t’i zhdukur ato është e ngadaltë. Për të zhdukur bakteret si Crypto ose ndryshe Cryptosporidium që më së shumti gjendet në pishina, kërkojnë kohë më të gjatë për t’u eliminuar. Parazitët e Cryptosporidium janë një nga shkaqet më të zakonshme të diarresë infektive tek njerëzit, sepse ato nuk mund të zhduken lehtë nga klori dhe mund të mbijetojnë deri në 10 ditë në ujë, edhe në ujë të trajtuar sipas standarteve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al